Ministria e Financave ka hartuar draftin për faljen e detyrimeve deri dhjetor të vitit 2010, faljen e gjobave dhe kamatëvonesave për periudhën nga 2011-2014 me kusht që të paguhen detyrimet si dhe faljen e gjobave të llogaritura automatikisht nga sistemi për deklarim të vonuar të punonjësve. Falen gjithashtu të gjitha detyrimet e gjobat për bizneset e çregjistruara. Falen edhe gjobat për dorëzim të vonuar të vendimit për destinimin e rezultatit dhe dorëzim me vonesë të pasqyrave financiare të aplikuara sipas ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, të llogaritura deri në datën 31.12.2016 si dhe dënimet administrative (gjobat) për mosdeklarim në afat, për deklarata të padorëzuara, me kusht që çdo deklaratë e padorëzuar të dorëzohet deri në datën 30.06.2017.
Edhe subjektet që kanë tepricë kreditore të TVSH-së ose të një tatimi tjetër, përfitojnë nga fshirja e detyrimeve tatimore, sipas neneve 5, 6, 7 dhe 11 të këtij ligji, pas kompensimit (zvogëlimit) të tepricës deri në masën e tatimit të papaguar.
Detyrimet që fshihen tërësisht
-Fshihen detyrimet tatimore të papaguara sipas përcaktimit në pikën 1 të nenit 2 të këtij ligji, që u përkasin periudhave tatimore dhjetor 2010 e më parë, dhe, që rezultojnë të regjistruara në llogarinë e subjektit, përveç kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë ligj.
-Përfitojnë nga fshirja sipas kësaj dispozite, detyrimet e papaguara të përcaktuara sipas ligjit nr.9632, datë….2006 “Për Taksat Vendore” të ndryshuar, që u përkasin periudhave tatimore dhjetor 2010 e më parë.
-Fshihen dënimet administrative (gjobat) dhe kamatëvonesat për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, që i përkasin periudhave tatimore dhjetor 2010 e më parë, që rezultojnë të regjistruara në llogarinë e subjektit.
Fshirja pjesore e detyrimeve tatimore me kusht pagimin e tatimit/taksës/kontributit
Fshihen gjobat dhe kamatëvonesat që rezultojnë të papaguara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të regjistruara në llogarinë e subjektit, me kushtin që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të paguhet i plotë tatimi/taksa/kontributi, për:
- detyrimet tatimore, që i përkasin periudhave tatimore janar 2011 deri dhjetor 2014;
- kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore që i përkasin periudhave tatimore janar 2011 deri dhjetor 2014;
- taksat vendore të papaguara, që u përkasin periudhave tatimore janar 2011 deri dhjetor 2014;
Falja e gjobave për deklarim të vonuar të sigurimeve dhe destinim të fitimit
Janë gjithashtu objekt i fshirjes sipas këtij ligji, detyrimet tatimore të mëposhtme, pavarësisht periudhës tatimore që i përkasin:
-detyrimet tatimore përfshirë tatimin/kontributin/taksën, kamatëvonesën dhe dënimet administrative për subjektet persona fizikë ose juridike, të cilët rezultojnë të çregjistruar në QKB, me vendim gjykate, ose që janë të çregjistruar në administratën tatimore deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji;
-dënimet administrative (gjobat) tatimore të llogaritura automatikisht nga sistemi për deklarim të vonuar sipas nenit 113 të Ligjit Nr. 9920, datë 19.08.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, deri më 31.12.2016, përfshirë edhe dënimet që lidhen me afatin e deklarimit të të punësuarve.
-dënimet administrative (gjobat) për dorëzim të vonuar të vendimit për destinimin e rezultatit dhe dorëzim me vonesë të pasqyrave financiare të aplikuara sipas Ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, te llogaritura deri në datën 31.12.2016 .
-dënimet administrative (gjobat) për mosdeklarim në afat, për deklarata të padorëzuara, me kusht që çdo deklaratë e padorëzuar të dorëzohet deri në datën 30.06.2017.
-dënimet administrative (gjobat) për shoqëritë e autorizuara, të parashikuara në nenin 123 të Ligjit Nr. 9920, datë 19.08.2008 “Për proçedurat tatimore në Republikën e Shqipërise” i ndryshuar, të evidentuara në llogarinë e subjektit nëpërmjet akt konstatimit deri me datën 31.12.2016
-dënimet administrative (gjobat) si rezultat i aplikimit të dispozitave të ligjit nr.99/2015 “Për disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin për procedurat tatimore në RSh”, të shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese.
Kompensimi i detyrimeve debitore me gjendjen kreditore dhe tepricën kreditore të TVSH-së
1.Subjektet që kanë tepricë kreditore të TVSH-së ose të një tatimi tjetër, përfitojnë nga fshirja e detyrimeve tatimore, sipas neneve 5, 6, 7 dhe 11 të këtij ligji, pas kompensimit (zvogëlimit) të tepricës deri në masën e tatimit të papaguar.
Në rastet kur, teprica nuk mbulon vlerën e plotë të tatimit dhe kamatëvonesës së papaguar atëherë duhet të kryhet pagesa për pjesën e mbetur sipas nenit 6 dhe më pas bëhet fshirja dënimeve administrative.
2.Përcaktimet e këtij neni për kompensimin zbatohen automatikisht pa kontroll, përveç rasteve të parashikuara në pikën 1 të nenit 11 të këtij ligji, per te cilat ky nen zbatohet kur subjekti heq dorë nga ankimi administrativ ose nga e drejta e padisë/ankimit/rekursit në cdo fazë dhe shkallë të gjykimit pranë gjykatës kompetente.
3.Sipas këtij neni, kompensimit nuk i nënshtrohen detyrimet për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Fshirja e detyrimeve të pagueshme në doganë
1.Fshihen nga regjistrat detyrimet e pagueshme në doganë sipas kuptimit të pikës 2 të nenit 2 të këtij ligji, të papaguara ndaj administratës doganore dhe të evidentuara nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate deri në datën 31 dhjetor 2010.
2.Fshihen nga regjistrat detyrimet e pagueshme në doganë sipas kuptimit të pikës 2 të nenit 2 të këtij ligji, të papaguara ndaj administratës doganore dhe të evidentuara për individët lidhur me produktet e duhanit, nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate deri në datën 31 dhjetor 2016.
Pagesa e detyrimit dhe fshirja me kusht e detyrimeve të pagueshme në doganë
1.Detyrimet e pagueshme në doganë, të evidentuara nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate nga 1 janari 2011 deri 31 dhjetor 2014, fshihen, me kusht që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji të paguhet i plotë detyrimi i pagueshëm në doganë, pa përfshirë gjobat, kamatëvonesat dhe interesat kompensuese.
2.Detyrimet e pagueshme në doganë, të evidentuara për shkelje të regjimit të lejimit të përkohshëm për automjetet, nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate nga 1 janari 2011 deri 31 dhjetor 2016, fshihen, me kusht që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji të paguhet i plotë detyrimi i pagueshëm në doganë, pa përfshirë gjobat, kamatëvonesat.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.