Profesor Edmond Dragoti thotë se ritmet e rënies së lindjeve do të vazhdojnë të jenë në rritje, derisa të krijohet stabilitet social, politik dhe ekonomik dhe të realizohet procesi i kulturimit me ideologjinë e re individualiste. Nga studimet tona del se problemet sociale dhe kriminaliteti rriten kryesisht nga niveli i ulët i mirëqenies. Rritja e saj do të sjellë edhe qëndrueshmërinë e lindshmërisë në vendin tonë, tha ai në një intervistë të posaçme për ‘Monitor’.
Zoti Dragoti, lindjet gjatë tremujorit të dytë të këtij viti ishin 6.143 duke pësuar një rënie dyshifrore krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. A keni ju gjetjet tuaja se pse po bie lindshmëria?
Jo vetëm nga shifrat tuaja, por edhe në vëzhgimet më të thjeshta të situatës së lindjeve në vendin tonë vihet re rënie e shpejtë e numrit të lindjeve. Natyrisht, që nuk ka vetëm një shkak, por ai më kryesori lidhet me ndryshimet e mëdha social-kulturore, ekonomike dhe politike në vendin tonë pas viteve 90’ të shekullit të kaluar. Ka ndryshuar mënyra e të menduarit të shoqërisë shqiptare, tashmë po kalohet gradualisht nga kultura patriarkale, autoritare, kolektive në kulturën individualiste. Që do të thotë se individi i sotëm është në varësi, kujdeset dhe përgjigjet gjithnjë e më pak për të tjerët e familjes apo fisit, dhe mendon gjithnjë e më shumë vetëm për zhvillimin e vetes. Ky nuk është vetëm një fenomen shqiptar, por mbarëbotëror. Kështu ngjau edhe në kohën e Revolucionit Industrial në Angli, kur kalimi në ideologjinë individualiste u shoqërua me rënien e shpejtë të lindjeve.
Po ashtu, edhe dukuria e migrimit të brendshëm dhe të jashtëm, që paraqet një lëvizje masive të popullsisë ndikon në uljen e ritmit dhe numrit të lindjeve. Ndërkohë edhe pasoja të tilla të zhvillimit të pakontrolluar të vendit tonë si papunësia e lartë, varfëria, ulja e cilësisë së jetës, pasiguria sociale dhe ekonomike, shpërbërja e familjes si dhe padrejtësia shoqërore kthehen dhe shërbejnë si faktor i rëndësishëm për pakësimin e lindjeve.
Si ka qenë ndër vite sjellja e lindshmërisë me rrethanat e momentit?
Procesi i rënies së lindshmërisë ka qenë i menjëhershëm pas ndryshimeve social-politike, ekonomike dhe kulturore të viteve 90’. Kjo tendencë ka vazhduar të jetë e qëndrueshme dhe graduale, e ushqyer vazhdimisht nga emigrimi i pandalshëm jashtë vendit i brezit të ri, që është forca kryesore riprodhuese në vend.
Si mendoni se do të vijojë ky fenomen në të ardhmen?
Mendoj se ritmet e rënies së lindjeve do të vazhdojnë të jenë në rritje derisa të krijohet stabilitet social, politik dhe ekonomik, dhe të realizohet procesi i kulturimit me ideologjinë e re individualiste. Ne kemi një popull vital, por do të duhen ende edhe 2-3 dekada, që të arrijmë ndryshimin e mënyrës së të menduarit. Nga studimet tona del se problemet sociale dhe kriminaliteti rriten kryesisht nga niveli i ulët i mirëqenies. Rritja e saj do të sjellë edhe qëndrueshmërinë e lindshmërisë në vendin tonë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.