Drejt investimeve të përgjegjshme

30/12/2011 9:44 AM 0 komente
Fondet e investimeve rriten gjatë 2009-s.
Albana Muçaj

Fondet që mund të arrijnë klientët e vegjël pritet të jenë më të matura si për kreditorët dhe klientët. Investitorët në mikrofinancë po kërkojnë rrugë më të sigurta për rritjen e investimeve. EFSE: Duhet të investojmë në formë të përgjegjshme

Vështirësitë e hasura në tregun financiar po nxisin edhe investitorët e mikrofinancës të gjejnë tregje të reja investimesh, duke qenë njëkohësisht më të kujdesshëm në disbursimin e fondeve.

Drejtuesit e Fondit Europian për Europën Juglindore (EFSE) pohuan në konferencën vjetore të zhvilluar javën e kaluar në Ohër të Maqedonisë se investimet duhet të rriten në një formë të përgjegjshme dhe kredituesit e mikrofinancës duhet të rrisin përgjegjësinë në hua të kujdesshme. Në kohë të vështira për tregjet financiare, ky fond ka zgjeruar fushën e veprimit në tregje të reja si Armenia dhe Azerbajxhani.

Por, drejtuesit e fondeve kryesore të investimeve po rishikojnë me kujdes kushtet e investimeve për të siguruar qëndrueshmëri në tregje.

Dr. Klaus Glaubitt, kryetar i Bordit të Drejtorëve të EFSE, u shpreh në konferencë se “fondet e investimeve duhet të rrisin përgjegjësinë në investimet e tyre dhe duhet të kërkojnë të rriten po ashtu në mënyrë të përgjegjshme”.

Pas krizës financiare, bota e mikrofinancës duhet të përshtatet, shprehet prof. dr. Eva Terbeger, eksperte konsulente për fondet e financimeve.

Në krijimin e një strukture më të shëndetshme investimesh, sipas saj, donatorët (investitorët) nuk duhet të ndryshojnë tërësisht, por duhet të rregullojnë modelin e kreditimit që promovojnë. Që të jenë më të përgjegjshëm, “investitorët në sektorin financiar nuk duhet t´i përmbahen prirjes për t´u rritur, por duhet të vënë theksin më shumë në mbrojtjen e konsumatorëve dhe edukimin financiar. Duhet të shikojnë se ku mund t´i nxisin kreditë e vogla dhe të jenë më konkurrentë”. Për ekspertët e ekonomisë, kreditë e vogla janë ende të rëndësishme për tregjet e Ballkanit, të cilat kanë nevojë për investime të huaja.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, u shpreh javën e kaluar në konferencën vjetore të EFSE për Mikrokredinë se, kreditimi i huaj është i rëndësishëm dhe rritja e kredive të vogla duhet parë si një mundësi drejt nxitjes së prodhimit dhe rritjes së eksporteve.

Financimi i përgjegjshëm, sipas Fullanit, vjen përmes promovimit të stabilitetit financiar, rritjes së transparencës dhe edukimit të publikut.

Mikrofinanca në vend rritet me ritme më të ulëta

Pas tkurrjes së kreditimit nga sistemi bankar vitin e kaluar, investimet në institucionet mikrofinanciare në tregjet botërore ishin të kënaqshme, sipas të dhënave të CGAP (Qendra e Kërkimeve për Aksesin Financiar të Botës së Varfër). Sipas të dhënave, totali i aktiveve të investuara në sektorin e mikrofinancës arriti deri në fund të vitit të kaluar në gati 70 miliardë dollarë, rreth 16.6% më shumë se një vit më parë.

Megjithatë në tregun shqiptar të investimeve financiare, portofoli i mikrokredisë, i cili është shumë herë më i ulët se ai i sektorit bankar, nuk arriti të shfrytëzojë sa duhet tkurrjen e kredisë nga bankat.

Sipas të dhënave të Shoqatës së Institucioneve të Mikrokredisë (MISH), për vitin që shkoi, institucionet e mikrokredisë dhe kursim-kreditit në Shqipëri e rritën stokun e kredisë me bazë vjetore me vetëm 2.4%. Stoku i kredisë në fund të vitit 2009, për këto shoqëri (Fondi Besa, Unioni Kursim Kredi, Unioni Jehona, Opportunity, Fondi i Zhvillimit i Zonave Malore) ishte 147 milionë euro.

Një rritje më të lartë shënoi në vitin që shkoi totali i aktiveve në zotërim të shoqërive të mikrokredisë, duke shkuar në kuotën 179.4 milionë dollarë, rreth 10% më shumë nga sa zotëronin një vit më parë. Në po këtë masë u rrit gjatë vitit të kaluar numri i klientëve, të cilëve u kanë shërbyer këto kompani. Për vitin 2009, numri total i tyre ishte 55,727.

Tregu i mikrokredisë konsiderohet me rrezik të lartë dhe ka një kosto të lartë administrative (duhen shumë oficerë kredi për të ndjekur huat e vogla) dhe kjo i ka mbajtur larg bankat, që janë përqendruar më shumë tek klientët e mëdhenj. Pro Credit (ish institucioni mikrofinanciar FEFAD) ka qenë e vetmja bankë e përqendruar në mikro kredi, por që gradualisht e ka zgjeruar fokusin e saj drejt huavemë të mëdha. Ndërsa Credins vitet e fundit i është afruar tregut të mikrokredisë. Që prej fillimit të këtij viti, kjo bankë ka futur një produkt për fushën e biznesit agrar. E orientuar kryesisht për prodhimin bujqësor, ajo është një mikrokredi deri në 3 milionë lekë (25 mijë euro) dhe varion me interesa nga 17-25% në lekë.

EFSE: Investimet rurale, mundësia në Shqipëri

Drejtuesit e Fondit të Investimeve për Europën Juglindore, EFSE, mendojnë se mundësitë më të mira për mikrokredinë në Shqipërinë janë investimet në zhvillimin rural dhe prodhimin bujqësor. Ekspertja pranë EFSE, Milena Bertman, u shpreh për “Monitor” se “ne presim të zgjerojmë veprimet tona në Shqipëri. Ne mendojmë se në Shqipëri ka një klimë të shëndetshme dhe shikojmë që ka një treg të madh të pambuluar në hapësirat lokale, ku ka një kreditim të niveleve të vogla. Në këtë drejtim ne mendojmë se mund të bëjmë diçka më shumë. Ne shikojmë se ka shumë mundësi për kreditim veçanërisht për zhvillimin rural, por edhe në sektorin e prodhimit bujqësor përmes investimeve në makineri, si traktorë etj.”.

EFSE ka disbursuar fonde për institucionet financiare që japin kredi të vogla në tregun shqiptar, vetëm prej pak më shumë se një viti, ndaj vlera e investimeve të EFSE në vendin tonë është më e ulët se në vendet fqinje.

Sipas të dhënave të EFSE, në portofolin e saj të investimeve sipas vendeve, Shqipëria zë vetëm 4% të tyre. Bosnjë-Hercegovina zë peshën më të madhe në portofolin e këtij fondi me 27% të investimeve.

Gjithsej, që nga krijimi i këtij fondi investimesh në sektorin e mikrofinancës (dhjetor 2005) deri në dhjetor të vitit të kaluar, EFSE ka ofruar një total prej 684 milionë eurosh në financimin e bankave tregtare, në banka që kreditojnë sipërmarrje të vogla dhe në institucione të mikrofinancës në rajonin e Europës Juglindore.

EFSE shton investimet në rajonin e Ballkanit

Fondi Europian për Europën Juglindore nënshkroi gjashtë marrëveshje kredie javën e kaluar me institucionet financiare që operojnë në vende të Europës Juglindore. Kreditë u nënshkruan me banka që operojnë në tregun financiar serb, atë të Malit të Zi, Armenisë e Bjellorusisë, me vlerë prej afro 30 milionë eurosh.

Dr. Klaus Glaubitt, kryetar i Bordit të Drejtorëve të EFSE, u shpreh se, “sipërmarrjet e vogla në juglindje të Europës, duke përfshirë edhe rajonin e afërt me Europën Lindore, po përballen me shumë sfida në financime afatgjata, që mund të kenë një normë interesi të arsyeshme. Këto investime do të krijojnë më shumë mundësi kreditimi të ndërmarrjeve të vogla, çka është e rëndësishme për ta kthyer ekonominë në rrugën e rritjes pas pasojave të krizës financiare”.

Sipas tij, “është jetësore për ekonomitë të sigurojnë sipërmarrjet e vogla se kanë akses në linjat e kreditimit. EFSE do të bëjë pikërisht këtë,me 900 milionë euro financim që kemi parashikuar t´u japim institucioneve financiare në Europën Juglindore në pesë vitet e ardhshme, për të rritur sipërmarrjet e vogla në rajon”. Sipas tij, kjo do t´i lejojë EFSE të lehtësojë 2.3 miliardë euro në 350 mijë kredi të reja”.

2010: Pritshmëri më të mira për mikrofinancën

Ky vit pritet të jetë më mirë për fondet e investimeve në sektorët e ndërmarrjeve të vogla e të mesme në tregjet botërore, sipas CGAP, me një rritje që parashikohet të jetë në masën 15% krahasuar me vitin që shkoi. Megjithatë norma e fitimit për të njëjtat të ardhura pritet të jetë më pak se 3%. Sipas ekspertëve të CGAP, menaxherët e aktiveve po rishikojnë mundësinë e rritjes së fondeve, duke u përqendruar në investime të reja dhe në menaxhimin e riskut.

Fondet e mikrofinancës mund të kenë nevojë për rrugë të reja investimesh, si zgjerimi në tregjet e reja, si p.sh. në Afrikë dhe Azi, duke investuar në monedhën vendase, duke mbajtur një pozicion të paanshëm ose duke u shtrirë përtej fushave të investimeve kryesore aktuale.

Fondet e investimeve rriten gjatë 2009-s

Ndërsa rritja u ndalua gjatë vitit 2009 në shumë tregje të mikrofinancës, aktivet e dhjetë institucioneve kryesore që investojnë në këtë sektor financiar u rritën me 23%, sipas të dhënave të CGAP (Grupi Këshillues për të Asistuar të Varfrit).

Gjithsesi, të ardhurat financiare ranë dhe instrumentet e investimit në mikrofinancë u gjendën përballë sfidave, përfshirë këtu edhe riskun e rritur të kredisë dhe shqetësimin se ku të vendosin paratë e tyre.

Sipas analistëve të CGAP, sektori i mikrofinancës mbetet tërheqës për investitorët. Aktivet totale të dhjetë fondeve kryesore të investimeve në mikrofinancë arritën 3.6 miliardë dollarë në fund të vitit 2009, duke pësuar rritje prej 31% gjatë vitit 2008 e 23% në vitin 2009. Për shembull, Fondi ASN Novib, i cili përfshin veçanërisht investitorë të vegjël, u rrit me 40% gjatë vitit të kaluar. Sipas një studimi të prezantuar në konferencën vjetore të EFSE (Fondi Europian për Europën Juglindore), investitorët institucionalë kanë ruajtur, madje kanë rritur pjesën e tyre mikrofinanciare. Për të shpjeguar këtë, ekspertët e CGAP sjellin si shembull interesin e lartë të EFSE, i cili është i rezervuar kryesisht për aksionerët e institucioneve private, që ka arritur në vlerën 382 milionë euro në fund të vitit 2009.

Sipas studimit të CGAP, sektori privat ka provuar të lehtësojë efektin e krizës financiare, duke qëndruar aktivë në investimet në mikrofinancë.

Në fillim të vitit të kaluar, Fondi Monetar Ndërkombëtar (IFC) dhe Banka e Qeverisë Gjermane për Investime (KFW) hodhën rreth 250 milionë dollarë për të ndihmuar zgjerimin e fushës së mikrofinancës, duke ndihmuar institucionet mikrofinanciare të rifinancojnë borxhet e tyre. Deri më tani janë disbursuar 87.5 milionë dollarë.

Tetë fonde të investimeve në sektorin e kreditimit për bizneset e vogla dhe të mesme janë krijuar në vitin 2009 dhe tri të tjera pritet të fillojnë të hidhen në treg gjatë këtij viti.

Mungesa e mundësive për investime rriti nivelin e cash-it në sektorin e mikrofinacës

Vitin e kaluar, disa tregje të mikrofinancës të profilit të lartë u përballën me probleme të ashpra të krizës dhe në shumë rajone u përballën me rritje të kredive të këqija.

Studiuesit e këtij sektori theksojnë se, shumë institucione të mikrofinancës po forcojnë politikat e tyre të mëparshme dhe po ulin rritjen. Kërkesa për borxhin e jashtëm ra dukshëm në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, sipas CGAP. Si rezultat, dhjetë fondet kryesore të investimeve në mikrofinancë u rritën me vetëm 12% gjatë vitit të kaluar, duke u krahasuar me një rritje të aseteve prej 23%.

Bien fitimet nga të ardhurat fikse

Për vitin 2009, Indeksi i Investimeve (kreditimit) në ndërmarrjet e vogla shënoi një ndër nivelet më të dobëta që nga krijimi i këtij indeksi, me një rënie të yelld-it në nivelin 3.08% në dollar dhe 2.06% në euro, krahasuar respektivisht me 5.95% dhe 5.55% në vitin 2008. Sipas ekspertëve të CGAP, “rënia është pasojë e disa faktorëve, një ndër të cilët është se, fondet financiare janë angazhuar për të ndërmarrë disa masa për të mbuluar humbjet e mundshme në tregjet me probleme”.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of