Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese zhvilloi një seancë për Raportin e Komunitetit të energjisë elektrike.
Pjesë e këtij takimi ishte edhe Drejtori i Sekretariatit Ndërkombëtar të Energjisë, Janez Kopac.
Në fjalën e tij, ai fillimisht thekson se ERE duhet të jetë e pavarur si institucion dhe se s’mund të ndryshojë sa herë ndryshon qeveria.
“Sektori i energjisë është gati i falimentuar për shkak të mbledhjes së dobët të borxheve, keqorganizimit dhe çmimeve të rregulluara, të cilat nuk reflektojnë kostot. Të gjitha këto reforma në fund besoj se do të sjellin rritje të çmimit, të pakten për disa konsumatorë. Kjo sigurisht është e dhimbshme për ta, por pa trajtimin e duhur sektori do të falimentojë dhe kjo do të ishte e dhimbshme për të gjithë.
Edhe ulja e humbjeve të energjisë, nuk mund të shmangë rritjen e
çmimit për dy arsye, sipas drejtuesit te sekretariatit të energjisë: së pari humbjet nuk mund të ulen menjëherë dhe së dyti, çmimi aktual është i ulët sipas tij dhe nuk është në vlerën reale të çmimit.
Ndërkaq, ai vijon: “Në 4 vitet e fundit deri më tani, Shqipëria nuk ka bërë asnjë reformë në sektorin energjitik. Është nevojë emergjente rregullimi i çmimit të energjisë dhe rritja në çmimin e energjisë elektrike”
Sektori i energjisë, sipas Kopac, është gati i falimentuar, për shkak të çmimeve dhe se duhet vendosur një treg i qëndrueshëm energjitik.
Në fund të fjalës së tij, Kopac ka theksuar se bisedimet e Shqipërisë më CEZ mund të bëhen me ndërmjetësimin e komitetit të Energjisë të Austrisë, duke shmangur kështu që reformat të mbeten peng.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.