Drejtuesit e së ardhmes? Duhet të jenë të çmendur

27/11/2017 4:38 PM 0 komente

Drejtuesit e së ardhmes duhet të jenë të “çmendur”! Me këtë nënkuptohet se ata duhet të zgjerojnë horizontet, pa u ndalur përpara pengesave. Po flasim për ata që janë gati të rrezikojnë, duke shkuar kundër paragjykimeve të kulturës tradicionale.

Ky është përfundimi i seminarit “Leading in the digital era”, i organizuar nga Impact – Creative Change, kompani ndërkombëtare dhe e pavarur, që vepron prej 20 vjetësh në sektor – duke mbështetur ndryshimin dhe zhvillimin e njerëzve, ndër ta drejtues të shumë kompanive si Eni, Fideuram, EY, Coesia, Eon, Piaggio, Azimut, WindTre, FAO, Exxon Mobil, Pirelli , Gruppo Espresso, Ferring Pharmaceutical, BNP Paribas etj.

Për më shumë, lexoni më poshtë intervistën e Giuseppe Florimonte, përfaqësues i Impact Italia

Mbi ç’bazë është arritur ky përfundim?

Shumë studiues mendojnë se, nëse drejtuesit merren kryesisht vetëm me organizimin e punës, kontrollin, menaxhimin dhe ndarjen e burimeve si njëherë e një kohë, janë të destinuar të zhduken. Dhe do të zëvendësohen nga Inteligjenca artificiale. Kjo, në njëfarë kuptimi është duke ndodhur në disa kompani, si për shembull Uber, por edhe Deliveroo, që vetëregullohen nga aplikacione që veprojnë sikur të ishin njerëz.

Çfarë duhet të bëjë një drejtuesi i ri?

Së pari është e vështirë të mendosh sot një drejtues pa aftësi teknologjike bazë. Nuk po themi që duhet të bëhet një ekspert i gjithë teknologjive që ekzistojnë. Por që të vlerësojë nëse idetë janë të mira ose më pak të tilla, nëse mënyra e të bërit biznes mund të ndryshojë shpejt, duhet të jetë në të njëjtin hap me atë që është nga pikëpamja teknologjike. Ndryshimi dixhital po i vë në një sprovë të vështirë bizneset tradicionale, por ju duhet t’i përqafoni “mundësitë dixhitale”.

Cilët janë elementet e nevojshme për t’ia dalë mbanë?

Së pari, krijoni një frymë bashkëpunimi, ose ndryshe një mjedis ku njerëzit t’i besojnë njëri-tjetrit, ku të vënë në dispozicion energjitë e tyre, idetë, të ndihen të lirë të shprehin mendimet e tyre.

Së dyti krijoni një mentalitet dixhital, pasi duke parë ndryshimet e vazhdueshme, duhet të kërkoni gjithnjë zgjidhje të tjera, si nga brenda kompanisë, por duke monitoruar edhe se çfarë ndodh jashtë.

Së treti, krijoni një qëllim të vetëdijshëm, me fjalë të tjerë bëjini njerëzit të vetëdijshëm se çfarë po bëjnë dhe përse po e bëjnë një gjë të tillë, duke nxitur dëshirën për të menduar për nevojat e klientëve, për t’i kënaqur ata dhe për të mos i humbur. E gjitha kjo duke u shkëputur nga shprehja tipike “kemi bërë gjithnjë kështu”.

Së katërti, kapërceni frikën e natyrshme që vjen nga teknologjia dhe përqafoni mundësitë. Drejtuesi nuk është ai që di më shumë. Ai duhet të bëjë bashkë njerëzit, t’i nxisë të flasin, të vlerësojë edhe më të rinjtë, që kanë aftësi në teknologji, por s’kanë përvojë. Duke u përqendruar në kërkimin dhe gjetjen e horizonteve të reja, të suksesshme,

Së pesti, përpiquni që të nxirrni në pah talentin e personave, duke i mbështetur dhe duke i nxitur ata ndaj kreativitetit.

Çfarë këshilloni për këtë?

Që të përvetësoni konceptin fail fast (dështoni shpejt). Mendoni se gabimet ju shërbejnë që të ecni përpara. Provoni risitë, testojini ato, përshpejtojini, që t’i kuptoni gabimet sa më shpejt të jetë e mundur. Duke qëndruar në një vend nuk do të shkoni asgjëkundi.
Drejtuesit e lartë duhet të jenë të gatshëm të përqafojnë inovacionin dhe diversitetin në të bërit e gjërave. Me marrëzi! Duke lënë mënjanë përvojën, duke dëgjuar edhe ata që janë më pak ekspertë, duke rrezikuar dhe duke qenë të gatshëm të gaboni. Mos ndiqni më të njëjtën rrugë që ka çuar drejt suksesit kompaninë tuaj dhe vetë ju. Evoluoni!

Cili duhet të jetë modeli i ri i leadership-it?

Kur flasim për leadership, nuk nënkuptojmë vetëm një leadership që prek vetëm rolet drejtuese, por të jetë sa më shumë i përhapur. Drejtuesit duhet të krijojnë gjithnjë e më shumë persona të aftë të shfaqin kompetenca drejtuese rreth tij.
Pasi për të gjetur strategji të reja, duhet vënë në pikëpyetje pak nga gjithçka, mbi të gjitha ajo që nuk funksionon.

Si do të ndryshojë puna e drejtuesve?

Skenarin më të keq e shfaq kopertina e revistës “The New Yorker” (më 23 tetor) ku mund të shikohet një botë e frikshme, me robotë që kalojnë në rrugë duke i dhënë lëmoshë një qenie njerëzore.

Të gjithë jemi pak të frikësuar nga e ardhmja dhe nga Inteligjenca Artificiale, madje edhe Elon Musk, bashkëthemelues i PayPal dhe drejtues i Tesla. Por shpresoj që kopertina të jetë thjesht një provokim për të na kujtuar se njeriu duhet të jetë gjithnjë në qendër.

 

Burimi: Business Insider

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz