Dronët dhe Industria 4.0, tre problematikat më të mëdha

13/11/2017 1:36 PM 0 komente

Kohët e fundit, kompani të mëdha ndërkombëtare, si Amazon, Domino’s Pizza dhe UPS, bashkë me shumë Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme, po financojnë kërkimin për dërgesat e bëra me dronë autonomë.

Problematikat për zhvillimin e kësaj teknologjie janë të shumta. Pengesa kryesore për përdorimin masiv të dronëve në Industrinë 4.0 lidhet me rregulloren e fluturimit të dronëve.

Fluturimi i dronëve për dërgesa, pa një kontroll të drejtpërdrejtë, në zonat e trafikut ajror nuk lejohet dhe vështirë se do të jetë i tillë në një kohë të afërt. Ndër të tjera, ligjet për përdorimin e dronëve shpesh ndryshojnë nga një shtet në tjetrin dhe për një kompani të madhe, miratimi i një sistemi unik dërgesash të dronëve në të gjithë botën rezulton i pamundur.

Megjithatë duhet thënë se në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada është punuar fort kohët e fundit për të gjetur kompromisin mes sigurisë dhe lartësisë së fluturimit të dronëve dhe nuk duhet të përjashtohet mundësia që në një të ardhme të afërt, këto pajisje të kenë më shumë liri.

 

Dronë për dërgesa

Një pengesë për vënien në praktikë të dronëve-korrierë është edhe zhvillimi i një teknologjie të besueshme. Duhet të kemi në konsideratë se gjithsesi bëhet fjalë për katër motorë të vegjël që dërgojnë pako dhe duhet të gjejnë një shtëpi se ku ta lënë atë e pastaj të kthehen pas. Amazon është kompania që ka bërë më shumë hapa përpara në këtë drejtim.

Aq sa kompania e famshme e-commerce ka prezantuar një patentë për një dron të pajisur me Inteligjencë Artificiale që mund të “bisedojë” me një person. Megjithatë skeptikët ngrenë disa pyetje: çfarë ndodh nëse pakoja shkëputet dhe bie nga droni, po sikur droni të ngatërrojë adresë, po sikur ndonjë haker të marrë drejtimin e dronit dhe më pas të vjedhë pakon?

Deri sa kompanitë të mos i japin zgjidhje këtyre çështjeve, vështirë se do të shohim dronë që do të bëjnë dërgesa.

 

Organizimi i dërgesave

Një tjetër problem është edhe koha e nevojshme për të organizuar dërgesën e radhës. Në Massachusetts Institute of Technology (MIT) kanë gjetur një zgjidhje. Duke përdorur RFID (Radio Frequency Identification) për të identifikuar produktin, droni shkon vetë në magazinë, merr pakon dhe më pas niset për të kryer dërgesën në autonomi të plotë.

 

Dronët industrialë

Në Industrinë 4.0, dronët do të përdoren kryesisht në fushën e energjisë, transportit dhe inxhinierisë civile. Përdorimi i një droni industrial nuk është kaq i lehtë për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM). Sipas rregullores europiane duhet të ndiqen disa udhëzime të veçanta, mbi të gjitha kur flitet për peshën dhe zonën e fluturimit. Diskutimi ndërlikohet kur droni duhet të veprojë në situata të veçanta, si për shembull në zona ku ka ndodhur një fatkeqësi natyrore apo të ndotura nga substanca kimike. Për të manovruar një dron industrial kuptohet se duhet të pajisesh me një licencë të veçantë.

Për këtë arsye ekzistojnë nivele të ndryshme që identifikojnë dronët në varësi të karakteristikave të tyre. Në punët e nivelit 1, droni duhet të ketë një GPS, një sensor shpejtësie dhe një videokamerë. Në nivelin 2 është i nevojshëm një sistem i kontrollit të fluturimit dhe një stabilizator, një marrës videosh si dhe një për të dhënat e telemetrisë. Në nivelin 3, droni duhet të kontrollohet nëpërmjet PC apo smartphone.

Por cili është problemi kryesor i këtyre pajisjeve fluturuese? Siguria. Për fat të keq, mund të hyhet lehtë në sistemet e komunikimit të dronëve. Deri tani janë regjistruar raste të ndryshme nga hakerat që i kanë rrëzuar dronët duke shkaktuar jo pak probleme në rendin publik. Për të mbrojtur dronët është e rëndësishme të ndryshojmë fjalëkalimin e paracaktuar, duke vendosur një fjalëkalim të ndërlikuar dhe duke përdorur një sistem sigurie si WPA2.

 

Robotët industrialë

Kohët e fundit, robotët, falë edhe Inteligjencës Artificiale po bëhen gjithnjë e më shumë autonomë. Dhe për këtë arsye janë ndër makineritë më të rëndësishme për zhvillimin përfundimtar të Industrisë 4.0.

Ndërveprimi midis njeriut dhe makinës do të jetë vendimtar për t’u mundësuar punonjësve të bëjnë më mirë punën e tyre, edhe pse tema e humbjes së vendeve të punës mbetet gjithnjë aktuale. Megjithatë, edhe robotët kanë problemin e madh të sigurisë informatike.

Edhe në këtë rast, ashtu si për pjesën më të madhe të teknologjive të reja, për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme do të jetë vendimtare të parandalojnë çdo lloj sulmi kibernetik.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz