Flet Dekani i Fakultetit të Bujqësisë në Universitetin e Korçës Gjergji Mero
Strategjitë nuk duhet të ndryshojnë në mënyrë të shpeshtë dhe të shpejtë, për t’iu dhënë mundësi fermerëve që të orientohen dhe të zhvillohen siç duhet. Për ekspertin Gjergji Mero, njëkohësisht dekan i Fakultetit të Bujqësisë në Universitetin e Korçës “Fan S. Noli”, ajo që duhet të bëhet është orientimi më i mirë i fermerëve drejt kulturave që duhen mbjellë dhe kjo të bëhet në mënyrë graduale.
Ai sjell në vëmendje rastin e mollëve, ku jo në të gjitha rastet janë mbjellë ato që kërkohen nga tregu. Lidhur me situatën e fermerëve në Orman të Korçës, Mero shprehet se ka nevojë për një studim të mirëfilltë për të zgjedhur kulturën që mund të këtë leverdi. “Aty te ajo zonë duhet bërë një studim për të parë përveç patates a shkon gjë tjetër.
Dhe nëse nuk shkon, atëherë nuk mund t’i vdesësh ata banorë por do t’u thuash që do të mbjellin patate dhe ne do të gjejmë tregun ose do të bëjmë kontratë”, – shprehet Mero. Por, sipas tij, për të krijuar këtë lloj marrëdhënie duhet bashkim i fermerëve që sot për sot është sfida më e madhe e sektorit.
Këto kohë ka pasur një fokus të veçantë te Bujqësia nisur edhe nga Skema Kombëtare e Mbështetjes, si dhe problematikat që e shoqërojnë sektorin. Ju si Universitet Bujqësor, a ju është kërkuar mendim për politikat, produktet apo masat që mund të merren për zonën e Korçës?
Këtë vit kemi qenë më të angazhuar sesa vitet e tjera, sepse na janë kërkuar mendime dhe na është ofruar një kërkesë nga Kryetari i Bashkisë së Korçës dhe bashkive të tjera që ka qarku, që të bëjmë një strategji për zhvillimin e bujqësisë në këtë rajon. Deri diku, ne kemi bërë një strategji tonën, të cilën edhe ua kemi paraqitur. Kemi bërë edhe një takim me kreun e bashkisë dhe disa pedagogë të fakultetit, ku na u kërkua mendim rreth transferimit të teknologjisë bujqësore tek fermerët dhe marrjen përsipër nga Fakulteti i Bujqësisë të shërbimit të ekstensionit dhe shërbimit këshillimor. Kjo është diçka pozitive.
Deri më tani, këtë e bënte Drejtoria e Bujqësisë, por nuk kishte specialistë të mirëfilltë. Korça ka fatin që ka një fakultet bujqësor dhe duhet ta shfrytëzojë, siç ka Tirana, Universitetin Bujqësor të Kamzës. Kjo pjesë tashmë është pranuar nga palët dhe jemi para një tjetër nisme të mundshme për një studim fizibiliteti të fushës së Korçës, me fokus rajonizim të disa kulturave. Në Konferencën Kombëtare të Bujqësisë, që u zhvillua në Tiranë, ne kemi dhënë disa mendime për sektorin, por për atë listën me 15 produkte që do të mbështeten nga skema nuk na është kërkuar mendim, pasi konsultimi është bërë me Universitetin Bujqësor të Kamzës. Nuk është se ne kemi qenë pro apo kundër atyre produkteve që janë dhënë.
Nga ajo listë që tani është bërë publike, a ka produkte që duhet të prioritarizohen në Korçë?
Për mendimin tim dhe të kolegëve, padyshim që pemëtaria është prioritet, sepse Korça e ka pasur traditë dhe është zhvilluar shumë kohëve të fundit, ashtu sikurse bimët mjekësore që është një treg eksporti shumë i mirë. Po kështu, edhe disa nga perimet janë të drejta. Pastaj për pjesën tjetër duhen parë më në detaj. Ka lindur tani së fundmi ky problemi me pataten e Ormanit, që thonë se nuk tregtohet. Faktikisht duhet pasur kujdes që politikat që ndërmerren apo masat të mos hyjnë menjëherë në zbatim. Ajo zonë e kishte mbjellë atë patate dhe nuk e dinin që në strategjinë e re, patatja nuk është në prioritet dhe mund të mbetet e pashitur. Pra duhen bërë hap pas hapi ndryshimet, duke i paralajmëruar që të mos mbjellin në rastin e Ormanit pataten, sepse ajo nuk është prioritet dhe tregu i huaj ta sjell me 10-20 lekë. Kjo nuk është bërë. Fermerët investojnë dhe prodhimi iu mbetet pa shitur.
Fermerët kanë nevojë edhe të orientohen, sepse po mbjellin tani pemëtari apo kanë pemëtore që i kanë mbjellë para ca vitesh dhe mollët nuk janë nga ato që kërkon tregu. Janë në disa raste varietete që nuk janë shumë të preferuar. Të investosh në pemëtore dhe më pas t’ju thuash që nuk janë të duhurat për tregun, janë vite të tëra, 5-10 vite, dhe ndaj do një strategji pak më afatgjatë, jo një sot për nesër. Patatja është diçka që e mbolle sot e merr prodhimin këtë vit, pemëtaria do vite të tëra dhe ndaj kjo thirrja për të mos mbjellë patate ju erdhi disi e papritur fermerëve të kësaj zone.
Gjithsesi produktet që janë futur në listën e 15 bimëve që do subvencionohen për Korçën janë të përshtatshme. Mbjellja e mollëve është sot një aktivitet kryesor në zonën e Korçës, ndërkohë që ka shumë nga ata që po investojnë tek bimët mjekësore dhe ia kanë ndier leverdinë, madje ka dhe grumbullues mjaft të fuqishëm. Blegtoria gjithashtu ka një ecuri pozitive. Ka dhe një nismë të bashkisë që do pilotohet në dy fshatra për të nxjerrë blegtorinë jashtë fshatit duke subvencionuar stallat, sepse ka filluar ndotja me pleh i fshatrave duke mbajtur kafshët pranë familjes.
Nuk është e vështirë që t’i thuash një korçari që atë që e ka konsideruar deri më dje si avantazh konkurrues apo traditë, ta lërë pa mbjellë?
Është e vështirë edhe për ne që jemi specialistë për t’ua thënë. Ata në Orman, për shembull, tradicionalisht kanë kultivuar patate. Në këtë zonë nuk e di në do të jetë e suksesshme pjesa e kultivimit të mollës sepse është një pikë e ulët e fushës së Korçës dhe këtë e konfirmojnë edhe ata me përvojën që kanë pasur. Në Sheqeras, temperatura arrin dhe -10 gradë. Por mund t’i orientosh për diçka tjetër nëse patatja nuk është në prioritet.
Sipas mendimit tuaj, a duhet të jetë prioritet patatja?
Mund të jetë dhe duhet të jetë, por duhet bërë një vlerësim sa është prodhimi dhe të vihen në dijeni nëse s’ka treg, sepse ne nuk mund eksportojmë, pasi nuk konkurrojmë dot me çmim. Patatja në tregun botëror ka prekur edhe nivelin 15 lekë kur fermerit tonë s’i del në kosto kaq.
Aty tek ajo zonë duhet bërë një studim për të parë përveç patates, a shkon gjë tjetër. Dhe nëse nuk shkon, atëherë nuk mund t’i vdesësh ata banorë, por do t’u thuash që do të mbjellin patate dhe ne do të gjejmë tregun ose do të bëjmë kontratë. Ata prodhojnë shumë si zonë. Madje ka familje që prodhojnë me mijëra kuintalë. Problemi që shoh unë lidhet me mungesën e të dhënave të sakta, historikun e prodhimit, mollë apo patate dhe çdo produkt tjetër.
Duke mos pasur këtë bazë të dhënash, ne nuk japim dot siguri për prodhimin e vitit pasardhës që të bëhen edhe kontrata paraprake. Kjo mungesë informacioni bën që asnjëherë të mos bëhen kontrata dhe ne punojmë pa kontrata. Këtë vit ishte rastësi që nga moti, Polonia, Rusia e disa vende të tjera, për shkak të kohës nuk patën prodhim të mollës dhe tërhoqën gjithë mollën e Korçës nga tregu ynë me çmim të lartë. Këtë vit, me shumë gjasa do të mbjellin të gjithë mollë.
Pastaj ka dhe një ngërç që lidhet me faktin që nuk e kemi produktin e certifikuar. E dyta nuk konkurrojmë dot me Greqinë dhe Italinë që janë vende të BE-së. E vetmja konkurrencë që mund të bëjmë është me Kosovën dhe Maqedoninë, por edhe ato kanë prodhim të lartë. Madje patatet e Kosovës dhe mollët e Maqedonisë janë më të lira dhe me shumicë. Problemi me Ormanin lidhet me faktin që aty toka është më e përshtatshme për pataten dhe ata ia kanë parë leverdinë vit pas viti, por këtë herë goditja ka ardhur nga çmimi i lirë me të cilin erdhi patatja nga jashtë.
A kemi sot kultivarë autoktonë të patates apo janë të ardhur nga jashtë?
Jo nuk kemi kultivarë autoktonë. Ka pasur disa që i kishim rajonizuar dhe u kishim vënë emra shqiptare “Adela”, “Mariela”, por edhe ata nuk ishin 100 për qind shqiptarë. Patate vendi, nga ajo që ka qenë e vjetër e para 20-30 vitesh, nuk ekziston më. Janë të gjithë të përmirësuar. Shishtaveci ka pasur një kultivar autokton dhe Stëbleva dhe më duket se e kanë ende. Korça më shumë mbjell një “Salut” që nuk është tërësisht e verdhë.
Ju përmendët pjesën e kontratës. Si mund të nxitet kjo? Ka leverdi një tregtar që të vijë të lidhë kontratë në këtë zonë?
Ka leverdi, por çështja apo problemi kryesor është që fermerët nuk gjejnë gjuhën e përbashkët. Nuk bashkohen të paktën në shitje. Po nuk u bënë shoqatë asnjëherë, nuk do të arrijnë dot të negociojnë siç duhet. Unë do t’ju sjell rastin e Dvoranit me qershitë. Para dy vitesh kishte një prodhim të madh dhe të gjithë familjet kanë në pronësi plantacione me qershi. Erdhi një tregtar nga Palestina dhe një nga Izraeli dhe morën dy kamionë me nga 30 tonë qershi. Pas kësaj, ata kërkuan që të shihej mundësia e kontratës, sepse zona ka prodhim të konsiderueshëm, por vunë si kusht që të gjendej një grumbullues në mënyrë që negociata të mos bëhej familje më familje.
Pra dikush duhet ta grumbullojë në një pikë grumbullimi, me frigoriferë të mëdhenj. Dolën dy grumbullues që të bënin këtë proces, por askush nga fshati nuk ua shiti, duke i kthyer pas me fjalën se do ta shesim vetë se fitojmë më shumë. Është çështje mentaliteti, nuk ua mbushim dot mendjen që të bashkëpunojnë dhe kur themi të bashkohen, nuk po flasim që nga fillimi që është kultivimi, por në tregtim. Nëse nuk arrihet kjo, nuk ka ç’bën më as shteti, as qeveria, as bashkia, as ekspertët. Kur kërkohet të lidhet një kontratë kërkohen mijëra tonë prodhim dhe fermerët të ndarë nuk e plotësojnë dot këtë kriter.
Pastaj është edhe problemi tjetër i parcelizimit. Që të kesh prodhim të madh duhet të kesh sipërfaqe të madhe. Ne i kemi nga 5 dynymë maksimumi parcelat me një copëzim të jashtëzakonshëm, si mund ta bësh këtë parcelë të kultivueshme me një teknologji moderne, ashtu siç duan grosistët për pataten apo çdo kulturë tjetër. Njëri fermer e mbjell tjetri jo, njëri mbjell misër, një patate një presh. Ndarja e tokës në këtë formë ka prishur shumë punë dhe është e vështirë t’i bësh bashkë në prodhim dhe shitje.
Po pjesa e certifikimit luan rol, si mund të zgjidhet?
Po luan shumë rol, sepse ne nuk dalim dot me logon tonë, produktin tonë, i cili është i standardizuar dhe etiketuar. Ne si Fakultet i kemi thënë disa herë që kemi mundësi të bëjmë analiza, madje laboratori i agroushqimit është shumë modern dhe mund të bëjë analizat e bimëve dhe frutave, por këtë nuk e kërkon kush se tregtojnë brenda vendit, nuk vjen askush t’i bëjë analizat.
Pati edhe disa pika të grumbullimit të ndërtuara para 7-8 vitesh me një fond suedez, në Korçë, fshatin Plasë dhe në Devoll ku synohej të bëhej grumbullimi i produkteve bujqësore, por prej atyre katër nuk vu në punë. U lanë hapur për disa kohë, sepse financiarisht i mbështesnin donatorët për disa vite. Fermerët nuk çonin produkte, duke vijuar me mentalitetin “e shes vetë”. Ajo e Bilishtit është prishur, kjo në Plasë është kthyer në tjetër funksion.
Edhe rajonizimi i kulturave në Korçë, përjashto pemëtarinë, është vështirë për ta përqendruar dhe ta vësh në një zonë të caktuar siç ka qenë më parë. Mbjellin nga pak nga të gjitha se i duan edhe për konsum vetjak. Të paktën këtë vit lamë pas dhe aktualin vëmë re se Ministria e Bujqësisë ka filluar afrohet me fermerin, po inventarizon, po tërheq mendime por sesa do të bëhet konkretisht për fermerin mbetet për t’u parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.