Flet Will Price, ekspert i lartë i tregjeve financiare në Grupin e Bankës Botërore
Si e vlerësoni tregun e pensioneve private vullnetare në Shqipëri dhe si është zhvilluar ai në krahasim me vendet e tjera të rajonit?
Tregu i pensioneve private vullnetare në Shqipëri është ende në një fazë të hershme zhvillimi. Legjislacioni më kryesor në këtë fushë i përket jo më larg por vitit 2009. Prandaj, numri i anëtarëve dhe aktiveve në administrim është relativisht i vogël, por me rritje të shpejtë. Fakti që ky zhvillim u përket relativisht kohëve të fundit do të thotë se legjislacioni dhe rregullimi janë përgatitur duke pasur në mendje parimet moderne. Dhe, me paketën më të fundit të planifikuar të ndryshimeve, do të ishte në përputhje me shumë standarde ndërkombëtare, përfshirë edhe direktivën e BE-së për pensionet. Pra kjo përbën një themel të mirë për rritjen.
Shqipëria po fillon nga një bazë shumë e ulët sa u takon aktiveve në administrim, në krahasim me shumicën e vendeve të tjera. Aktivet gjithsej vazhdojnë të jenë nën nivelin 1% të PBB-së, dhe shumë më poshtë se niveli i përkufizuar nga OECD si një sistem i konsoliduar pensionesh, ku aktivet e pensioneve përbëjnë mbi 20% të PBB-së, një shifër të cilën e kanë kaluar 13 nga 34 vende anëtare të OECD-së. Pensionet private në vende si Mbretëria e Bashkuar apo Vendet e Ulëta kanë shumë dekada që ekzistojnë krahas pensioneve publike. Sikurse parashtrohet në dokumentin e bardhë të BE-së (2012) “Një program për pensione adekuate, të sigurta dhe të qëndrueshme në kohë”, vendet ku është si traditë që pensionet të jepen pak a shumë vetëm nga sektori publik do të duhet të zhvillojnë pensione private për të ndihmuar në sigurimin e një mënyre më të drejtpeshuar të përballimit të kostove të rritjes së jetëgjatësisë mesatare në të ardhmen.
Cilat janë, sipas mendimit tuaj, pengesat më të dukshme që nuk e kanë lejuar këtë treg të zgjerohet në Shqipëri?
Ka pasur një sërë sfidash, të cilat po trajtohen progresivisht. E para është mungesa e stimulit fiskal për të kursyer në formën e një pensioni privat. Kjo pengesë është trajtuar në vitin 2014 në lidhje me skemat e punëdhënësve, dhe ka plane për ta hequr këtë pengesë edhe në lidhje me kontributet individuale në të ardhmen. Kjo lloj pengese ka bërë që shoqërive të administrimit të pensioneve t’u mungojë dëshira për t’u bërë publicitet përfitimeve që sjell kursimi në formën e pensionit privat. Ka pasur disa probleme lidhur me kostot e pensioneve private, të cilat janë përmirësuar këto vitet e fundit ndërkohë që disa punëdhënës të mëdhenj kanë dëshmuar se janë në gjendje të negociojnë një marrëveshje shumë më të mirë në emër të anëtarëve të tyre dhe t’i ulin kostot e krijimit të skemave të pensioneve për shoqëritë e pensioneve duke futur në to një numër të madh anëtarësh, si pjesë e një grupi. Ka edhe një pengesë të madhe në informim, çka duhet kapërcyer nga shoqëritë dhe punonjësit sa i takon nevojës për të pasur pensione private dhe përfitime të mundshme që sjellin ato.
Një studim i kryer nga INSTAT jep informacione shtesë lidhur me këto sfida. Një temë me rëndësi të veçantë që del nga studimi i INSTAT-it është mungesa e njohurive dhe e ndërgjegjësimit. Ky vrojtim ofron edhe një tregues krahasimi me të cilin mund të matet ecuria në vitet e ardhshme. Konferenca për pensionet private, e mbajtur në muajin tetor, ka ndihmuar që të fillohet të trajtohet ky hendek në informim. Por do të duhet një fushatë e qëndrueshme për vite të tëra, për të arritur një përmirësim të konsiderueshëm në nivelet e ndërgjegjësimit, interesit, njohurive dhe, në fund, të vendimit për të kontribuar në pensionet private.
Në konferencën e muajit tetor u prezantuan disa histori shumë interesante nga punëdhënës të mëdhenj, se si kanë hartuar një ofertë pensioni për punonjësit e tyre, si pjesë të paketës së përgjithshme të marrëdhënieve të punës. Lidhja me marrëdhëniet e punës ka rëndësi kritike, sepse zgjatja e periudhës aktive në punë është mënyra më e mirë për të kursyer dhe për të ulur numrin e viteve të pensionit të pleqërisë të cilat duhen financuar.
Cilat do të ishin sugjerimet tuaja për të gjithë aktorët e këtij tregu, sa i takon rritjes së mëtejshme?
Zhvillimi i tregut në interes të popullit shqiptar do të kërkojë një varg masash dhe veprimesh. Në këto përfshihen masat për të siguruar që të mos ketë në sistemin tatimor stimuj negativë që nuk i shtyjnë njerëzit të kursejnë; për të siguruar që shoqëritë e pensionit të ofrojnë shpenzim efikas të parasë dhe një mënyrë për qytetarët e thjeshtë që këta të arrijnë përfitime nga investimet afatgjata; ndihma që u jepet njerëzve të zakonshëm ta kuptojnë në mënyrë të thjeshtë rëndësinë që kanë pensionet, e të mos presim prej tyre që të jenë ekspertë; ushtrimi nga ana e AMF-së i kujdesit dhe kontrollit mbi sistemin, në interes të anëtarëve, nëpërmjet një vargu masash, si përmirësimi i drejtimit të brendshëm, mbrojtja e konsumatorëve dhe edukimi i tyre; dhe masa për t’i ndihmuar punëdhënësit që të luajnë rolin me rëndësi kritike në ofrimin e një rruge për transferimin e produkteve të pensioneve private të punonjësve në mënyrë efikase dhe jo të kushtueshme.
Sipas mendimit tuaj, cili është potenciali i ardhshëm i këtij tregu?
Ky treg do të ishte në gjendje të rritej në mënyrë të konsiderueshme. Zhvillimi i tregut është një hap me rëndësi në krijimin e një tregu më të diversifikuar pensionesh për Shqipërinë, ku pensionet publike dhe private ndërthuren për të siguruar një të ardhur pensioni pleqërie më të qëndrueshme në kohë e cila të trajtojë problemin e varfërisë, si edhe t’i ndihmojë njerëzit të ruajnë standardet e jetesës gjatë periudhës së pensionit. Në rajon, niveli i aktiveve të pensionit shkon nga nën 0,1% të PBB-së nën Shqipëri, 0,5% të PBB-së në Serbi, 2,3% në Rumani, 4% në Slloveni, 5,7% në Maqedoni dhe 8,7% në Bullgari, sipas shifrave të OECD-së. Në fund, sistemet më të mëdha të pensioneve private shpesh kanë nevojë për reforma të tilla si regjistrimi automatik në sistem, kontribute të detyrueshme ose tradita shumë të forta të dhënies së kontributit nga punëdhënësit. Është me vlerë zhvillimi i pensioneve vullnetare, për të siguruar mbrojtjen financiare të njerëzve për moshën e pleqërisë.
Përse është e rëndësishme të ketë rritje të mëtejshme të tregut të pensioneve private vullnetare në Shqipëri?
Një treg i mirë pensionesh ka mbulim të gjerë me pensione adekuate që janë efikase dhe të sigurta dhe që mund të ofrohen në mënyrë të qëndrueshme në kohë, si për këtë brez ashtu edhe për brezat që do të vijnë. Mënyra më e mirë për ta arritur këtë është duke pasur pensione të fuqishme publike dhe private, dhe jo duke u mbështetur vetëm te pensionet publike apo vetëm te pensionet private. Prandaj edhe Shqipëria po i shoqëron reformat në pensionet publike me zhvillimin e pensioneve private për të krijuar në tërësi një sistem më të drejtpeshuar dhe të qëndrueshëm në kohë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.