Data 29 qershor ishte dita e gjykimit për një çështje që ka ndryshuar fytyrën e tatim-planifikimit. Antoine Deltour dhe Raphawl Halet, dy ish-punonjës të PwC, një firmë kontabiliteti, dhe Edouard Perrin, një gazetar francez, u gjykuan në Luksemburg për rolin e tyre në rrjedhjen e dokumenteve që zbuloi marrëveshjet e ëmbla tatimore që Dukati i Madh i Luksemburgut u kishte ofruar dhjetëra kompanive shumëkombëshe. Të pandehurit mohuan akuzat, të cilat përfshinin vjedhjen e dokumenteve dhe shkeljen e fshehtësisë, duke argumentuar se ekspozimi i tyre i praktikave tatimore të dyshimta ishte në interes të publikut, shkruan The Economist. Luksemburgu këmbënguli që marrëveshjet ishin ligjore dhe normale.
Ekspozuesit përballeshin me deri në dhjetë vjet burg. Megjithatë, prokuroria, ndoshta e ndjeshme nga opinioni i fortë publik dhe, në disa raste, mbështetja politike për ta nga vende të huaja, kërkoi për ta dënime me kusht prej 18 muajsh. Në fund, gjyqtari u dha zotërinjve Deltour dhe Halet dënime me kusht 12 dhe 9 muaj, respektivisht. Por një dënim mbetet një dënim; Transparency International, e quajti atë “të papranueshme”. Z. Perrin, i cili kishte publikuar një artikull rreth dokumenteve të rrjedhura, u shpall i pafajshëm.
Çështja “LuxLeaks” theksoi rolin e luajtur nga disa vende të Bashkimit Europian, duke përfshirë Irlandën, Holandën, si dhe Luksemburg, në lehtësimin e shmangies së taksave. Luksemburgu nuk është një strehë tipike e taksimit të ulët që të ketë tatim zero ose minimal; vlera ligjore është 29%. Por është një strehë “nga praktika administrative”, argumenton Omri Marian i Universitetit të Kalifornisë, Irvine, i cili ka studiuar LuxLeaks në detaje. Autoriteti tatimor shiti shërbime për shmangie taksash për firmat e mëdha, duke vulosur marrëveshje të errëta që i ndihmuan ato firma të shkurtonin faturat e tyre tatimore në mënyrë dramatike në vendet e tyre të regjistrimit dhe në vendet e tyre të operimit.
Rrjedhjet ndihmuan për të shtyrë përpjekje të shumanshme, të udhëhequra nga OECD, për të rishikuar tatimin ndërkombëtar të korporatave. Anëtarët e saj, kryesisht të pasur dhe një duzinë vendesh në zhvillim ranë dakord vitin e kaluar për një numër reformash. Këto përfshijnë rritjen e raportimit midis vendeve për firmat multinacionale, fitimet e tyre, taksat që paguajnë e kështu me radhë, dhe rregulla të forta për transferimin e pronësisë intelektuale mes filialeve, si një mjet “për të parkuar” fitime në streha taksash. Qeveritë tani pritet t’i bëjnë ligje këto propozime.
Në qershor, Bashkimi Europian ra dakord për një direktivë kundër shmangies që përfshin pjesë të axhendës së OECD-së. Komisioni Europian, si Ekzekutivi i BE-së, ka nisur hetime të shumta drejt marrëveshjesh tatimore të lehta të ofruara nga anëtarët e bllokut të BE-së për firma të tilla si Apple, Fiat dhe Starbucks. Komisioni argumenton se këto mund të jenë edhe pjesë ndihmash shtetërore të paligjshme. Komisioni pritet të shpallë rezultatet e hetimit në marrëveshjet tatimore të Apple në Irlandë në korrik. Firma mund të detyrohet e t’i paguajë miliarda euro Dublinit.
Apple mohon se ka thyer ndonjë ligj. Ajo ka një të drejtë kur thotë se problemi nuk është paligjshmëri ose imoralitet nga ana e korporatave, por janë dallimet midis sistemeve taksore kombëtare, të cilat ftojnë për ‘lojëra’ të tilla. Ndaj është nevoja për një qasje multilaterale. Por kjo është e vështirë për t’u arritur. Vendet e ndryshme e ruajnë sovranitetin e tyre tatimor me fanatizëm, edhe pse shkojnë drejt minimizimit të taksave, dhe nuk do të bien dakord për shumë gjera. Amerika është e pakënaqur me hetimet e komisionit, i cili kryesisht ka synuar kompanitë amerikane. Një zyrtar amerikan u ankua kohët e fundit se synimet bazohen në “riinterpretim të gjerë” të ligjit të konkurrencës europiane dhe kanë krijuar një “rrëmujë të jashtëzakonshme”.
Ndarjet janë gjithashtu të dukshme edhe brenda BE-së. Shtetet anëtare që pëlqejnë konkurrencën e taksave, të tilla si Holanda dhe Britania (nuk ka lënë BE-në ende), shtyjnë për të dobësuar masat antishmangie, përfshirë edhe direktivën e re. Diarmid O’Sullivan, një ekspert i taksave, me ActionAid, një OJQ, thotë se direktiva ishte “një kompromis i dobët”. Rregullat e propozuara nga BE-ja të njohura si “baza e përbashkët e konsoliduar për taksat e korporatave”, e cila do të heqë shumë nga dallimet kombëtare që firmat shumëkombëshe kanë shfrytëzuar për të paguar më pak taksa, janë dobësuar për t’i bërë ato më të pëlqyeshëm për firmat.
Megjithatë, firmat e pranojnë se shmangia “e entuziazmuar” e taksave po bëhet më e vështirë. Marrëveshjet “e ëmbla” me institucionet tatimore janë gjithnjë e më shumë nën shqyrtim. Edhe pse dy prej tyre tani quhen kriminelë të dënuar, për LuxLeaks, ata të tre meritojnë lëvdata për rolin e tyre në zbulimin e saj.