Ndikimet e Agjencisë së Trajtimit të Kredive në reformimin e sistemit bankar në ShqipëriAgjencia e Trajtimit të Kredive trajton të gjitha huatë e dhëna nga ish-bankat shtetërore dhe huatë e dhëna për investime në banesa nga shoqëria INSIG sh.a. Në total, portofoli i huave të transferuara në ATK përbëhet nga 18, 971 huamarrës, me një detyrim total prej 35.9 miliard lekë, nga i cili vetëm principali është 19.85 miliard lekë ose 55.35% e detyrimit gjithsej. ATK-ja, duke e vlerësuar me seriozitetin e duhur rëndësinë e madhe, që ka realizimi me sukses i misionit të saj në përputhje me ligjin 8894, datë 14.05.2002 “Për Agjencinë e Trajtimit të Kredive” dhe për të qenë një faktor kryesor në reformimin e sistemit bankar në Shqipëri, ka treguar kujdes në vlerësimin dhe administrimin e këtij portofoli. Në funksion të këtij qëllimi janë evidentuar të gjitha huatë sipas karakteristikave të tyre dhe janë bërë vlerësime për shkallën e rrezikut që ato paraqesin si dhe raportin e mbulimit me kolaterale. Nga pikëpamja e shumës së detyrimit për një huamarrës afro 64% e numrit të huave janë me detyrim deri 1 milion lekë. Problematike paraqitet edhe struktura e objekteve të kredituara ku reth 1/3 e numrit të huave janë për traktorë e mjete transporti, kur dihet që rentabiliteti i tyre është shumë i ulët dhe me pamundësi likuiditeti. (Grafiku 1) Nga pikëpamja territoriale portofoli i huave që trajton ATK-ja shtrihet 73% në fshat dhe vetëm 27% në zonat urbane. Përshkrimi si më sipër i portofolit të huave që administron ATK-ja, nuk është thjesht për të evidentuar shkallën e vështirësisë që ka puna e ATK-së për të bërë të mundur kthimin e huave, por një njohje e tillë e situatës konkrete ka ndihmuar për të përcaktuar sa më drejt strategjinë, politikat, procedurat dhe hapat konkrete të zbatuara nga ky institucion. Si rezultat i administrimit më të mirë të portofolit të huave, ndryshimeve të bëra për përmirësimin e udhëzimeve, të forcimit të bashkëpunimit me Shërbimin Përmbarimor të Republikës dhe të ndjekjes së vazhdueshme nga Drejtoria dhe Këshilli Mbikëqyrës i ATK-së të detyrave të ngarkuara u arrit që të plotësohen dhe tejkalohen objektivat e caktuara për vitin 2004.2004: Arkëtime në rritjeArkëtimet në cash për vitin 2004 u tejkaluan në mënyrë të ndjeshme afro 105%. Në total që nga krijimi i ATK-së, janë arkëtuar 3 miliard lekë. Arkëtimet e realizuara në vitin 2004 janë nga më të lartat të arritura që nga krijimi i ATK-së dhe përfaqësojnë afro 48% të arkëtimeve të realizuara për pesë vite të marra së bashku nga viti 1998 deri në fund të vitit 2003. Në mënyrë progresive dinamika e nivelit të arkëtimeve në cash paraqitet në grafikun 2.Janë likuiduar plotësisht 1/5 e huaveNë vitin 2004 janë likuiduar (paguar) përfundimisht dhe zgjidhur 1185 hua (aktive), shifër e cila është disa herë me e lartë se vitet e mëparshme. Në mënyrë progresive janë likuiduar totalisht 3,591 hua ose 19% e numrit të përgjithshëm të huave, duke tejkaluar objektivin e vendosur nga Banka Botërore dhe Ministria e Financave në kuadrin e marrëveshjes FSAC. Në mënyrë progresive, dinamika e zgjidhjes së aktiveve në numër paraqitet në grafikun 3.Zgjidhja e aktiveve në vlerë rezulton të ketë një progres të dukshëm krahasuar me periudhat e mëparshme. Në mënyrë progresive rezulton të jetë zgjidhur afro 40% e aktiveve në vlerë. Dinamika e zgjidhjes së aktiveve në vlerë paraqitet në grafikun 4. Nuk ka asnjë tolerim për kthimin e huave të marraGjatë vitit 2004, një punë voluminoze është bërë për trajtimin ligjor të afro 6000 huamarrësve nga rreth 900, që u trajtuan në vitin 2003 dhe që përfaqësojnë 61% të numrit të huave të dërguara për ndjekje ligjore që nga krijimi i Agjencisë. Deri në fund të vitit 2004 rezultojnë në trajtim ligjor 9765 hua ose 51% e numrit të huave gjithsej që administron Agjencia, çka do të thotë se asnjë nga huamarrësit e ish bankave shtetërore të mos mendojë se do të tolerohet në kthimin e këtyre huave, por përkundrazi do të vazhdohet më me forcë ekzekutimi i detyrueshëm, duke sekuestruar të gjitha pasuritë që ato kanë vënë si garanci dhe pasuri të tjera të paluajtshme dhe të luajtshme. (grafiku nr. 5) Në fund të vitit 2004 rezulton të jenë nxjerrë afro 7000 urdhra ekzkekutimi, nga të cilat mbi 2600 janë dërguar në Zyrat e Përmbarimit dhe 62 prej tyre janë ekzekutuar dhe kaluar në pronë të ATK-së. Nga 62 objektet e sekuestruara dhe të kaluara në pronë të ATK-së, vetëm në vitin 2004, për 40 prej tyre janë zhvilluar 65 ankande dhe janë shitur 6 objekte me një vlerë mbi 32 milion lekë.Ndikimi i ATK-së në ecurinë e sistemit bankar në ShqipëriKrijimi i ATK-së krijoi një ambient të përshtatshëm për privatizimin e Bankës Kombëtare Tregtare dhe Bankës së Kursimeve, të cilat zotërojnë pjesën më të madhe të tregut ndërbankar. Aktualisht, në Shqipëri operojnë 16 banka private të nivelit të dytë me kapitale plotësisht private ose të përbashkëta. Privatizimi i dy ish-bankave shtetërore dhe licencimi nga Banka e Shqipërisë i 14 bankave të reja private, krijuan një sistem bankar të mirëfilltë të nivelit të dytë në vendin tonë, të cilat konkurrojnë lirshëm në tregun ndërbankar. Pozitiv është fakti që në përgjithësi treguesit e këtyre bankave rezultojnë të jenë në përputhje me standardet e përcaktuara nga Banka e Shqipërisë, dhe treguesi i tepricës së kredisë së pakthyer në afat, aktualisht luhatet nga 7 deri 11% për tërë sistemin bankar. Ky tregues flet qartë për zvogëlimin e rrezikut të huadhënies nga bankat, ku një ndikim të ndjeshëm ka dhënë edhe puna e bërë nga ATK-ja për çrrënjosjen e konceptit të gabuar të moskthimit të kredive të marra dhe pothuajse sot ky koncept nuk ekziston. Në qoftë se më parë, njerëzit kërkonin me këmbëngulje dhe me mënyra nga më të ndryshmet të merrnin kredi dhe e merrnin atë, sot bankat kërkojnë, analizojnë, studiojnë dhe përzgjedhin biznese sa më efektive dhe me garanci të plota financiare dhe hipotekare për kthimin e huave.Një nga arritjet më cilësore në përmbushjen e misionit të ATK-së, është fakti që sot bankat e nivelit të dytë janë më pak të ekspozuara kundrejt rrezikut të huadhënies, pasi ka hyrë koncepti i ri i marrjes me kujdes të kredisë, zhvillimit të biznesit dhe kthimit në afat të kredisë. Efektiviteti i institucionitSi në çdo lloj biznesi, realizimi i objektivave është i rëndësishëm, por ai nuk ka vlerën e duhur kur nuk shoqërohet me një efektivitet të lartë. Për ATK-në, tregues i nivelit të efektivitetit të arkëtimeve është shuma e shpenzuar për njësi të arkëtimeve të realizuara (kostoja e arkëtimeve). Ky tregues në shkallë Agjencie është realizuar 15.8 lekë shpenzime për 100 lekë arkëtime nga 21.6 lekë që ishte planifikuar për vitin 2004. Është për tu theksuar fakti që efektiviteti i punës së ATK-së ka ardhur duke u përmirësuar në mënyrë të ndjeshme që nga krijimi i saj. Kështu, po të shikojmë ecurinë e këtij treguesi në vite rezulton se në vitet 2003 dhe 2004 është arritur niveli më i ulët i kostos së arkëtimeve në cash. Të dhënat e këtij treguesi në vite paraqiten në grafikun 6. Ky tregues mendojmë se është një tregues i mjaftueshëm për të gjykuar mbi ekzistencën ose jo të këtij institucioni, pasi në momentin që ky tregues nuk do të rezultojë i kënaqshëm, pra me arkëtimet që realizohen, nuk do të mbulohen shpenzimet dhe nuk do të derdhet në buxhetin e shtetit, atëhere mbyllja e këtij institucioni është e pashmangshme dhe plotësisht e justifikuar ekonomikisht. E ardhmja e ATK-së: të shtyhet afati edhe tre vjetSikurse dihet në bazë të Ligjit Nr.8894, datë 14.05.2002 “Për Agjencinë e Trajtimit të Kredive”, ndryshuar me Ligjin nr. 9099, datë 03.07.2003, është përcaktuar që afati i veprimtarisë së ATK-së të jetë deri më 31.12.2005. Në kushtet kur Agjencia duhet të dërgojë në ndjekje ligjore edhe 5385 hua (4738 të mbetura dhe 647 në pritje), përveç këtyre duhet të nxirren mbi 5000 urdhra ekzekutimi dhe do të dërgohen në ekzekutim mbi 12,000 praktika, të cilat do të ndiqen rast pas rasti dhe kur në fund të vitit 2005 mbetet një portofol prej rreth 25 miliard lekë, si dhe për të mos ndërprerë punën e bërë deri tashmë dhe për të mos ringjallur edhe një herë konceptin e moskthimit të huave; është e domosdoshme që afati i Agjencisë të shtyhet të paktën për tre vjet të tjera, ose të shtyhet pa afat e kushtëzuar me kriterin ekonomik të vetëfinancimit deri kur ajo të mos jetë në gjendje që me arkëtimet e realizuara të mbulojë shpenzimet dhe ti derdhë në Buxhetin e Shtetit.Me arritjet e deritanishme, ATK-ja është shndërruar në një institucion financiar serioz, me personel profesional që kanë fituar një përvojë të mirë në administrimin dhe trajtimin e detyrimeve ndaj shtetit, me një ndikim të ndjeshëm në reformimin e sistemit bankar në Shqipëri dhe me efekte mjaft pozitive në uljen e kostos së privatizimit të ish-bankave me kapital shtetëror. Në këto kushte reduktimi i veprimtarisë së ATK-së dhe venitja e kërkesës për likuidimin e detyrimeve të mbetura do të ketë një ndikim tepër negativ për të gjithë sistemin bankar dhe me pasoja për vjeljen e të gjitha detyrimeve që persona të ndryshëm kanë ndaj shtetit. Meqenëse ATK-ja është tashmë një institucion i specializuar dhe me përvojë në trajtimin dhe zgjidhjen e aktiveve me probleme, mendojmë se nuk do të ishte ide e gabuar që edhe detyrimet që persona, shoqëri, apo subjekte të tjera kanë ndaj shtetit, të transferohen në ATK, duke mënjanuar kështu krijimin e institucioneve shtetërore paralele.Agjencia e Trajtimit të KrediveAgjencia e Trajtimit të Kredive është ideuar nga Banka Botërore dhe është themeluar nga Ministria e Financave, duke u bazuar në Ligjin nr.8339, datë 30.4.1998. Në bazë të këtij ligji ATK-ja do të funksiononte për një periudhë 3-vjeçare, që do të thotë se veprimtaria e saj do të përfundonte në shtator të vitit 2001. Veprimtaria e ATK-së filloi në qershor të vitit 1998. ATK-ja u krijua si një institucion i vetëfina-ncuar, me pronar të vetëm Ministrinë e Financave. Që prej qershorit të vitit 2002 veprimtaria e ATK-së rregullohet me Ligjin Nr. 8894 dt. 14.05.2002, shtuar dhe ndryshuar me ligjet Nr. 9009, datë 03.07.2003 dhe Nr. 9239, datë 10.06.2004. Misioni i Agjencisë së Trajtimit të Kredive është të arkëtojë në favor të shtetit kreditë e dhëna dhe të pakthyera në afat.Sistemi bankar shtetëror dhe kreditë me problemeKalimi nga një ekonomi tejet e centralizuar, në një ekonomi të tregut të lirë, në fillim të viteve 90 diktoi që edhe sistemi bankar të luante rolin e duhur në këtë proces si një faktor nxitës dhe mbështetës i fuqishëm në shpejtimin dhe suksesin e këtyre reformave. Edhe pse u bënë këto riorganizime, bankat e nivelit të dytë në Shqipëri mbetën pronë shtetërore në vitet e para të tranzicionit. Aktiviteti i dhënies së kredive pati një rritje të konsiderueshme, e cila u ndikua më së shumti nga nevoja për zhvillimin e biznesit privat, por edhe nga ekzistenca e tregut informal të parasë. Duke analizuar treguesin e tepricës së kredive të pakthyera në afat dhe tregues të tjerë të efektivitetit të sistemit bankar, dalin në pah disa dukuri negative të funksionimit të sistemit bankar shtetëror në Shqipëri dhe konkretisht:- Përfshirja në një fushatë pas vitit 1991 të dhënies së kredive pa kritere ekonomike të përcaktuara, por duke gjykuar thjesht si një plotësim të nevojave financiare të disa personave deri edhe me ndërhyrje subjektive të politikës në huadhënie; – Mungesa e politikave të qarta për kreditimin e bizneseve më efektive dhe mosvënia në kushte të barabarta të huamarrësve; – Mosplotësimi i dokumentacionit ligjor dhe ekonomik për huanë ka qenë një dukuri pothuajse e vazhdueshme. Dukuri negative ishte mosgarantimi i huasë me kolaterale. Ekzistonte një koncept tepër i dëmshëm që “vetëm të marrim kredi, pasi ajo nuk ka për tu kthyer asnjëherë”. Edhe pse u bënë përpjekje për një ristrukturim të sistemit bankar në vitin 1996, nuk pati ndonje efekt të dukshëm në përmirësimin e treguesve të këtyre bankave. Në këtë periudhë, Qeveria e Shqipërisë u përfshi në një program madhor të ristrukturimit bankar, që u përqendrua në likuidimin e Bankës Tregtare Agrare, privatizimin e Bankës Kombëtare Tregtare, të Bankës së Kursimeve dhe së fundi të shoqërisë INSIG sh.a. Element i rëndësishëm i këtij programi ishte administrimi dhe zgjidhja e portofolit të huave të këtyre bankave dhe për të bërë të mundur realizimin e tij, u diktua nevoja e krijimit të një organizmi të vetëm, që do të merrej me administrimin, trajtimin dhe zgjidhjen e huave të pakthyera, që u emërtua Agjencia e Trajtimit të Kredive.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.