Gjenerata e dytë e Duster bëhet edhe më dinamike dhe elegante, por në fund të fundit, mbetet besnike e vetvetes, gjithnjë e më shumë ikonë e kulturës së një shpenzimi inteligjent, që konfirmohet si trend i kohës
Të dizenjosh, do të thotë edhe të mashtrosh nga pak. Këtë e thotë, dinaku Laurens van den Acker, shefi i dizajnit të grupit Renault. Në ç’mënyrë? Pse, një koncept kaq i paqartë, u hodh në mes të bisedës, për një nga makinat më të sinqerta të pranishme në treg, e cila po i paraqitet publikut me gjeneratën e saj të dytë? Mos u shqetësoni, filozofia e vërtetë – blen atë që sheh – e Dacia Duster nuk preket: Por edhe ajo i ka lejuar vetes disa detaje vizuale për t’u bërë më e lakmueshme. E thotë vetë krijuesi i saj: “Makina duket më e madhe, si në gjatësi, edhe në gjerësi, ndërkohë që përmasat nuk kanë ndryshuar, përkundrazi, mbase janë zvogëluar fare pak.
Si ja arritëm që të gënjejmë syrin? E thjeshtë, e ulëm pak karrocerinë – duke hequr dorë nga mbajtëset anësore të dala, të modelit të shkuar – dhe theksuam grafikën horizontale të pjesës së përparme; më pas vendosëm fenerët e pasëm në skajet e karrocerisë. Në fund, zhvendosëm përpara me 10 centimetra mbajtësen anësore të përparme, gjë që na lejoi të arrinim një pjerrësi xhami, duke zgjatuar kështu dritaret, që rrjedhimisht u bënë më të ulëta”. Ndoshta përdorimi i një makiazhi të lehtë shkon krah për krah me trendin e rritjes së kulturës “low cost” (ose, siç preferojnë ta quajnë tek Renault, të “shpenzimeve të zgjuara”), i cili kohët e fundit ka nisur të hapet drejt idesë së personalizimit të shërbimeve dhe përmirësimin e ofertës bazë: kësisoj ndodh në trafikun ajror, në sektorin e veshjeve dhe sigurisht, në atë të makinave.
Kështu Suv-i i ri Dacia, përveç zgjidhjeve estetike të përshkruara më sipër, paraqitet me goditje pritëse të mëdha, një element ndriçues në fundin e parafangove të përparme me shkrimin 4WD, që sjell në mend modelet Land Rover, dhe në fund trarë alumini mbi çati, me shkrimin Duster. Në aspektin e pajimit, ky model paraqet elementë që asnjëherë më parë nuk kanë qenë pjesë e tij: katër kamera, airbags me perde, klimatizator automatik, njoftim për këndet qorre, hyrje pa çelës dhe ndezje automatike të dritave. “Sisteme asistence në drejtim (Adas) më të sofistikuara, të tilla si cruise control adaptiv, apo ruajtja autonome e korsisë, do të kishte shkaktuar rritje të fortë të çmimeve, të cilat pretendohet të ruhen të moderuara”, shpjegon François Marriotte, kreu i shitjeve dhe marketingut. Ai shton: “Kriteri që vendosëm ishte të dëgjonim klientët dhe te mirëprisnim kërkesat e tyre.
Motorët rikthehen me formulën e mirënjohur, ata me benzinë 1.6 me thithje 115 kf, ata turbo 1.2 me 125 kf, si dhe ata me naftë 1.5 në variantet 90 dhe 110 kf. Të gjithë, të kombinuar në seri, me kambion manuale me gjashtë marshe dhe traksioni i përparmë ose integral (përveç variantit diesel prej 90 kf që mbështet tek traksioni vetëm tek rrotat e përparme).
Zona padyshim më e re është kabina. Këtu dizajni banal i gjeneratave të mëparshme, i hap rrugën një gjuhe të re dhe bashkëkohore. “Low cost” vërtetë, por me klas.
LAURENS VAN DEN ACKER
Kombësia: Holandeze
Vjeç: 52
Profesioni: Drejtor i dizajnit të grupit Renault
Biografia: Me diplomën e inxhinierisë së projektimit industrial në xhep, të lëshuar nga Universiteti i Delft (Holandë), ai është “lapsi” i parë tek Renault, që nga viti 2009. Aty erdhi pasi udhëhoqi te Mazda sektorin e dizajnit, deri në vitin 2006, pas përvojave tek Ford dhe Audi.
TRUKET PAMORE BЁJNЁ QЁ DACIA DUSTER E RE TЁ DUKET MЁ E GJATЁ DHE MЁ E GJERЁ SE MЁ PARЁ
2017
DACIA DUSTER E RE, e gjatë 430 cm dhe 180 cm e gjerë, mat 21 nga toka me këndet hyrëse dhe dalëse 30 dhe 33 gradë, të cilat lejojnë argëtim edhe jashtë rruge. Pajisje Hill descent control, Hill start assist dhe kamerat, e bëjnë gjithçka më të lehtë.
2013
E RISTILUAR në mes të karrierës, Suv-i popullor e kishte marrë ndërkohë pamjen bashkëkohore. Deri më sot, janë një milion makinat Duster, të shitura nën markën Dacia (në Amerikën e Jugut dhe gjetkë, janë në listën e çmimeve me logon Renault), 80% e të cilave në tregun privat.
2010
E PARA E FAMILJES, në debutimin e vet, Duster revolucionarizoi imazhin e Dacia-s: nga markë “low cost” tek prodhim i makinave të dëshirueshme me çmim të ulët. Suv-i i fashës C (i gjatë 431 cm dhe 182 cm i gjerë), ka afruar një klientelë, të palidhur me markën më parë.
Kroskoti, mbledh funksionet kryesore në ekranin qendror me prekje, duke lënë jashtë, me të drejtë, komandat me rrota të klimatizatorit. Edhe sediljet janë të reja, me ulëse dy centimetra më të gjata dhe strukturë më të fuqishme, që përmirëson komfortin dhe mbajtjen anësore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.