Flet drejtori i Alpha Bank, z. Periklis Drougkas
Si e vlerësoni performancën e sistemit bankar në vitin 2016?
Zhvillimet e përgjithshme në sistemin bankar shqiptar ishin pozitive. Normat e ulëta të interesit, si dhe sistemi bankar i mirëkapitalizuar, janë një bazë e qëndrueshme për rritje të kreditimit dhe financimit të rritjes ekonomike lokale. Gjithsesi, për shkak të masave mbikëqyrëse dhe rregulluese në nivel kombëtar dhe europian, politikat e kredidhënies së bankave vazhduan të ishin konservative. Ndërkohë që normat e interesit në tregun ndërbankar vazhdojnë të jenë pranë normës bazë, tendenca e përgjithshme e tregut të depozitave dhe kreditimit, vijoi të tregojë norma në rënie të interesit.
Përgjatë vitit 2016, sistemi bankar ka vënë vazhdimisht në zbatim masa për zvogëlimin e stokut të kredive në vonesë. Gjatë 2015-s, kreditë në vonesë shënuan rënie të konsiderueshme, si pasojë e fshirjes së detyrueshme nga bilanci i bankave, ndërsa në tremujorin e katërt të 2016-s, kreditë në vonesë arritën në 18.27%, të ndikuara gjerësisht nga falimentimi i dy korporatave si dhe mbikëqyrja e përmirësuar në lidhje me klasifikimin e kredive në vonesë. Si rrjedhim, përfitueshmëria e bankave u ndikua nga kërkesat në rritje për provigjione.
Në lidhje me mjedisin makroekonomik, të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar treguan se ekonomia shqiptare shënoi rritje prej 3.4% në bazë vjetore dhe faktorë kryesorë nxitës ishin konsumi dhe Investimet e Huaja Direkte (IHD) në projekte të mëdha të lidhura me energjinë (Trans Adriatic Pipeline dhe Hidrocentrali në Devoll). Gjithashtu, remitancat nga vendet e rajonit vazhduan të jenë të qëndrueshme. Politika monetare e vënë në zbatim nga Banka e Shqipërisë ka mbështetur rritjen në kërkesën e brendshme dhe besimin e konsumatorëve.
Këta tregues pozitivë nga tregu, si konsumi dhe investimet private, janë jo vetëm një bazë e shëndetshme për qëndrueshmërinë e tregut në të ardhmen, por tregojnë gjithashtu rritje të besimit e të punësimit, normë më të lartë të përdorimit të kapaciteteve, si dhe hyrje më të mëdha nga IHD-të.
Cilat janë pritshmëritë tuaja mbi performancën e sistemit bankar në 2017?
Mjedisi në të cilat bankat veprojnë është ngushtësisht i lidhur me mjedisin makroekonomik në nivel lokal, rajonal dhe ndërkombëtar.
Mjedisi i jashtëm po tregon përmirësim, edhe pse rritja ekonomike është e ulët dhe e rrethuar nga pasiguri. Ekonomitë e partnerëve tregtarë të Shqipërisë shënuan rritje pozitive, edhe pse me ritëm të ngadaltë. Gjithsesi, qëndrueshmëria e tregjeve europiane mund të ndikohet, në vitet në vijim, nga pasojat e referendumit në Mbretërinë e Bashkuar.
Mjedisi i brendshëm po tregon zhvillime premtuese pozitive. Siç është përmendur edhe më parë, tendenca rritëse për sa i përket konsumit dhe investimeve private, janë një bazë e shëndetshme për qëndrueshmërinë e tregut në të ardhmen.
Gjithsesi, janë dy sfida kryesore të cilat kërkojnë reagim të menjëhershëm: a) qëndrueshmëria politike, që ndikon në vendimmarrjen e aktorëve në ekonominë vendase dhe investitorët e huaj, dhe b) transparenca dhe kuadri rregullator/ligjor, që ndihmojnë investuesit e huaj për të marrë informacion të besueshëm. Për më tepër, reforma në drejtësi pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në mjedisin e biznesit.
Zhvillimet e përgjithshme në sektorin bankar dhe sistemin financiar do të vazhdojnë të jenë të qëndrueshme gjatë vitit 2017. Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të ndryshme është i përmbajtur. Treguesit kryesorë financiarë në lidhje me kapitalizimin, likuiditetin dhe përfitueshmërinë tregojnë kapacitetin e plotë se sektori mund të përballojë risqe operacionale nën kushte normale, por edhe të tregojë rezistencë në kushte më të vështira. Për më tepër, niveli i kufizuar i kredive me probleme dhe tendencat e tyre rënëse, janë një bazë e shëndetshme për 2017.
Cilat janë pritshmëritë tuaja për rritjen e kreditimit në sistemin bankar në nivel afatshkurtër dhe afatmesëm dhe faktorët kryesorë që do të ndikojnë në tendencat respektive?
Ne parashikojmë që viti 2017 do të karakterizohet nga luhatje. Ndërkohë që tregu vendas dhe ndërkombëtar po lëshojnë sinjale pozitive, sistemi bankar duhet të ketë në konsideratë që po vepron në një vit elektoral, që, siç tregojnë të dhënat historike, ndikon kryesisht në kërkesë më të vogël për investime nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Në tremujorin e tretë, sipas Bankës së Shqipërisë, bankat shtrënguan standardet për kreditimin e sipërmarrjeve, për investime si dhe për kapital qarkullues. Ndërkohë që çmimi i shërbimeve financiare ka shënuar rënie, bankat kanë rritur kërkesat për aplikime të suksesshme.
Kërkesat për kolateral dhe çmimi i ofruar për shërbimet financiare, janë përdorur nga bankat për të ofruar kushte më të mira huadhënieje për individët. Rritja e kreditimit për këtë segment mbështetet fortësisht në kreditimin e konsumatorëve. Zhvillimet pozitive të këtij portofoli janë nxitur nga promovimet e bankave për këtë shërbim, si dhe kërkesa më e lartë për kredi për shtëpi, përgjatë kësaj periudhe.
Në nivel afatmesëm, sistemi bankar mund të hasë probleme për sa i përket përfshirjes së aktiveve fikse në pronësi në bilanc. Zotërimi dhe trajtimi i këtyre aktiveve mund të krijojë kosto shtesë dhe vështirësi operacionale. Ky problem tregon se tregu i pasurive të paluajtshme është i kufizuar dhe ka nevojë për strukturim, në mënyrë që të thjeshtëzojë gjetjen e blerësve të mundshëm dhe të ofrojë shitje të shpejtë të këtyre aseteve.
Gjatë një interviste të fundit për revistën ‘Monitor’, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, ka shprehur shqetësimin e tij për nivelin e lartë të euroizimit të Shqipërisë. Sipas Guvernatorit, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, do të zbatojnë një plan me qëllim reduktimin e përdorimit të euros. Po ju, sa problematike e shihni këtë çështje dhe çfarë propozoni për të reduktuar nivelin e euroizimit të Shqipërisë?
Risku sistematik më i rëndësishëm vazhdon të jetë rritja e moderuar e ekonomisë vendase, ndërkohë që risku nga ekonomia e jashtme u mitigua, kryesisht pas qetësimit të situatës financiare në Greqi (verë 2015). Gjithsesi, mbeten ende për t’u vlerësuar plotësisht pasojat e vënies në zbatim të Artikullit 50 të Traktatit të Lisbonës pas referendumit në Mbretërinë e Bashkuar.
Në tregjet e parasë në Eurozonë, normat e Euribor vazhduan të luhaten në nivel të ulët, duke pasqyruar politikën monetare lehtësuese sasiore të ndjekur nga Banka Qendrore Europiane.
Edhe pse kursi i këmbimit EUR/LEK ka qenë i qëndrueshëm, huadhënia në monedhë të huaj vazhdon të jetë një risk në nivel afatshkurtër dhe afatmesëm, pasi ndryshimet e pafavorshme të kursit të këmbimit, mund të cenojnë aftësinë paguese të huamarrësve dhe të kërcënojnë cilësinë e portofolit të kredisë së bankave.
Në vitin 2016, monedha vendase ishte subjekt i vlerësimit sezonal (tendenca e vlerësimit të lekut shënoi rritje në tremujorin e tretë të 2016), por gjithsesi më i ulët se vitin e mëparshëm.
Banka e Shqipërisë ka reaguar menjëherë për përballimin e sfidave që mund potencialisht të kërcënonin sistemin bankar. Ndaj, ne kemi besim të plotë në përqasjen e z. Sejko dhe të Bankës së Shqipërisë për sa i përket nivelit të Euro në Shqipëri.
Cilat janë sfidat kryesore me të cilat do të përballet sistemi bankar, në nivel afatshkurtër dhe afatmesëm?
Siç u përmend më parë, sistemi bankar në Shqipëri ka qenë i qëndrueshëm dhe ka treguar tendencë përmirësimi, pavarësisht se vazhdon të hasë disa sfida të rëndësishme.
Për sa i përket infrastrukturës së tregut financiar, situata është në përgjithësi në përputhje me standardet ndërkombëtare; gjithsesi, mungesa e Bursës së Shqipërisë, pavarësisht kuadrit ekzistues ligjor, kufizon zhvillimet në tregun e kapitalit në vend. Në sektorin bankar, niveli i kredive me vonesë vazhdon të parandalojë rritjen e përgjithshme të kreditimit. Edhe pse kuadri ligjor dhe institucional është forcuar, qëndron ende risku i zbatimit.
Nga këndvështrimi makroekonomik, përpjekje më të mëdha duhet të bëhen për investimet në infrastrukturë, pasi vështirësitë në transport, energjetikë dhe infrastrukturë dixhitale kufizojnë konkurrueshmërinë dhe zvogëlojnë tregtinë.
Risku i teknologjisë mbetet një shqetësim për sistemin bankar. Ne jemi të vetëdijshëm se bankat që nuk ua dalin përballë risive teknologjike, rrezikojnë të humbasin një pjesë të konsiderueshme të veprimtarisë bankare. Kjo është veçanërisht e vërtetë për bankat që bazohen në sisteme kompjuterike që nuk janë në gjendje të përshtaten ndaj përvojës, shërbimeve dhe produktit që pret klientela.
Gjithsesi, ne shprehim besimin tonë se sistemi bankar në Shqipëri, nën mbikëqyrjen e Bankës së Shqipërisë, do të reagojë në kohë ndaj sfidave, me të cilat përballet ekonomia, nëpërmjet veprimeve dinamike që kërkohen nga situata.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.