Është realizuar vënia në punë e furrës së dytë elektrike në Uzinën e Ferro-Kromit në Elbasan, pjesë e AlbChrome, sipas nje njoftimi zyrtar te kompanise. Me vënien në punë edhe të furrës së dytë, AlbChrome dyfishon prodhimin e ferro-kromit në vend rrjedhimisht duke rritur edhe eksportet. Vënia e furrës së dytë elektrikë në punë është pjesë e planeve të Grupit Balfin për zhvillimin e AlbChrome dhe rritjen e prodhimit të ferro-kromit.
Sipas drejtorit të Uzinës së Ferro-Kromit në Elbasan, Alfred Vangjeli, hapja edhe e furrës së dytë u realizua nga ana e inxhinierëve dhe ekpertëve të vetë kompanisë AlbChrome në një kohë shumë të shkurtër. Ky investim ka bërë të mundur rritjen e mundësive për të përpunuar mineral nga minierat e kromit jo vetëm të kompanisë AlbChrome por edhe të minierave të tjera në vend. Tashmë uzina mund të dyfishojë prodhimin e ferro-kromit duke e çuar deri në 3000 ton në muaj prodhimin.
Shtimi i mundësive të prodhimit është një lajm i mirë edhe për ekportet shqiptare sepse shumica e produktit të ferro-kromit që prodhohet nga uzina e Elbasanit ka si destinacion tregun e jashtëm. Drejtori i Uzinës së Ferro-Kromit, Alfred Vangjeli, shprehet se: “Cilësia e produktit të ofruar nga uzina jonë është e niveleve dhe standardeve ndërkombëtare dhe ne bëjmë maksimumin për ruajtjen e cilësisë së lartë që kërkojnë partnerët tanë ndërkombëtar. Tashmë, me hapjen edhe të furrës së dytë, kemi rritur kapacitet prodhuese duke ofruar dyfishin e ferro-kromit që mund të prodhohej më parë.”
Në planet e investimit të Uzinës së Ferro-Kromit në Elbasan, pjesë e AlbChrome, është hapja e furrës së tretë e cila jo vetëm do të shtonte kapacitetin prodhues por edhe do të mundësonte diversifikimin e produktit. Furra e tretë elektrike është e projektuar për të prodhuar ferro-krom me karbon të ulët. Në këtë mënyrë rritet edhe konkurueshmëria e kompanisë përsa i përket produkteve që ofron në tregun ndërkombëtar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.