Vetëm 20% e parlamentarëve janë gra, 18% janë ministre dhe vetëm 47% e vendeve kanë në krye të shtetit një grua në 50 vitet e fundit në botë, shkruan Forumi Ekonomik Botëror.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare në Shqipëri, nga 140 mandate në Parlament, 32 u fituan nga gratë, ndërsa gjysma e kabinetit qeveritar janë ministre…
Kur Hillary Clinton priste për rezultatin e zgjedhjeve të Shteteve të Bashkuara, ajo ishte në një dhomë, e cila kishte një tavan të qelqtë. Të shumtë ishin ata që besonin se ajo ishte gati të thyente tavanin që, deri më tani, ka penguar gruan që të jetë në krye të Shtëpisë së Bardhë. Tashmë e dimë që Amerikës do t’i duhet të presë dhe pak për të pasur gruan e parë presidente.
Pas disa muajsh larg vëmendjes së publikut, Clinton u kthye sërish këtë javë, duke mbajtur një fjalim, në të cilin deklaroi se e ardhmja është një grua. Por, nëse kjo do të ndodhë, kemi pak punë për të bërë.
Sipas Raportit mbi Hendekun Global Gjinor nga Forumi Ekonomik Botëror, në gjysmën e shekullit të kaluar, vetëm 62 vende kanë pasur gra udhëheqëse. Në to përfshihet Bangladeshi, i cili numëron më shumë vite ku një femër ka shërbyer si udhëheqëse, dhe Sri Lanka, e cila hodhi themelet në vitin 1960 kur Sirimavo Bandaranaike u bë gruaja e parë udhëheqëse e një qeverie.
Mbretëria e Bashkuar tashmë ka gruan e dytë udhëheqëse, Theresa May. Të tjera vende europiane, veçanërisht ato nordike dhe shtetet e Ballkanit, po përparojnë për sa u përket femrave që kanë role drejtuese në shtet.
Sipas Bashkimit Inter-Parlamentar, pavarësisht se Ruanda, Bolivia dhe Kuba, aktualisht nuk kanë femra udhëheqëse, janë vende që kanë një përqindje të lartë të grave në Parlament.
Gratë në qeveri
Nënindeksi i Fuqizimit Politik në raportin mbi Hendekun Gjinor rendit vendet për mënyrën se si po mbyllin hendekun midis meshkujve dhe femrave për sa i përket pjesëmarrjes në nivelet më të larta të vendimmarrjes, si në nivelet e ministrave, ashtu edhe në pozicionet parlamentare.
Vetëm Islanda ka mbyllur më shumë se 70% të hendekut gjinor në këto fusha, ndërsa Finlanda rreth 60% të tij.
Në fakt, vendet nordike kryesuan renditjen, me Norvegjinë në vend të tretë dhe Suedinë në vend të gjashtë. Megjithatë, dhjetë vendet e para nuk janë kufizuar me vendet perëndimore. Nikaragua renditet e katërta, Bangladeshi në vend të shtatë, Ruanda në të tetin, India në të nëntin dhe Gjermania në vendin e dhjetë.
Sipas raportit, 39 vende kanë mbyllur afërsisht 10% të hendekut (i pandryshuar nga viti i kaluar). Omani, Libani dhe Katari kanë renditjen më të ulët në indeks, duke mbyllur më pak se 3% të hendekut gjinor në politikë.
Asnjë vend nuk e ka ngushtuar ende hendekun për sa i përket fuqizimit politik të grave.
Në dhjetë vendet e para për sa i përket Fuqizimit Politik, vetëm tre prej tyre kanë një udhëheqëse femër – Erna Solberg, kryeministrja e Norvegjisë që nga 16 tetori 2013-s, Sheikh Hasina, kryeministrja aktuale e Bangladeshit që nga janari i 2009-s dhe Anxhela Merkel, kancelarja e Gjermanisë, që nga viti 2005.
Pse ka rëndësi gjinia në politikë
Në vitet e fundit, përfaqësimi i femrave në politikë është përmirësuar. Më shumë se tre të katërtat e të gjitha femrave presidente apo kryeministre kanë marrë drejtimin në 20 vitet e fundit.
Gjithsesi, hendeku midis meshkujve dhe femrave për sa i përket fuqizimit politik mbetet i gjerë, rreth 23%, megjithëse ka treguar tendenca të ngadalësimit dhe përmirësimit në vitet e fundit.
Vetëm 20% e parlamentarëve janë gra, 18% janë ministre dhe vetëm 47% e vendeve kanë në krye të shtetit një grua në 50 vitet e fundit.
Fuqizimi politik i grave është i rëndësishëm, pasi sjell diversitet gjinor në tryezën qeverisëse.
Pjesëmarrja më e madhe e grave në politikë krijon demokraci më të forta, thotë një nga publikimet më të fundit të UNWomen.
Të dhënat tregojnë se gratë në lidership në vendimmarrjet politike përmirësojnë proceset.
Gratë kanë demonstruar lidershipin politik, duke punuar në linjë me partinë dhe duke mbrojtur çështjet e barazisë gjinore siç është eliminimi i dhunës me bazë gjinore, leja prindërore dhe kujdesi ndaj fëmijëve, ligjet e barazisë gjinore dhe reformat elektorale. Dështimi për të lejuar gratë që të marrin pjesë në politikë do të thotë dështim për të arritur një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë.
UNWomen ka identifikuar katër mënyra për të rritur pjesëmarrjen e grave në qeveri, përfshirë dhe vendosjen e objektivave numerikë për sa u përket pozicioneve drejtuese, për të zgjeruar dhe për të diversifikuar pjesëmarrjen e grave të kualifikuara dhe të afta për të garuar në zgjedhje; për të rritur ndërgjegjësimin për përfitimin që sjellin gratë në politikë; dhe për të inkurajuar mbështetjen e drejtë për gratë në institucionet qeverisëse.
Në Shqipëri, objektivi numerik është që 30% e mandateve në Parlament të përfaqësohen nga femrat. Aktualisht, vetëm 23% e mandateve i mbajnë femrat, ndërsa për sa i përket kabinetit qeveritar, ai është i ndarë 50 me 50.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.