Do të vëzhgojnë trafikun, do të analizojnë tonelata të dhënash, do të komunikojnë mes tyre dhe me automjetet dhe do të na kursejnë kohë (le të shpresojmë)
Semaforët rrugorë ekzistojnë prej thuajse një shekulli dhe në gjithë këtë kohë nuk kanë ndryshuar shumë. Disa alternojnë në mënyrë të caktuar kohën e dritës së gjelbër, të kuqe dhe të verdhë, pavarësisht trafikut. Të tjerë, të kohës së fundit, kanë sensorë që rregullojnë dritat në bazë të numrit të automjeteve përpara në semafor. Henry Williams shpjegoi në “Wall Street Journal” se disa kompani startup dhe automobilistike, nëpërmjet Inteligjencës Artificiale, synojnë që “trafiku në qytet të bëhet një kujtim i largët”.
Por, edhe pa shifra dhe të dhëna, kushdo që ka hipur në makinë, e di se semaforët janë instrumente të dobishme, por sigurisht mund të përmirësohen. Dorsa Sadigh, profesore në “computer science” në Universitetin e Stanford, shpjegoi për “Wall Street Journal” se disa studime kanë treguar që, në një qytet hipotetik, pa këmbësorë dhe shoferë njerëzorë – pra janë vetëm makinat me vetëdrejtim – semaforët do të ishin të padobishëm. Makinat me vetëdrejtim mund të komunikonin dhe të rregulloheshin me njëra-tjetrën se si ta menaxhonin trafikun. Por, duke qenë se këmbësorët do të vazhdojnë të jenë për një kohë të gjatë, janë duke u përpjekur të zhvillojnë mënyra për t’i bërë semaforët më inteligjentë dhe efikasë.
Ideja është të realizojnë semaforë që, përveçse të shikojnë nëpërmjet një sensori se çfarë kanë përpara, të mund të komunikojnë me automjetet dhe me të gjithë semaforët e tjerë, për ta lehtësuar trafikun. Semaforët e pajisur me Inteligjencë Artificiale do t’u jepnin një lloj përparësie edhe disa automjeteve të caktuara, si për shembull ambulanca, makina policie dhe mjete të transportit publik.
Gjëja e parë që duhet të bëhet është krijimi i një Inteligjence Artificiale që të funksionojë dhe të sigurojë sa më shumë informacione që të jetë e mundur. Kjo është arsyeja se pse shumë startup po mbledhin të gjitha të dhënat e mundshme mbi trafikun në disa kryqëzime dhe qytete.
Rapid Flow Technologies (RTC) është duke punuar për një plan të menaxhimit të trafikut, të quajtur Surtrac, tashmë aktiv në East Liberty, një zonë e Pittsburgh, në Pensilvani. Semaforët e East Liberty, në të cilët është instaluar Surtrac, komunikojnë mes tyre, duke lehtësuar trafikun në bazë të të dhënave që kanë në dispozicion. Greg Barlow, një ndër themeluesit e RTC, ka thënë se, falë Surtrac “një semafor vendos se si të programohet në bazë të asaj që shohin sensorët e tij dhe në bazë të asaj që shohin të gjithë të tjerët”. Që nga momenti që është instaluar Surtrac, trafiku në East Liberty, është reduktuar me 42 për qind.
Përveçse u lejon njerëzve të mbërrijnë më shpejt në destinacion, Surtrac redukton edhe frenimin, ndalesat dhe rinisjet, duke zvogëluar edhe ndotjen në mjedis. Hapi i ardhshëm i RTC është të zhvillojë një sistem që u lejon shoferëve të ndajnë itinerarin e tyre të parashikuar, kështu që sistemi të përshtatet me rrethanat. Ndërkohë RTC po zgjerohet në disa zona të Atlantës dhe në qytete të tjera në verilindje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në artikullin e “Wall Street Journal” flitej edhe për Vivacity Labs, një startup në qytetin e Milton Keynes, në Mbretërinë e Bashkuar. Për momentin nuk ka një sistem operativ te semaforët, por gjëja interesante është se sensorët e tij “nuk mbledhin vetëm informacione; çdo sensor është në fakt një kompjuter i fuqishëm, i lidhur me një telekamerë, i cili është në gjendje të analizojë trafikun që telekamera sheh në kryqëzim”, duke bërë parashikime edhe për trafikun në vijim. Siç shkruan Williams, aplikacione si Google Maps, mbledhin informacione në kohë reale, tregojnë se si është situata, por e kanë të vështirë të thonë se si do të jetë aty pas disa minutash. Ndërsa falë sistemit të Vivacity Labs është e mundur të parashikohet se si “do të jetë trafiku më vonë”.
Mbeten shumë gjëra për t’u bërë. Karina Ricks, përgjegjëse për lëvizshmërinë dhe infrastrukturat në Pittsburgh, tha se për shembull ka një dallim të dukshëm midis një autobusi me 30 persona në të dhe një autobusi me vetëm një person, të cilin një sistem vërtet inteligjent duhet ta marrë në konsideratë. Një tjetër problem është që semaforët, të vetëm, nuk kanë mjaftueshëm të dhëna. Është e nevojshme edhe që makinat të dinë se ku janë dhe ku do të shkojnë. Megjithatë, diçka po ndryshon. Ata që drejtojnë disa modele Audi në Las Vegas, marrin për shembull informacione për disa semaforë para se të mbërrijnë aty, apo nëse semafori të cilit janë duke iu drejtuar është i kuq apo jo dhe, pas sa sekondash, do të ndryshojë ngjyrë.
Dhe në fund, dy kuriozitete që nuk kanë të bëjnë me Inteligjencën Artificiale, por zbulojnë se pse thuajse një shekull më parë u zgjodhën të përdoren e gjelbra, e kuqja dhe e verdha. Siç shpjegon “Quartz”, janë tre ngjyrat me më shumë gjatësi vale në spektrin e dukshëm. Semaforët e parë hekurudhorë përdornin të bardhën për “vazhdo” dhe të kuqen për “ndal”, por duket se pati probleme, për shkak të thyerjes së lenteve të kuqe, që i bënin dritat e kuqe të dukeshin të bardha (kështu që trenat që duhet të ndaleshin, përkundrazi vazhdonin). Thuhet se gjatë Revolucionit Kulturor në Kinë, Mao Ce Dun mendoi që t’i ndryshonte anasjellas të gjelbrën dhe të kuqen (pasi e kuqja, ngjyra e revolucionit, duhet të nxiste që të vazhdoje, dhe jo të ndaleshe), por nuk ia arriti.
Burimi: Il Post