Qeveria është në përpjekjet e fundit për t’i dhënë jetë një projekti që thotë se është reformë në energji, por që në ngjizje, duket e vështirë për ta mbajtur gjallë.
Reforma e parapëlqyer që thirret me këtë emër nga qeveria synon të shkëpusë nga sistemi aktual i furnizimit, bizneset që konsumojnë më shumë energji, për të lehtësuar nga ngarkesa dhe për të ulur humbjet te furnizimi i konsumatorëve familjarë, që janë më të shumtë në numër dhe më të shpërndarë gjeografikisht. Bizneset që shkëputen nga burimi tradicional duhet të gjejnë energji në treg të lirë te shitësit vendas ose ta importojnë. Meqenëse brenda vendit, vitet e fundit janë krijuar disa burime të reja të prodhimit të energjisë elektrike, me këtë projekt qeveria tenton që me një veprim të zgjidhë dy probleme njëherësh: dhe të krijojë treg për këto HEC-e, por edhe të japë mundësi furnizimi alternativ me kosto të pretenduara më të lira për bizneset. Pra tentohet një treg i liberalizuar, që nuk ka monopolin e furnizuesit të vetëm, sepse qeveria e merr të mirëqenë që liberalizimi vetvetiu ka me vete edhe skemën e suksesit.
Në dukje ky projekt duket se i adresohet drejt sëmundjes së hershme të sistemit energjetik në vend, deficiti i lartë mes kërkesës për energji dhe pamundësisë për ta përballur me burime vendase. Së dyti, kosto të larta të transmetimit që prodhojnë humbje të mëdha dhe që kërkojnë investime të mëdha për t’u rikuperuar dhe që nuk arrin të plotësojë me kosto të ulëta dhe furnizim ritmik për konsumatorin familjar, pasi ka vetëm një shitës energjie (OSHEE).
Tani pretendohet që të ketë më shumë shitës, por edhe blerës, të cilët ishin pasivë dikur, pasi energjinë dhe çmimin e kishin të fiksuar dhe garantuar që më parë nga monopoli i OSHEE-së.
Po a do të prodhojë rezultat kjo skemë? Pra a do të munden bizneset e shkëputura nga burimi i OSHEE-së, të gjejnë lehtë dhe lirë sa herë që u duhet energji elektrike? Përgjigjet e kësaj pyetjeje kalojnë nëpër një labirint që duket se nuk ka rrugëdalje.
Sepse së pari, aktorët kryesorë të tregut, biznesi i madh që do të shkëputet nga forma aktuale e furnizimit është ende i paqartë. Ai nuk është informuar plotësisht se si do të rregullohen marrëdhëniet me shitësit e rinj të energjisë. Çfarë kostosh shtesë ka kjo marrëdhënie mes palëve? Po në rast mosmarrëveshjesh për çmimin, që është “thembra e Akilit” në gjithë këtë proces, ku do ta gjejë ai energjinë elektrike, duhet të ndërpresë aktivitetin? Kush është garanti? Këto biznese ende nuk e dinë, sepse as qeveria nuk i ka gati e ndoshta nuk i di. Biznesi vetëm është urdhëruar që duhet të ndërpresë marrëdhëniet me OSHEE-në.
Së dyti, prodhuesit lokalë të energjisë (HEC-et) sot nuk garantojnë prodhim të vazhdueshëm gjatë gjithë vitit të energjisë elektrike. Kjo lidhet me specifikat e lumenjve mbi të cilët kanë ndërtuar e kanë prurje të ujërave, të përqendruara vetëm në disa muaj të vitit dhe më pas kanë burime të kufizuara. Ndërkohë, investimet e këtyre HEC-eve janë bërë mbi plane biznesi me çmim të fiksuar dhe kontrata të garantuara nga shteti. Por tani, kjo marrëdhënie është prishur nga qeveria e re dhe çmimi i energjisë elektrike që këta mund të shesin në rastin më të mirë do të jetë më i lartë, sepse ata shesin me pakicë dhe këtu ndëshkohet biznesi blerës. Në rastin më të keq, çmimi do të jetë më i ulët, pasi të gjithë do të shesin në të njëjtën kohë, dhe kjo do të jetë me leverdi për blerësit, por jo për HEC-et që shkojnë drejt falimentimit. Në të dyja rastet, krijohet dëm i madh madje që prek drejtpërsëdrejti sigurinë kombëtare.
Së treti, tregu i energjisë aktualisht rregullohet nga enti. Cili do të jetë roli i ri i Entit të Energjisë? Sa fuqi do të ketë ai të diktojë dhe çmimet, që është thelbi i çështjes. Tani enti e bën me OSHEE-në, por nesër me më shumë operatorë?
Janë edhe shumë pyetje të tjera që kërkojnë përgjigje, por të prekurit nga kjo “reformë” ende nuk dinë gjë.
Black-out-i i energjisë, në disa vende perëndimore në Europë, rreth një dekadë më parë, tregoi se energjia, edhe pse shitet e blihet si çdo mall, nuk është mall dosido. Ai nuk mund të blihet e magazinohet e të shitet në një moment kur shitësi dhe blerësi bien në marrëveshje, ajo rrjedh dhe kërkon ritëm. Reforma e qeverisë duket se nuk e ka marrë parasysh këtë fakt dhe kështu siç është servirur deri tani, krijohen gjasa për probleme të mëdha në furnizimin me energji të bizneseve, që pa asnjë diskutim, do të gjymtojë ekonominë. Por nëse e dinë këtë gjë, atëherë me gjasë ujërat e saj shkojnë drejt qëllimit për të rritur çmimin e energjisë nga bizneset. Me strukturën e sotme nuk e blejnë dot, sepse shitësi OSHEE është publik, ashtu si dhe enti, dhe barra e rritjes së çmimit e kostove të biznesit do të bjerë mbi qeverinë. Me shkëputjen e bizneseve nga rrjeti, kjo barrë fshihet pas petkut të tregut të lirë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.