…dhe me gjithë ditët e zymta të janarit
“E hëna blu” thuhet se është dita më e mërzitshme e vitit, teksa Krishtlindjet dhe Viti i Ri duket se janë një kujtim i largët.
Muajt e dimrit mund të jenë veçanërisht të vështirë për pacientët me çrregullime emotive sezonale (Seasonal Affective Disorder – SAD), sipas ekspertes së gjumit të Silentnight, Dr. Nerina Ramlakhan.
Këto çrregullime prekin 1 në 15 persona dhe karakterizohen nga humori jo i mirë, irritimi dhe gjendja e përgjumjes gjatë ditës.
Këto patologji janë një tip depresioni që vjen e shkon në një stinë të caktuar – sipas NHS.
Çfarë është e “Hëna blu?”
Ajo llogaritet duke marrë për bazë disa faktorë me një formulë matematikore.
Këta faktorë janë: moti, niveli i borxhit (veçanërisht diferenca mes borxhit dhe aftësisë sonë për ta paguar), koha që ka kaluar që nga Krishtlindjet, koha që ka kaluar që nga dështimi i arritjes së qëllimeve të vitit të ri, motivimi i ulët dhe ndjesia për të marrë përgjegjësitë e duhura.
Duke përdorur formulën e mësipërme, është llogaritur se “E hëna blu”, për këtë vit është 15 janari. Por mund të ndodhë që ajo të jetë edhe e hëna e dytë apo e katërt, ose e hëna e javës së fundit të janarit. “E hëna e parë blu” ka qenë më 24 janar 2005.
Si të përballeni me të “hënën blu” dhe gjithë ditët e zymta të janarit
Bëni ushtrime
“Gjatë dimrit, njerëzit janë shpesh më pak të motivuar për të bërë ushtrime, por ato janë të rëndësishme nëse doni të përmirësoni humorin tuaj”, – thotë dr. Ramlakhan.
“Ushtrimet fizike reduktojnë nivelin e hormonit të stresit dhe do t’ju japin një vizion më të qartë e pozitiv të jetës; po ashtu ju do të flini më mirë dhe do të ndiheni më energjik të nesërmen”.
Hobi
Ju mund të bëni diçka që ju pëlqen ose të planifikoni një udhëtim. Për shembull shkoni në kinema ose organizoni një mbrëmje me miqtë tuaj.
Shëtisni sa më gjatë
“Drita e diellit” rrit sasinë e “hormonit të lumturisë” serotoninës në trup, thotë Ramlakhan. Gjatë muajve të dimrit, sasia e serotoninës në trupin e njeriut bie për shkak të ditëve më të shkurtra, prandaj është e rëndësishme të dilni nga shtëpia sa më shumë të jetë e mundur. “Edhe vetëm gjysmë orë në ditë gjatë pushimit të drekës do të bënte ndryshimin, do të vrisnit dy zogj me një gur; marrja e një sasie të madhe drite ndihmon në rregullimin e ritmit kikardian”.
Hani shëndetshëm
Ngrënia e ushqimeve të shëndetshme nxit prodhimin e serotoninës dhe në këtë mënyrë ju mund t’i përballoni më mirë ditët e zymta të janarit.
“Gjatë ditëve të dimrit shumë prej nesh kërkojnë ushqime të pasura me karbohidrate, të cilat janë një pjesë jetësore e regjimit ushqimor, por është po aq e rëndësishme gjetja e një ekuilibri”.
“Nëse keni nevojë të thyeni oreksin, ju mund të hani bajame, banane dhe domate; të gjitha këto nxisin prodhimin e serotoninës dhe përmirësojnë humorin tuaj”.
“Regjimi i shëndetshëm ushqimor luan një rol të rëndësishëm edhe tek gjumi ynë. Është e këshillueshme të mos hani një darkë të rëndë para se të flini. Por nëse zgjoheni shpesh natën me ndjesinë se ndiheni të uritur, atëherë mund edhe të hani diçka të lehtë para se të flini”.
Qëndroni larg teknologjisë
Të qenët vazhdimisht në kontakt me teknologjinë mund të ndikojë negativisht në humorin tuaj.
Çelësi për të larguar zymtësinë e netëve të janarit është të qëndroni larg teknologjisë. Shmangni rrjetet sociale dhe email-in 90 minuta para se të flini. Lexoni më mirë një libër, dërgjoni muzikë ose bëni një banjë relaksuese.