“E mërkura e zezë” e Facebook

05/04/2018 5:15 PM 0 komente

Përkeqësohet skandali Cambridge Analytica, në shënjestër edhe kërkimi i profileve

 

Për Facebook ishte një e mërkurë (dje) për t’u harruar në disa drejtime, të gjitha të lidhura me një emërues të përbashkët: privatësia dhe siguria e platformës së tij.

Në fillim Mike Schroepfer, përgjegjës i teknologjisë i shoqërisë, theksoi në një post në blogun e tij zyrtar, se numri i account-eve të përfshirë në skandalin Cambridge Analytica nuk ishte 50 milionë, por 87 milionë.

Duke nisur nga e hëna (9 prill) Facebook do të njoftojë përdoruesit potencialë të përfshirë “nëse informacionet e tyre mund të jenë përdorur në mënyrë të papërshtatshme me Cambridge Analytica”. Pjesa më e madhe (70 milionë) janë përdorues rezidentë në Shtetet e Bashkuara. Përdorues të tjerë, të dhënat e të cilëve mund të jenë keqpërdorur janë nga Filipinet, Indonezia, Mbretëria e Bashkuar, Meksika, Kanadaja etj.

Por nuk mbaron me kaq, sepse edhe funksioni i kërkimit është vënë në qendër të problemeve së bashku me të dhënat e mbledhura nga palë të treta. Më specifikisht, disa përdorues (me shumë mundësi pjesa më e madhe) mund të kërkohen në rrjetet sociale nëpërmjet adresës së email-it apo numrit të telefonit.

“Do të supozoja – tha administratori i deleguar Mark Zuckerberg – se nëse e keni aktivizuar atë funksion, dikush në një moment të caktuar mund të ketë përdorur informacionet tuaja publike në njëfarë mënyre”.

“Njerëzit dashakeqës – shton Schroepfer – mund të kenë abuzuar me këtë funksion për të mbledhur të dhëna nga profilet publike[…]. Kështu e kemi çaktivizuar këtë funksion”.

Një tjetër risi lidhet me mbledhjen e të dhënave në regjistrin e telefonatave dhe mesazheve të dërguar apo të marrë në pajisjet Android. “E kemi rishikuar këtë funksion – shpjegon Schroepfer – për të konfirmuar që Facebook nuk e ruan përmbajtjen e mesazheve dhe se do t’i fshijë këto regjistra pas një viti. Në të ardhmen, në serverët tonë do të jenë vetëm informacionet e nevojshme të klientëve për të ofruar këtë funksion.

Nuk do të ishte një “e mërkurë e zezë”, nëse Facebook nuk do të pohonte edhe krizën tek Messenger, duke konfirmuar se gjithë imazhet, link-et e mesazhet që dërgohen dhe merren u nënshtrohen kontrolleve me qëllimin që përmbajtja të mos shkelë rregullat e kompanisë.
Siç shpjegon Zuckerberg për Bloomberg, Facebook përdor të njëjtat mjete për të vlerësuar dhe për të moderuar përmbajtjet në pjesën tjetër të rrjetit social, edhe për mesazhet në Messenger.

“Për shembull, në Messenger – shpjegon një burim – kur dërgoni një foto, sistemet tona automatike e skanojnë atë duke përdorur një teknologji të krahasimit të fotove për të zbuluar imazhe të shfrytëzimit të të miturve, ose kur dërgoni një link, sistemi është në kërkim të malware apo viruseve”.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of