Rënia në vlerë absolute ishte 230 mln lekë, apo 1%. Duke llogaritur dhe inflacionin dhe rritjen ekonomike, tkurrja reale e të ardhurave ishte 5.9% në shtator. Në rënie 26% tatim fitimi …
Duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Statistikat fiskale të përpunuara nga të dhënat progresive të Ministrisë së Financave për periudhën janar-shtator 2015 flasin për një rënie në vlerë absolute të të ardhurave në shtator 2015 raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me 230 milionë lekë më pak se shtator 2014, apo 1% më të ulëta. Duke llogaritur dhe inflacionin (2.2% në shtator) dhe rritjen ekonomike (2.7% të pritshme këtë vit), tkurrja reale e të ardhurave ishte 5.9% në shtator.
Themi e pabesueshme sepse në shtator financat kishin raportuar rritje të ndjeshme të xhiros së bizneseve,me 14 miliardë lekë, apo rreth 34%, rreth 33 mijë biznese të reja, reth 60 mijë punonjës të deklaruar, rritje të ndjeshme të përdorimit të kasave, 4800 kasa të instaluar rishtazi etj etij. E gjitha kjo ishte raportuar si sukses në kuadër të aksionit masiv antiinformalitet, që u shoqërua me një presion të lartë mbi bizneset, duke ngjallur dhe reagimin e ashpër të tyre.
Të ardhurat e mbledhura në shtator 2015 ishin 22.2 miliardë lekë, nga 22.5 miliardë lekë në shtator 2014, duke qenë 2.6 miliardë lekë më pak se plani.
Efektin kryesor në këtë rënie e kanë pasur tatim fitimi dhe akciza.
Të ardhurat nga tatim fitimi ishin 1.6 miliardë lekë, duke rënë me 26%, në një reflektim të situatës së vështirë që po kalojnë bizneset. Shtatori ishte dhe muaji i fundit i tremujorit të tretë, nëse kemi parasysh që në bazë të ligjit, tatimi mbi fitimin paguhet një herë në tre muaj.
Edhe të ardhurat nga akciza ranë me 19%, në 3.6 miliardë lekë, ku sipas financave arsyeja kryesore lidhet me tkurrjen e importeve të cigareve.
Të ardhurat nga TVSH u rritën me 3% dhe nga tatami mbi të ardhurat me 9%.
Rritje me 25% shënoi zëri taksa nacionale dhe të tjera.
Për 9 mujorin të ardhurat në buxhet ishin 6.9 miliardë lekë më pak se plani i rishikuar, duke thelluar gropën në raport me 8 mujorin (ku mosrealizimi ishte 1.5 miliardë lekë). http://www.monitor.al/deshton-aksioni-antiinformalitet-financat-thellojne-gropen-me-6-9-miliarde-leke-ne-shtator/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.