E premtja e zezë shqiptare

04/12/2018 4:45 PM 0 komente

Nuk ka rëndësi se çfarë dite jave është apo çfarë emri do t’i vendosim, n.q.s ka ulje çmimesh në dyqane të caktuara, shqiptarët do të mbajnë radhën. Si një ditë e caktuar blerjeje, e huazuar në realitetin shqiptar, do të shndërrohet në një motiv që do të gjenerojë të ardhura të shumta në xhepat e bizneseve shqiptare. Black Friday ka ardhur edhe në Shqipëri…

 

Nga Deada Hyka

Sporti amerikan i gjuetisë së ofertave të leverdishme dhe konsumi i spikatur për ditën e njohur si e “Premtja e Zezë” (Black Friday), ka nisur të ushtrohet edhe në Shqipëri. Por, jo vetëm kaq. Kjo e Premte e Zezë, ndiqet nga e Hëna e Internetit (Cyber Monday), që i nxit konsumatorët të hapin kuletat e tyre dhe zyrtarisht nisin stinën e blerjeve, pak para festave të fundvitit. Si një ‘sport’ i huazuar, vjen me kosto të tjera në vendin tonë. Duhet të kemi parasysh se në origjinë, E premtja e Zezë nisi të aplikohet në Ditën pas Falënderimeve (Thanksgiving Day) në një kontekst pazaresh.

Origjina e saj daton në Filadelfia (SHBA), ku është përdorur për të përshkruar trafikun e rënduar, të këmbësorëve dhe automjeteve, Ditën pas Falënderimeve, duke qenë se shquhej si një ditë e mirë për të bërë blerje. Më pas mbeti si një ditë uljesh të papara dhe vrulli konsumatorësh për të blerë çfarë të munden. Ndërsa e Hëna e Internetit është zakonisht e hëna pas Ditës së Falënderimeve, nxitur nga shitësit në internet si një ditë për blerje online me ulje të jashtëzakonshme. Tani po pyesni çfarë lidhje kanë këto me realitetin shqiptar ku Dita e Falënderimeve nuk ekziston dhe njihet (as)pak?

Në fakt, asnjë. E “Premtja e Zezë” dhe “E Hëna e Internetit” janë dy terma që më shumë se gjysma e bizneseve shqiptare në fushën e shitjeve me pakicë i kanë aplikuar prej pak vitesh, me qëllim promovimin e blerjeve të shumta me leverdi (ulje të theksuara). Çfarë ndodh në këtë rast? Turma njerëzish që vërshojnë në dyqane të shumta: veshjesh, elektronike, supermarkete, etj. Kjo vjen pak pas një vrulli blerjesh për Halloween, sërish një tjetër “festë” e huazuar nga jashtë vendit. Kjo ndodh pak para festave të Nëntorit, shpenzimet për të cilat ishin kryesisht udhëtime apo ushqime, duke qenë se përkuan me disa ditë pushimi zyrtare. Kjo ndodhi pak para festave të fundvitit, ku sërish portofoli do të hapet. Megjithatë, duke importuar edhe arsyen se pse kryhen blerjet kryesore në SHBA, edhe në Shqipëri, pjesa më e madhe e tyre bëhet për festat e fundvitit.

 

E Premtja e Zezë në SHBA

Shpenzimet e së Premtes së Zezë u rritën sërish këtë vit në SHBA. Blerësit shpenzuan rreth 23 miliardë dollarë gjithsej në dyqane dhe në internet, gjatë fushatës së shpenzimeve 24-orëshe, sipas Mastercard. Kjo shifër është rritur me 9% nga viti i kaluar, e ndikuar nga blerjet në internet, që u rritën 24% gjatë vitit të kaluar, me një rekord të lartë prej 6.22 miliardë dollarësh, sipas Adobe Analytics. Por, për çfarë janë shpenzuar më shumë këto para? Shumica e blerjeve ka qenë jastëkë, iPad dhe TV, sipas të dhënave të firmës Numerator, e cila identifikoi blerjet më të njohura të së Premtes së Zezë nga një analizë prej më shumë se 50,000 faturash nga Walmart, Target, Best Buy, Costco dhe Sam’s Club. blerjet më të shumta në numër janë kryer në Amazon, i cili prej vitesh kryeson me shitjet më të larta gjatë së Premtes së Zezë.

 

Po në Shqipëri?

Nëse ka diçka që tërheq vëmendjen e konsumatorëve shqiptarë në ditë të caktuara uljesh, këto janë padyshim veshjet. Të pyetur nga “Monitor”, grupi Fashion Group që ka një numër dyqanesh në qendrën TEG, si dhe përfaqësuesit e shitjeve në dyqanet Lindex, La Halle, dy përfaqësues europianë në Ring Center, pohojnë se ka pasur flukse shitjesh gjatë ofertave për Black Friday. Fushata nisi më 25 nëntor, ditën e premte dhe vijoi edhe në fundjavë.

Në shumë dyqane, uljet, që arritën 70%, joshën shumë konsumatorë. Sipas tyre, nuk pati vetëm një kategori produkti që u zgjodh më shumë, përkundrazi, nga fëmijët deri te të rriturit, veshje apo këpucë, të gjithë u blenë masivisht. Përfaqësuesit e Fashion Group pohuan se sidomos për fëmijët u bënë blerje të shumta, duke qenë se prindërit shqiptarë shpenzojnë në një masë të konsiderueshme për fëmijët e tyre.

Përfaqësuesit e shitjes nga Lindex Albania pohuan se ditën e Black Friday, kishte aq shumë blerje në dyqan, sa ngjasonte me filmat amerikanë të kësaj kategorie. Edhe një grup dyqanesh të shitjes me pakicë në rrugën “Myslym Shyri” thanë se përqafuan këtë trend të huazuar të uljes për Black Friday, gjë e cila u shoqërua me interes në rritje nga konsumatorët.

Një kategori që mori me dhjetëra blerje në dyqane të ndryshme të tregtisë me pakicë ishin elektroshtëpiaket dhe elektronika. Shqipëria, sipas të dhënave të Eurostat, është ndër vendet më të shtrenjta në Europë për pajisjet elektronike, por kjo nuk konsiderohet pengesë, përkundrazi, trendet tregojnë për rritje të shitjeve të këtyre pajisjeve. Përfaqësues nga Neptun, Globe dhe MobilTech pohuan për “Monitor” se kanë aplikuar ulje fundjavën që ndoqi Të Premten e Zezë. Sipas tyre, produktet që u zgjodhën më tepër ishin: kondicionerë, lavatriçe dhe frigoriferë, por edhe pajisje të tjera të vogla shtëpiake si hekur.

Nga ana tjetër, edhe televizorët smart dhe laptop vijuan që të jenë të kërkuar. Nga dyqani MobilTech pohuan se janë shitur celularë, konsumatorët kryesisht ndërruan një model telefoni, duke përfituar nga ofertat për të blerë një të ri.
Një tjetër kategori e kërkuar nga shqiptarët, ishin lodrat për fëmijët, por më të pakët në numër krahasuar me kategoritë e lartpërmendura. Ulje për të Premten e Zezë u aplikuan edhe në shërbimet e fotografisë nga studio të ndryshme në Tiranë. Kryesisht ishin familjet me fëmijët e tyre që zgjodhën të merrnin një shërbim profesional fotografie afër festave të fundvitit.

 

Blerjet online

Diçka për të cilën website e komercit online shquhen janë përshtatja më e shpejtë me trendet e huaja, sikurse edhe Black Friday. Kjo, sepse edhe ideja dhe metodika e tyre e punës është kryesisht e huazuar dhe e përshtatur më shumë me frymën ndërkombëtare, se sa një dyqan i caktuar fizik. Marketimi i një dite të tillë është më i thjeshtë nga këto dyqane online, si dhe disa prej tyre, ndryshojnë edhe pamjen vizualisht për këtë ditë. Ulje të jashtëzakonshme nga 50-70% ka pasur në shumë website shitjesh online, duke përfshirë segmente të ndryshme të produkteve të ofruara.

Dyqan Taxi, Bukinisti dhe Gjeje Vetë ishin tre dyqane online që ofruan ulje të ndryshme për produktet e tyre. Sipas përfaqësuesve të këtyre faqeve, ka pasur interes nga konsumatorët për të blerë, sidomos në rast se produktet me ulje ishin të preferuara për fundvit. Megjithatë, pas elektronikës dhe produkteve të vogla elektroshtëpiake, një përqindje e caktuar kanë kërkuar edhe libra, si një produkt që mund të dhurohet në prag festash.

 

Pse u bë kaq popullore e Premtja e Zezë?

Ndërsa shitësit filluan të kuptonin se mund të nxisnin turma të mëdha konsumatorësh duke zbritur çmimet, E Premtja e Zezë u bë ditë e shkëlqyer për të blerë, madje edhe më mirë se ato shitje të Krishtlindjeve të minutës së fundit.

Disa shitës me pakicë i vendosin artikujt e tyre për shitje në mëngjesin e Ditës së Falënderimeve, ose ua dërgojnë me e-mail konsumatorëve ditë ose javë përpara ngjarjes aktuale, ose nëpërmjet formave të tjera të marketingut. Shumica e artikujve janë elektronikë dhe lodra të njohura, pasi këto mund të jenë produkte me uljet më drastike. Megjithatë, çmimet janë ulur në çdo gjë, nga orendi për shtëpi deri te veshjet.

E Premtja e Zezë është një ditë e gjatë, që për shumë shitës me pakicë hapet në orët e para të mëngjesit dhe një turmë njerëzish që presin me ankth jashtë dyerve. Ka marrëveshje të shumta dhe çmime aq të ulëta sa që dyqani nuk mund të bëjë fitim – vetëm e vetëm që të tërheqë blerësit. Shumica e shitësve të mëdhenj vendosin paraprakisht kuponët dhe ofertat online të së Premtes së Zezë për t’u dhënë konsumatorëve kohë për të parë se ku janë uljet dhe për të planifikuar blerjet e tyre. Kompani të tjera marrin një qasje tjetër, duke pritur deri në momentin e fundit të mundshëm për të nxjerrë reklamat e tyre të së Premtes së Zezë, duke shpresuar që të krijojnë një lëvizje dhe t’i mbajnë konsumatorët me padurim të kontrollojnë përsëri për një njoftim.

Gjithnjë e më shumë, konsumatorët zgjedhin të blejnë në internet, duke mos dashur të presin jashtë, në mëngjes shpejt apo në “betejë” me blerësit e tjerë, mbi artikullin e fundit më të kërkuar. Shpesh, shumë njerëz kërkojnë të blejnë në disa oferta me kohë të kufizuar të quajtura “door – buster”, të tilla si televizorë apo laptopë, për disa qindra dollarë. Meqenëse këto sende të lakmuara shiten shpejt, shumë pak blerës largohen nga dyqani bosh. Përfitimi i blerjeve në internet është se do ta dini menjëherë nëse MP3 player që dëshironi është shitur dhe lehtë mund të gjeni një tjetër pa pasur nevojë të udhëtoni nga dyqani në dyqan.

 

Shpenzimet e së Premtes së Zezë

Në 2017, shitjet arritën në 691.9 miliardë dollarë (5.5% më shumë se 2016). (Burimi: NRF) Blerjet online arritën 7.9 miliardë. Ky nivel i shpenzimeve është rritur 17.9% nga viti 2016. (Burimi: Adobe Analytics) Rreth 13 milionë transaksione online janë kryer në të Premten e Zezë 2017 dhe 12.5 milionë, gjatë Ditës së Falënderimeve (Burimi: Hitwise) 174 milionë amerikanë kryen të paktën një blerje gjatë të Premtes së Zezë në 2017 (Burimi: NRF) Shpenzimet mesatare për person për fundjavën e Falënderimeve 2017 ishin 335.47 dollarë – dhe 251 dollarë për dhurata. Mosha 25 deri 34 vjeç shpenzuan më shumë për person (419.52 dollarë) (Burimi: NRF)

Sjellja e konsumatorit të së Premtes së Zezë

Në vitin 2017, 11% e blerësve të Premten e Zezë filluan të blinin para orës 5:00 të mëngjesit, në Ditën e Falënderimeve. Një tjetër 11% filloi në orën 6:00 të mëngjesit. Dhe një tjetër 25%, në orën 10:00 të mëngjesit ose më vonë në të Premten e Zezë. (Burimi: NRF)
Në krye të sezonit të festave të vitit 2017, 69% e blerësve thanë se kishin planifikuar të blinin në të Premten e Zezë dhe 49% thanë se planifikonin të blinin në Ditën e Falënderimeve. (Burimi: Offers.com)

E Premtja e Zezë në internet dhe në dyqane

Gjatë fundjavës së të Premtes së Zezë në 2017, ishin 64 milionë blerës, si në online ashtu edhe në dyqane fizike. 58 milionë prej tyre blenë vetëm online (Burimi: NRF)
Në krye të sezonit të blerjes së festave, pak më shumë se 44% e konsumatorëve thanë se planifikuan të blinin online në të Premten e Zezë 2017, se në dyqan (42%). (Burimi: Offers.com)

Produktet kryesore të së Premtes së Zezë

Në krye të së Premtes së Zezë të vitit 2017, konsumatorët thanë se po kërkonin ulje për: Tablet / laptop / PC / TV (27%); veshje (24%); pajisje smart për shtëpinë (15%); lodra (15%); karta dhuratë (11%); udhëtime (8%). (Burimi: BlackFriday.com)

Shitësit më të mëdhenj të Black Friday

Amazon mori 45.1% të të gjitha transaksioneve online në Ditën e Falënderimeve 2017 dhe 54.9% të të gjitha transaksioneve online në Black Friday. (Burimi: Hitwise)

Walmart mori 13.9% nga të gjitha transaksionet online në Ditën e Falënderimeve 2017 dhe 8.8% të të gjitha transaksioneve online në Black Friday (Burimi: Hitwise)

 

Historiku/ Na ishte njëherë një e premte…

Black Friday (E premtja e Zezë) njihet si dita pas Ditës së Falënderimeve në Amerikë. Në këtë ditë, dyqanet hapen në orët e para të mëngjesit deri në orët e vona. Black Friday shënon fillimin e sezonit të blerjeve të fundvitit dhe zakonisht është dita më e ngarkuar e blerjeve në vit. Dyqanet në këtë ditë ofrojnë çmime promocionale, oferta speciale që i bëjnë shumë njerëz ta kalojnë gjithë ditën duke vrapuar nga një dyqan në tjetrin. Janë dhënë dy teori që tregojnë nga rrjedh emrin Black Friday. Teoria e parë thotë se Black Friday është përdorur fillimisht për të përshkruar këmbësorët e shumtë dhe trafikun e automjeteve, në atë ditë. Teoria e dytë pretendon se termi vjen nga llogaritë e biznesit. Humbjet janë regjistruar në ngjyrë të kuqe dhe fitimet në ngjyrë të zezë, ndërsa shitjet gjatë Black Friday ishin gjithmonë shumë të larta. Në disa shtete të SHBA-së, Black Friday është në fakt një festë publike, ndërsa në vende të tjera, njerëzit shpesh marrin një ditë të lirë nga puna që ta kalojnë ditën në qendrat tregtare. Black Friday njihet edhe si dita kur njerëzit shpesh presin në radhë apo edhe bëjnë kamping atje për një kohë të gjatë para se dyqanet të hapen për të përfituar nga zbritjet në këtë ditë. Megjithatë, Black Friday shpesh ka sjellë edhe viktima në turma njerëzish. Shtyrjet, sulmet dhe rrahjet janë bërë pjesë e zakonshme e kësaj feste të blerjeve. Vite më parë një grua ka përdorur spraj ndaj turmës vetëm për të blerë një bluzë që ishte gjashtëdhjetë për qind zbritje. Megjithatë, kjo ‘epokë’ duket se po zbehet, ndoshta sepse blerjet online po fitojnë terren në çdo vit që po kalon.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of