The Economist: Po nëse flluska e Bitcoin do të shfryhet?

08/07/2017 10:05 PM 0 komente

A është furia e fundit si mania e tulipanëve, vërshimi i arit apo shpërthimi i internetit?

Tregjet vazhdimisht “shkumojnë dhe flluskojnë”, por boom-i i Bitcoin, monedhës virtuale, është i jashtëzakonshëm, shkruan “The Economist”. Megjithëse çmimi aktualisht është pak më i ulët se rekordi më i lartë i të gjitha kohërave, ku një Bitcoin këmbehej me 2,420 dollarë, ai është dyfishuar në më pak se dy muaj. Cilido, i zgjuar apo me fat, që bleu në 2010-n 1000 dollarë në Bitcoin, kur çmimi ishte 0.05 dollarë për 1 Bitcoin, do të ketë tani një kapital me vlerë 46 milionë dollarë. Edhe kriptomonedha të tjera kanë lulëzuar gjithashtu, të cilat të marra së bashku kanë një vlerë tregu prej 80 miliardë eurosh.

Ngjitje të tilla janë rrallëherë të qëndrueshme. Gjithmonë e më shumë, Bitcoin po lidhet me fjalën flluskë. Pyetja se çfarë e ka nxitur kaq shumë çmimin është e rëndësishme. A është kjo një mani spekulative, sikurse tulipanët, ari dhe dollari? Apo është diçka komplet tjetër?
Të fillojmë me hipotezën se Bitcoin nuk është asgjë më shumë se mania e tulipanëve, një histeri spekulative që një rritje në çmime inkurajon më shumë blerës, pavarësisht asetit. Trajektorja e fundit e Bitcoin padyshim që duket maniake. Investitorët në sektorin e shitjeve me pakicë kanë filluar ta mbledhin (grumbullojnë).

Duket si një parajsë mashtruese, megjithëse jo si mania e tulipanëve, Bitcoin gjen përdorim real. Tashmë mund të blesh çdo gjë me të, nga picat deri te pajisjet elektronike. Kështu që, nëse nuk është si tulipani, është si ari? Bitcoin duket se është më shumë se një ngjashmëri kalimtare. Mbështetësit e përdorimit të arit si standard i vetëm nuk kanë besim te qeveritë dhe te tendenca e tyre e printimit të parave; kështu ndodh dhe me përdoruesit e Bitcoin-it. Monedha virtuale Bitcoin u luhat nga 11000 dollarë në fund të vitit 2013 në 200 dollarë në vitin e kaluar, përpara se të ngjitej sërish në çmime të larta.

Në vend që të jetë thjesht një formë dixhitale, Bitcoin aspiron qëllime më të larta: të jetë mjet këmbimi, njësoj si monedhat reale, euro, dollari, jeni. Rregullatorët kanë filluar që ta marrin seriozisht. Disa nga zhvillimet në nivelin e çmimeve shpjegohen me vendimin e Japonisë për të trajtuar Bitcoin, si të gjitha monedhat e tjera. Megjithatë sistemi i Bitcoin po operon në limitet e tij dhe zhvilluesit e saj nuk japin dot një përgjigje se deri në sa mund të rritet numri i këmbimeve në mënyrë që sistemi të mund të përballojë atë. Si rezultat, një transaksion tashmë kushton afërsisht 4 dollarë dhe kërkon shumë orë për t’u konfirmuar.

Jo dhe aq e zymtë

Nëse Bitcoin dhe të tjera kriptomonedha nuk janë si fenomenet e lartpërmendura, atëherë çfarë janë? Krahasimi më i mirë mund të bëhet me internetin dhe me zhvillimin e boom-it të dotcom në fund të vitit 1990. Ashtu si interneti, kriptomonedhat materializojnë inovacionin dhe e zhvillojnë më shumë atë. Në vetvete janë eksperimente se si mund të mirëmbahet një bazë të dhënash (në një libër dixhital ku transaksionet në Bitcoin apo në kriptomonedha të tjera janë ruajtur) publike pa qenë në përgjegjësinë e ndokujt në veçanti, le të themi, në ngarkim të një banke.
Në Xhorxhia, për shembull, po përdoret teknologjia për të siguruar të dhëna qeveritare. Dhe këta libra dixhitalë po përdoren për eksperimente të mëtejshme. Nëse marrim rastin e kriptomonedhës Ethereum, kjo e fundit lejon që të gjitha llojet e projekteve, duke filluar nga videolojërat në tregjet online, të mbledhin fonde – kryesisht para private që mund të tregtohen dhe përdoren brenda këtyre projekteve. Përdoruesit po shpresojnë që të rriten deri në atë pikë që të konkurrojnë oligopolin e gjigantëve të teknologjisë si Amazon dhe Facebook.

Kjo mund të duket e rrezikshme për të gjeneruar inovacion. Investitorët mund të përballen me humbje, përplasja në asetet e njërit prej tyre mund të përhapet dhe te të tjerët, duke krijuar vorbulla në sistemin financiar. Por, në rastin e kriptomonedhave, rreziqe të tilla duken të kufizuara. Është e vështirë që të argumentohet se si blerja e kriptomonedhave është pa risk. Duke qenë se kriptomonedhat operojnë në një sistem tërësisht të pavarur, “infektimi” nuk ka gjasa.

Nëse ka ndonjë flluskë të shëndetshme, është kjo. Për të qenë të sigurt, rregullatorët duhet t’i mbikëqyrin këto kriptomonedha në mënyrë që të mos bëhen kanal i veprimtarive kriminale, si shpërndarja e drogës. Por, ‘The Economist’ argumenton se të qenët shumë i ashpër jo thjesht do të shpojë flluskën, por do të parandalojë edhe inovacionin e nevojshëm në të njëjtën kohë.

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz