Kosova e ka ndjekur shembullin e disa shteteve tjera duke e ndaluar qarkullimin e të gjithë aeroplanëve të tipit “Boeing 737-8 MAX” mbi hapësirën e saj ajrore për shkak të dy aksidenteve ajrore me aeroplanë të këtij modeli, ku mbetën të vdekur më shumë se 340 persona.
Mbi hapësirën ajrore të Republikës së Kosovës është ndaluar edhe fluturimi i avionëve të tipit “Boeing 738-9 MAX”.
“Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës, informon të gjithë qytetarët se Drejtori i Përgjigjëm i Autoritetit të Aviacionit Civil përkohësisht ka ndaluar të gjitha operimet e tipeve të aeroplanëve Boeing 737-8 MAX si dhe Boeing 738-9 MAX mbi hapësirën ajrore të Republikës së Kosovës, për shkak të hetimeve në vazhdim lidhur me pajisjet e mjeteve ajrore Boeing 737-8 MAX dhe Boeing 738-9 MAX”, thuhet në një njoftim të AACK’së.
Ndalesa hyn në fuqi menjëherë dhe vazhdon deri në njoftimin e radhës, ka bërë të ditur AACK.
Përpos Kosovës, edhe Britania e Madhe, Australia dhe Singapori kanë marrë vendim të martën që të anulohen të gjitha fluturimet që janë paraparë të kryhen me aeroplanët e sipërpërmendur.
Ditë më parë një avion i Ethiopian Airlines u rrëzua duke shkaktuar vdekjen e 157 pasagjerëve në bordin e tij. Ndërkohë që hetimet janë në vijim për shkaqet që sollën tragjedinë, nga ana e autoriteteve të aviacionit në vende të ndryshme të botës është marrë masa e ndalimit për hyrjen e avionëve që i përkasin të njëjtës serie prodhimi të Boeing. /Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.