Tregu i qirasë financiare rritet rreth 80% në vitin 2008. Zgjerohet gjeografia e transaksioneve duke u futur dhe te orenditë e shtëpisë. Me interes për të ardhmen lizingu te pasuritë e patundshme, aparaturat mjekësore dhe teknologjinë e informacionit. Sa u prek tregu nga kriza dhe problemet me TVSH-në
Tregu i qirasë financiare (lizingut) ka njohur një rritje të kënaqshme edhe në vitin 2008. Ndonëse nuk ekzistojnë të dhëna zyrtare, duke iu referuar deklarimeve të shoqërive, teprica e financimit me ‘lizing´ nga kompanitë shqiptare në fund të vitit 2008 arriti në rreth 55 milion euro, ndërkohë që në fund të vitit 2007 i njëjti tregues vlerësohej në pak më shumë se 30 milion euro, duke shënuar një rritje prej rreth 80%, rritje që gjithsesi niset nga një bazë shumë e ulët. Nëse deri një vit më parë tregu ndahej pothuajse i gjithi mes dy shoqërive të mëdha, Tirana Leasing dhe Raiffeisen Leasing, gjatë vitit 2008 edhe dy shoqëritë e tjera, Credins Leasing dhe Landeslease kanë arritur të fitojnë terren. Megjithatë, edhe ky treg u prek nga problemet e sistemit financiar në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Dihet që shoqëritë e qirasë financiare mbështeten në aktivitetin e tyre me financimet e bankave dhe “ngrirja” e kredisë në fund të vitit 2008 e transmetoi efektin e vet edhe në financimet me qira financiare. Një fenomen tjetër që u shfaq si pasojë e problemeve të sistemit bankar ishte edhe riorientimi i financimeve drejt lekut, njëlloj siç ndodhi edhe me kreditë bankare. Deri në 9-mujorin e vitit 2008 pothuajse gjithë financimet me ‘lizing´ bëheshin në euro, për shkak të normave më të ulëta të interesit të saj dhe faktit që financimet me ‘lizing´ shtrihen kryesisht në tregje ku shitjet bëhen në euro.
Z.Fatos Aliaj, drejtor i përgjithshëm i Tirana Leasing, thotë se tregu i ‘lizingut´ për vitin 2008 ka marrë një zhvillim shumë të madh, si në cilësi edhe në sasi krahasuar me vitin 2007.
“Ky treg është kthyer në veprimtarinë financiare të tregtimit të automjeteve dhe pajisjeve, duke u dhënë një shtysë shumë të madhe përftuesve të ‘lizingut´. Duke parë zhvillimin që po merr ‘lizingu´ si dhe konkurrencën e madhe që po zhvillohet në këtë treg, mendojmë se do të kthehet në transaksionin më të rëndësishëm financiar, duke u futur dhe te pasuritë e patundshme dhe deri tek orenditë e shtëpisë,” thotë z.Aliaj.
Sipas tij, ky treg i është përshtatur mjaft mirë kushteve të biznesit, me anë të financimit sipas rasteve të veçanta, si dhe ndryshimit të tregut të automjeteve, që është veprimtaria kryesore e ‘lizingut´.
Z.Fatmir Sulo, drejtor i përgjithshëm i Credins Leasing, thotë se viti 2008 ishte një vit pozitiv dhe tregu njohu rritje si nga volumet e kompanive të ‘lizingut´ në përgjithësi, ashtu edhe nga pikëpamja e zhvillimit të produkteve. Sipas tij, produktet e ‘lizingut´ në vitin 2008 ishin më fleksibël, procedurat më të shpejta, marrëdhënia me kompanitë tregtuese të mjeteve ka qenë më e ngushtë. Ndonëse fundi i vitit 2008 solli një rënie, për shkak të reflektimit emocional të krizës financiare ndërkombëtare në mjedisin financiar shqiptar, por përsëri në tërësi viti ishte pozitiv.
“Për fat të mirë, deri në fund të muajit tetor ne e patëm plotësuar planin e financimit. Në kushte të tjera ne mendonim se mund të kalonim deri në 30% mbi buxhetin e parashikuar, ndërsa për shkak të problemeve të fundit të vitit 2008 arritëm ta kalonim parashikimin me vetëm 10%,” thotë z.Sulo.
“Final” është kompania më e re e licencuar e lizingut në tregun shqiptar, që jep në përdorim sende konsumi (pasuri të luajtshme), kryesisht elektroshtëpiake. Drejtori i kësaj kompanie, Emin Barçi pohon se tregu shihet me interes në këto momente, kur bankat kanë tkurrur financimet e tyre. Tregu i synuar janë klientët që nuk kanë mundësi financiare të paguajnë njëherësh për pajisje të ndryshme, apo që nuk arrijnë të kreditohen nga bankat. Përparësia për klientët qëndron në faktin se nuk kërkohet peng për këtë lloj financimi, por thjesht merret në përdorim një mjet, që kalon në pronësi të klientit në momentin që ai i shlyen të gjitha këstet. Këto të fundit janë mujore dhe në vlera të përballueshme nga kushdo, nga 20 deri në 70-80 euro në muaj.
Rriten Credins Leasing dhe Landeslease
Për shkak të problemeve të sistemit financiar në fund të vitit 2008, shoqëritë e lidhura ngushtë me bankat mbajtën një qëndrim më të tërhequr. Kjo i ka krijuar hapësira në treg shoqërisë Landeslease, shoqëri që zotërohet nga Fondet Amerikane të Ndërmarrjeve në Rumani dhe Bullgari. Sipas drejtorit të përgjithshëm të Landeslease, z.Altin Saliasi, pas muajit shtator shoqëria e tij arriti ta rriste praninë në treg duke arritur të zinte rreth 25% të financimeve të kryera gjatë vitit 2008.
Viti 2008 ishte viti i parë me aktivitet të plotë për Credins Leasing. Sipas drejtorit të përgjithshëm, z.Fatmir Sulo, teprica e financimit të Credins Leasing deri në fund të vitit 2008 ishte rreth 5.6 milion euro. Me këtë shifër, z.Sulo vlerëson se Credins Leasing zë vendin e tretë për sa i takon tepricës së financimit, por për sa i përket financimeve të kryera gjatë vitit 2008 ndoshta ka një pozicion më të lartë në treg.
“Credins Leasing arriti të realizonte plotësisht objektivat e veta të financimit. Ne hymë në treg me një produkt më agresiv dhe filozofia jonë e punës rezultoi të ishte e suksesshme. Besojmë se ne kemi një filozofi pune më pragmatiste dhe më afër interesave të koncesionarëve të makinave. Ka shumë pak burokraci dhe ne jemi praktikë në marrëdhëniet me partnerët dhe klientët. Ne jemi gjithnjë të zhdërvjellët dhe nuk punojmë vetëm me produktin standard, por përpiqemi t´i përshtatemi profilit të klientit. Pra, parametrat e produktit ndryshojnë në varësi të klientit. Produkti ynë më pas u përshtat edhe nga kompanitë e tjera,” thotë z.Sulo.
Sipas tij, Credins Leasing u përpoq që ta bënte produktin të arritshëm për më shumë njerëz dhe ishte shoqëria e parë që e uli normën e pagesës fillestare të klientit në 20%, nga 30% që ishte deri në atë moment. Gjithashtu, Credins Leasing përcaktoi në strukturën e produktit edhe një vlerë të mbetur, që klienti e paguan në fund të periudhës së financimit. Klienti ka mundësi ta paguajë atë menjëherë ose ta shlyejë edhe atë me këste.
Duke iu referuar deklarimeve të vetë subjekteve, viti 2008 ishte i mbarë edhe për dy shoqëritë më të mëdha, Tirana Leasing dhe Raiffeisen Leasing.
Znj.Ida Shehu, drejtore ekzekutive e Raiffeisen Leasing, thotë se viti 2008 ka qënë pozitiv për kompaninë e saj dhe totali portofolit ka arritur në mbi 20 milion euro. Sipas saj, bizneset zënë pjesën më të madhe të portofolit të Raiffeisen Leasing.
“Përveç shtimit të kompanive që bëjnë financime me lizing, tregu i lizingut ka filluar të kuptohet më mirë. Ajo që vlen për t´u përmendur është se numri i shitjeve të mjeteve që janë financuar me lizing është rritur në mënyrë të konsiderueshme. Nga ky aspekt më shumë përfitojnë klientet, të cilët mund të marrin ofertën më të mirë për sa i përket financimit nga banka. Gjatë vitit 2008 mund rreth 40% e makinave të reja të shitura në Shqipëri janë financuar me lizing,” thotë znj.Shehu.
Ndonëse nuk pranon të deklarojë shifra, z.Fatos Aliaj thotë se për vitin 2008, Tirana Leasing pati vlerën më të madhe të financimit si dhe numrin më të madh të automjeteve të financuara.
“Tirana Leasing duke qenë shoqëria e parë që operoi në tregun e ‘lizingut´ ka krijuar një terrren mjaft të qëndrueshëm dhe mban vendin e parë në këtë treg edhe pse konkurrenca është më e “egër ” se në sistemin bankar. Duke qenë një faktor shumë i rëndësishëm në treg, Tirana Leasing është promotore dhe shenjuese e rrugëve të reja që do të ndiqen në tregun e ‘lizingut’,” thotë z.Aliaj.
‘Lizingu´, një treg makinash
Tregu i makinave të reja vazhdon të jetë “motori” i zhvillimit të tregut të ‘lizingut´. Sipas të dhënave të koncesionarëve dhe shoqërive të ‘lizingut´, në vitin 2008 u shitën 3760 makina të reja, nga 3300 makina të reja që u shitën në vitin 2007.
Sipas znj.Ida Shehu nga Raiffeisen Leasing, veturat, mjetet e punës dhe makineritë e ndërtimit vazhdojnë të mbeten produktet më të kërkuara për t´u financuar me lizing.
“Më pak kërkesë ka për linjat e prodhimit, pajisjet dentare, makineritë e prodhimit, etj. Ndërkaq, për makineritë bujqësore kërkesa është zero, por kjo lidhet edhe me mungesën e zhvillimit të bujqësisë në vend,” thotë znj.Shehu.
Edhe për Tirana Leasing, produktet më të kërkuara për qiratë financiare janë automjetet, veçanërisht automjetet e punës, por nuk mungon kërkesa për pajisjet dhe makineritë industriale, duke qenë se kanë një vlerë të konsiderueshme për bizneset. Sipas z.Fatos Aliaj, nga ana e bizneseve është rritur kërkesa për të financuar pajisje, pasi kjo i ndihmon të rrisin likuiditetin në fusha të tjera brenda biznesit të tyre.
Z.Altin Saliasi nga Landeslease mendon se efektin më të shpejtë në rritjen e lizingut do ta japë tregu i pasurive të paluajtshme dhe më pas do të jenë makineritë e rënda, linja e prodhimit apo tregu i makinave.
“Tregu i makinave të reja në vitet e fundit ka pësuar një rritje në raport me makinat e përdorura, por besoj se brenda disa viteve raporti i shitjes apo importimit të makinave do të përmbyset në favor të makinave të reja,” thotë z.Saliasi nga Landeslease.
Z.Fatmir Sulo nga Credins Leasing vë në dukje se financimi i makinerive dhe pajisjeve ka një problem shumë serioz, mosshtyrjen e TVSH-së në rastet kur makineritë dhe pajisjet importohen nga shoqëritë e ‘lizingut´ për llogari të një klienti.
“Krahas tregut të makinave, ne jemi përpjekur të punojmë edhe në tregje të tjera, si tregjet e aparaturave mjekësore, apo të Teknologjisë së Informacionit. Këto janë tregje ku mund të ketë hapësira për të bërë biznes edhe gjatë vitit 2009. Megjithatë, ka një arsye pse ‘lizingu´ në makineri është disi i cunguar, pasi është problem i shtyrjes së TVSH-së. Nëse një makineri importohet nga një biznes përdorues, ata kanë mundësi ta shtyjnë pagesën e TVSH-së deri në një vit. Ne nuk e kemi këtë mundësi, ndonëse ne i blejmë makineritë për klientët dhe jemi vetëm ndërmjetës. Ky rregull na ka vendosur në pozitë jo të favorshme në këtë segment të tregut dhe ngelet një problem për ne. Kjo është arsyeja pse financimi me ‘lizing´ i makinerive dhe pajisjeve nuk është shumë i zhvilluar. Ne kemi pasur shumë raste kur bizneset kanë kërkuar të importojnë makineri dhe pajisje me ‘lizing´, por problemi i TVSH-së ka bërë që ata të heqin dorë nga ‘lizingu´ dhe të kërkojnë rrugë të tjera,” thotë z.Sulo.
Sipas tij, disa tregje si p.sh., tregu i IT janë mjaft interesantë, por shoqëritë e ‘lizingut´ duhet të krijojnë ekspertizën e duhur për tregje të veçanta, për të njohur dhe për të pasur nën kontroll tregun e këtyre mjeteve, që kanë amortizim shumë të shpejtë.
Më pak reklamë
Si një produkt i ri në tregun shqiptar, ‘lizingu´ nuk ka qënë shumë “familjar” për konsumnatorët, madje edhe sot shumë njerëz nuk e njohin. Për të prezantuar produktin te konsumatori, gjatë viteve 2006 dhe 2007 shoqëritë e ‘lizingut´ bënë fushata publicitare të konsiderueshme, veçanërisht në shtypin e shkruar. Ajo që bëri përshtypje gjatë vitit 2008 është se reklamat e ‘lizingut´ pothuajse munguan në mjetet e komunikimit masiv. Z.Altin Saliasi nga Landeslease thotë se gjatë vitit 2008 nuk u vërejt ndonjë marketing agresiv nga kompanitë e ‘lizingut´, që shpenzuan më pak për reklamë dhe promocion krahasuar me vitin 2007. Sipas tij, kjo ka ndodhur sepse shoqëritë e ‘lizingut´ kanë arritur një lloj stabiliteti dhe ndoshta për momentin janë të kënaqura me ato nivele ku janë. Ai gjithashtu evidenton edhe një problem të viteve të mëparshme: a është prezantuar produkti ‘lizing´ ashtu siç duhet te konsumatori?
“Gjatë viteve të para të promovimit të këtij produkti, janë bërë fushata pa ndonjë efekt apo perceptim në nivel të kënaqshëm. ‘Lizingu´ reklamohej, por produkti nuk shpjegohej apo interpretohej siç duhej. Gjatë vitit 2008, Landeslease bëri një marketing më të qartë, më të prekshëm dhe të organizuar në çdo drejtim. Për mendimin tonë, produkti duhet reklamuar nëpërmjet broshurave informuese, gazetave apo revistave periodike,” thotë z.Saliasi.
Me sa duket, shoqëritë e ‘lizingut´ kanë preferuar ta përqëndrojnë marketingun në pikat e shitjes së makinave, që aktualisht janë edhe tregu kryesor për këtë produkt. Z.Fatmir Sulo nga Credins Leasing thotë se format më të përshtatshme dhe që kanë pasur ndikimin e tyre, si në treg dhe te konsumatori kanë qenë reklamimet që janë bërë pranë tregtuesve zyrtarë të automjeteve dhe shitësve të autorizuar të pajisjeve dhe makinerive.
Prezantimet e përbashkëta me tregtuesit zyrtarë të automjeteve kanë zënë një vend të rëndësishëm në marketingun e kompanive të ‘Lizingut´, si dhe qëndrimi i menaxherëve të shitjes pranë salloneve të automjeteve, që, sipas z.Sulo, është një tjetër faktor i rëndësishëm marketingu dhe ia bën kështu më të prekshme klientit kushtet dhe termat e ‘lizingut´.
“E kemi parë të arsyeshme të punojmë më shumë në ndërtimin e marrëdhënieve me koncesionarët, se sa të shpenzojmë shumë në marketingun masiv. Besojmë se një klient i kënaqur është më rezultativ se një reklamë. Ne jemi akoma në atë fazë kur marketimi i produktit funksionon mirë me këto lloj marrëdhëniesh. Reklama do të ishte efikase në një fazë tjetër, atëherë kur kemi të bëjmë me volume shumë të mëdha dhe tregje të zhvilluara,” thotë z.Sulo.
2009, objektivat për t´u riparë
Problemet që po prekin ekonominë shqiptare gjatë këtij viti janë një faktor që pritet të ngadalësojë edhe tregun e ‘lizingut´. Në këto kushte, kompanitë janë detyruar të rishikojnë objektivat e tyre vjetore. Sipas z.Fatmir Sulo, objektivat fillestare të Credins Leasing kanë qenë për një rritje me dyfish të tepricës së financimit për vitin 2009.
“Tashmë, objektivat duhen korrigjuar, duke parë që edhe fillimi i vitit po tregon se tregu ka një lloj ngadalësimi. Sigurisht që kjo është diçka që nuk varet nga ne, por nga gjendja e sistemit dhe nga tregu, që në këtë moment është më hezitues. Edhe ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, por them se me më shumë përpjekje gjatë këtij viti mund të arrijmë rezultate të kënaqshme,” thotë z.Sulo.
Znj.Ida Shehu nga Raiffeisen Leasing mendon se tregu i lizingut mund të vuajë pasoja edhe si rezultat i krizës globale të prodhuesve të makinave.
“Kriza ekonomike botërore ka përfshirë shumë industrinë e makinave dhe ndërtimit. Kjo patjetër që do të ketë ndikimin e saj edhe në tregun shqiptar, pavarësisht se ky nuk është shumë i zhvilluar. Si rrjedhojë, pritet një ulje e çmimeve të makinave dhe shitjeve nga konçesionarët që operojnë në Shqipëri, si edhe një rënie në ndërtime, gjë që patjetër që do të ndikojë në volumet e shitjes së kompanive të lizing në Shqipëri.
Të njëjtin mendim ndan edhe z.Fatos Aliaj nga Tirana Leasing.
“Duke qenë se kriza ndërkombëtare ka prekur më shumë industrinë e automjeteve në gjithë Botën, kjo krizë është ndjerë edhe në vendin tonë. Duke qenë se kompanitë e ‘lizingut´ janë të përqendruara kryesisht dhe veçanërisht tek tregu i automjeteve, rrjedhimisht ajo preket drejtpërdrejt nga kjo krizë. Ky do të jetë ndikimi më i madh që do të shfaqet te shoqëritë e ‘lizingut´. Zgjidhja mund të vijë ose të kalohet në sfera të tjera financimi ose të pritet që kriza e automjeteve të kalojë nga fundi i vitit 2009, duke qenë se gjithë energjia dhe vlerat monetare kanë kaluar për të shpëtuar industritë e makinave,” shprehet ai.
Më optimist në parashikimin e tij për vitin 2009 është z.Altin Saliasi nga Landeslease. Sipas tij, viti 2009 do të ketë ecuri të ngjashme me vitin 2008 dhe megjithë vështirësitë nga pasojat e krizës, njerëzit do të jenë të prirur të shpenzojnë.
“Rëndësi ka që bankat të japin kredi dhe të luajnë rolin e tyre në ekonomi. Për mendimin tim, efektin më të shpejtë në rritjen e ‘lizingut´ do ta japë tregu i makinave. Tregu i makinave të reja në vitet e fundit ka pësuar një rritje të jashtëzakonshme, sidomos në raport me makinat e përdorura. Shumë shpejt raporti do të përmbyset në favor të makinave të reja. I vetmi problem është se koncesionarët te ne nuk e kanë fuqinë financiare që t´i riblejnë makinat e tyre. Kjo do t´i jepte një shtysë të madhe tregut,” thotë z.Saliasi.
Alternativa e qirasë operacionale
Veç qirasë financiare, një aktivitet që është zhvilluar veçanërisht gjatë vitit 2008 është qiraja operacionale, kryesisht mes bizneseve. Qiraja operacionale nënkupton marrjen në përdorim të mjeteve apo pajisjeve për një periudhë të caktuar, në përfundim të së cilës mjeti nuk blihet përfundimisht, siç ndodh me ‘lizing´, por i kthehet qiradhënësit. Shoqëria Avis zhvillon biznesin e qirasë operacionale që nga korriku i vitit 2008 dhe sipas drejtorit të përgjithshëm, z.Admir Avxhi, ky është një shërbim shumë i kërkuar nga bizneset. Sipas tij, Avis bashkëpunon me një numër të konsiderueshëm biznesesh të mëdha, të cilat përdorin automjetet e Avis me qira operacionale. Z.Avxhi shpjegon se bizneset që e njohin qiranë operacionale janë shumë të interesuar për ta përdorur, për shkak të avantazheve që paraqet ky shërbim. Shoqëria e qirasë operacionale, kundrejt pagesës mujore, merr përsipër gjithë shërbimet për të cilat ka nevojë mjeti dhe kjo është një barrë që biznesi e heq nga vetja. Ndonëse këstet mujore janë më të larta se në rastin e qirasë financiare, sipas z.Avxhi kostot e biznesit janë afërsisht të përafërta, po të llogaritet që qiraja operacionale përfshin gjithë shërbimet për mjetin dhe nuk përmban asnjë parapagim në momentin e lidhjes së kontratës, siç ndodh me qiranë financiare. Sipas z.Avxhi, maarketingu për qiranë operacionale ndërtohet kryesisht mbi kontaktet e drejtpërdrejta me bizneset, që janë edhe klientët kryesorë potencialë të këtij shërbimi. Kjo është arsyeja pse ky lloj shërbimi nuk është shumë i njohur masivisht. Kontratat e qirasë operacionale kanë afate nga 1 deri në 5 vjet, por nga përvoja e Avis shumica e bizneseve lidhin kontrata qiraje 3 vjeçare.
Këtë vit nën mbikqyrjen e BSH
Duke filluar nga ky vit, shoqëritë e ‘lizingut´ do të licencohen dhe do të mbikqyren nga Banka e Shqipërisë. Që nga viti 2005, kur u miratua ligji “Për qiranë financiare”, këto shoqëri ishin të vetmet biznese në sektorin financiar që nuk i nënshtroheshin mbikqyrjes nga një autoritet shtetëror. Por vitin e kaluar ligji në fjalë u ndryshua dhe u vendos që këto shoqëri duhet të mbikqyren nga Banka e Shqipërisë. Gjatë këtyre ditëve pritet që Banka e Shqipërisë të miratojë rregulloren përkatëse për rregullat që duhet të zbatojnë shoqëritë e ‘lizingut´ në aktivitetin e tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.