Veprimi i parë imediat i qeverisë së re do të jetë rishikimi i buxhetit, një “detyre”, që financat e udhëhequra nga demokratët po i lënë qeverisë së re…
Edi Rama do të jetë kryeministri i ri i vendit, pasi është mandatuar nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.
Qeveria e re, e kryesuar nga socialistët ka paraqitur një progam ambicioz, si heqja e taksave për biznesin e vogël, reduktimin e një sërë taksash të tjera, vendosjen e tatimit të përshkallëzuar, si dhe hapjen e 300 mijë vendeve pune, të gjitha këto në një kohë kur buxheti është në gjendje të vështirë dhe ekonomia po rritet me ritmet më të ulëta të dekadës, me më pak se 2%.
Megjithatë, veprimi i parë imediat do të jetë rishikimi i buxhetit, një “detyre”, që financat e udhëhequra nga demokratët po i lënë qeverisë së re. Në varësi të buxhetit të ri do të shihet hap pas hapi, nëse socialistët do të jenë në gjendje që të ndërmarrin me shpejtësi ndryshimet epremtuara.
Një pikë e fortë e PS-së është vendosja në krye të financave e një eksperti me përvojë, si Shkëlqim Cani, ndryshe nga postet e tjera, ku Rama ka preferuar të “eksperimentojë” me kandidatë që nuk kanë shumë përvojë në qeverisje në fushat që ata do të drejtojnë.
Financat për FMN-në:Buxheti me 30 miliardë lekë mangut, do rishikohet në shtator
Socialistët pritet të përballen me një buxhet që do të ketë një mungesë në të ardhurat buxhetore prej rreth 30 miliardë lekësh, në krahasim me ligjin aktual të buxhetit, i miratuar në fund të vitit të mëparshëm, sipas deklarimeve që ekspertët e financave kanë bërë për FMN-në pak kohë më parë.
Deficiti për vitin 2013, bazuar në ligjin ekzistues do të jetë të paktën 4.6% e PBB, nga i cili 3.5% e PBB është miratuar fillimisht që të financohet përmes huamarrjes (si e brendshme ashtu dhe e huaj) dhe shtesa prej 1.1% e PBB do të financohet përmes të ardhurave nga privatizimi që do të arkëtohen në vitin 2013 (kryesisht katër hidrocentralet), të cilat nuk ishin përfshirë në planin ekzistues të buxhetit. Ligji ekzistues i buxhetit për vitin 2013 përcakton se burimet shtesë financiare që vijnë nga privatizimi duhet të përdoren ose për shpenzime kapitale, ose për të reduktuar financimin neto të planifikuar për vitin 2013. Duke pasur parasysh buxhetin aktual për gjysmën e parë të 2013-s, ka shumë pak të ngjarë që ndonjë pjesë e këtyre privatizimeve të shkojë për reduktimin e huamarrjes neto.
Deficiti final buxhetor varet nga ecuria e të ardhurave për muajt e mbetur si dhe nga aftësia dhe vendimet për të kontrolluar shpenzimet, duke pasur parasysh gjithashtu hapësirën e lënë për kursime.
Pas krijimit të qeverisë së re në fillim të shtatorit, ka të ngjarë që të ndodhë një rishikim i buxhetit, ku do të qartësohen të dhënat e fundit. Për momentin, nuk mund të japim një përgjigje më të qartë të kësaj pyetjeje.
Gjithashtu, rishikimi i Kuadrit Makroekonomik e Fiskal për 2014 – 2016 ka të ngjarë që të kryhet në shtator, thuhet në përgjigjen që financat i kanë dërguar FMN-së.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.