EDITORIAL: Të lirë, të pavarur e profesional. Kjo është ajo që kemi qenë, jemi e do të jemi!

24/02/2018 9:35 AM 6 komente

Meqë këto ditë ka pasur disa debate, që kanë pasur në qendër të tyre pavarësinë e medias, duke përfshirë edhe revistën tonë, kemi vendosur t’ia kushtojmë këtë editorial pikërisht kësaj teme.

Revista “Monitor”, prej 18 vitesh, është pjesë e medias së shkruar në Shqipëri dhe, nuk është hera e parë, e as do të jetë e fundit, që anatemohet për pavarësinë e saj. Nuk mund të qëndrosh përherë modest, përballë cinizmit të pushtetit që, mungesën e argumentit për mosmbajtjen e premtimeve të fushatës e mbush me të pavërteta dhe sulme bajate, që duan të zëvendësojnë fjalën e lirë me servilizëm politik.

Sot është fakt i shprehur në qindra dokumente e raporte ndërkombëtare, që media është nën presionin e pushtetit dhe nuk na mbetet ne që ta zbulojmë këtë gjë, siç po ndodh në këtë rast, kur tehu i shpatës është mprehur ndaj nesh.

Ne nuk jemi aq të lehtë sa të strukemi pas thirrjes, “mos e prekni median”, por jemi gati, siç kemi qenë kurdoherë gjatë këtyre 18 viteve që, me lirinë dhe profesionalizmin tonë, t’i përgjigjemi me fakt kujtdo që nuk respekton dhe përbalt. Nëse fakti dhemb, kjo tregon se e kemi bërë punën mirë.

Na vjen keq sot që, gjatë këtyre viteve përkushtim, lodhje dhe me të vetmen armë që kemi pasur, lirinë, disa ngjarje negative që kemi paralajmëruar se do të ndodhin, kanë rezultuar të vërteta. Kjo ka ndodhur, jo vetëm sepse jemi përpjekur gjithmonë t’i trajtojmë gjëra me profesionalizëm dhe seriozitet, por edhe sepse kemi qenë të lirë për t’i thënë gjërat ashtu siç janë. Sepse, profesionistë pa qenë të lirë, nuk ka. Lirinë tonë të shprehjes e ka kufizuar vetëm vërtetësia.

Puna jonë ka qenë dhe do të mbetet shërbimi ndaj qytetarit dhe që çdo pikë djerse e derdhur në këtë vend, të mos shkojë dëm sikundër shpeshherë politika e ka bërë. Revistën e kemi parë si një dritare ku njerëzit të informohen, të kenë më shumë alternativa, ku çështjet të debatohen, ku idetë të përplasen. Askujt nuk ia kemi mbyllur derën të thotë të tijën, edhe kur nuk është dakord me ne. Ne jemi dhe do të vijojmë të jemi për një gazetari qytetare, të përfshirë që gjërat të bëhen mirë.

Kemi vetëdije që, ndoshta nuk jemi të përsosur në punën tonë, dhe as pronarë të së vërtetës si dikush tjetër, por ne përpiqemi që të jemi gjithmonë e më profesionalë në atë që bëjmë, siç është edhe kërkesa e lexuesit tonë. Dhe numrat gjithnjë në rritje gjatë këtyre viteve, na kanë dhënë të drejtë. Janë gjithmonë e më të shumtë ata që na ndjekin e kërkojnë më shumë prej nesh. Ne do të përpiqemi me të gjitha forcat të mos i zhgënjejmë. Ne vërtet punojmë në kulla të kohëve moderne, punojmë edhe në ndërtesa të kohës së Zogut, por dhe në banesa pano-betoni të komunizmit.

Pasi kjo është “Tirona jonë”, të cilën e kanë bërë kështu për më të shumtën politikanët që kanë drejtuar këtë vend se sa qytetarët që, gjithnjë e më shpesh, po e shfaqin pafuqinë e tyre, duke i ikur nga sytë këmbët realitetit. Por nuk kemi qenë, as jemi këtu dhe as do të jemi këtu thjesht për të numëruar pemët e mbjella apo të shkulura, por për t’u thënë qytetarëve të vërteta që do ta ndihmojnë të krijojë një ide më të mirë se çfarë duhet të besojnë apo të mos besojnë në cirkun mediatik ku po aktron politika.

Duke qenë një revistë që merret ekskluzivisht me lajmet ekonomike kemi respektin më të madh të çdo qindarke të investuar në këtë vend dhe përgjegjësinë për mënyrën se i përdoret paraja publike. Ndaj pasqyrimi i vërtetë e profesional i këtij realiteti ekonomik, është misioni ynë në “Monitor”. Jo gjithkush ndoshta do të jetë i lumtur me këtë pasqyrim, pasi nuk është se po e zbulojmë ne, që me paranë publike shumëkush abuzon apo përfiton dhe, kjo sigurisht që do të shoqërohet me presion e përbaltje. Por Liria e të shprehurit dhe profesionalizmi janë ingredientët për një media të mirë dhe ne nuk do të mund të kryejmë misionin tonë pa to. Ne nuk do të ishim këtu sot të përbaltur nga pushteti, nëse nuk do të ishim të lirë dhe as profesionistë që përpiqemi që çdo ditë t’i bëjmë gjërat mirë.

Media Union është pjesë e një investimi në media, të një grupi ekonomik që ka zgjedhur të mbështesë zhvillimin e tij në Shqipëri, duke respektuar që prej fillimit të aktivitetit, ligjin e transparencën maksimale dhe është prej vitesh një kontribuues i rëndësishëm në realitetin shqiptar, si në aspektin e krijimit të punësimit, apo të kontributit fiskal në arkën e shtetit. Në asnjë rast nuk e ka përdorur revistën apo investimet e tij në media, në funksion të mbarëvajtjes së punëve e aq më pak, e ka të mbështetur atë në afiliacionin politik ndaj pushtetit. Përkundrazi, është kjo etikë dhe respekt për ligjet, institucionet dhe transparencën, që kanë kontribuar në qëndrueshmërinë e një linje editoriale, që i ka bërë këto elemente pjesë thelbësore të punës sonë dje, sot e nesër.

Në respekt të atyre që na lexojnë dhe na kanë mbështetur, kërkojmë ndjesë që iu harxhuam këto radhë të fjalës së lirë me përbaltjen e emrit tonë, prej faktorëve të pushtetit dhe nuk do t’ju marrim më kohë, sepse e dimë që të pavërtetën nuk mund ta fshehësh dot gjatë me një gjethe fiku dhe as liria jonë nuk mund të merret dot peng.

6
Komente

avatar
2 Comment threads
4 Thread replies
0 Followers
 
Most reacted comment
Hottest comment thread
4 Comment authors
nje lexuesAnonymousOrnelaToni Recent comment authors
  Subscribe  
newest oldest most voted
Notify of
Anonymous
Guest
Anonymous

Znj. Liperi, komplimentet me te mira per profesionalizmin qe tregon dhe per qetesine qe ruan edhe në kulmin e absurdit, për shembullin dhe modelin që përcjell.

Nga një profesionist i drejtimit strategjik

Toni
Guest
Toni

Nuk jeni aq te pavarur jeni te njeanshem.
Asnjhere nuk afirmoni apo te pershendesni ndonje veprim te qeverise.
Me shume pozitivitet.