Nga Pano Soko*
Pikë së pari duhet sqaruar fakti nëse vendosja e TVSH-së për biznesin e vogël, është një rritje taksash ose jo.
Vendosja e TVSH-së për biznesin e vogël është një rritje taksash që i bëhet kësaj kategorie. Masa e rritjes së taksës, në varësi të llojit të biznesit, do të rendojë nga 20% e fitimit deri në 20% të xhiros.
Për shembull, një dyqan i vogël, në momentin që do të bëhet pjesë e skemës së TVSH-së, do të paguajë TVSH në blerje (e rimbursueshme) dhe do të mbledhë TVSH në shitje (e pagueshme). Diferenca e TVSH-së që do të paguajë në fund në tatime, do të jetë përafërsisht 20% e marzhit të ndërhyrjes në çmim.
Për ta bërë më konkrete, supozojmë se biznesi e blen mallin 100 lekë me TVSH dhe e shet 150 lekë me TVSH. Sot që flasim, gjithë 50 lekëshi i marzhit të ndërhyrjes në çmim, i mbetej biznesit për mbulimin e shpenzimeve apo si fitim. Me futjen në skemën e TVSH-së, biznesi paguan si TVSH, 20% të këtij 50-lekëshi, domethënë paguan 10 lekë taksë në shtet dhe vetë i mbeten 40 lekë.
Ka raste biznesesh, si për shembull një berber, i cili do të paguajë jo pak, po 20% të së gjithë xhiros në shtet (pasi nuk ka TVSH të zbritshme në blerje) dhe kjo është një shifër e jashtëzakonshme.
Edhe para dy vjetësh, kali i betejës ishte kuponi i biznesit të vogël. I detyruan bizneset të paguanin nga 500 euro, të blinin kasë fiskale dhe në fund nuk arritën asgjë, madje ai vit ishte viti më i keq për sa i përket realizimit të të ardhurave në buxhetin e shtetit.
Sot, kali i betejës duket se do të jetë futja e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së. Një lëvizje pothuajse identike si në 2015-n që besoj se do të sjellë rezultat identik si në 2015-n.
Nuk e di nëse qeveria kërkon të luftojë informalitetin, duke u marrë me biznesin e vogël, sepse nuk di si ta luftojë, apo sepse nuk do që ta luftojë?
Personalisht do të sugjeroja që pikë së pari, të shmanget/ndalohet çdo ndërhyrje në skemën fiskale ekzistuese, pasi efektet e ndryshimeve në skemën ekzistuese janë vetëm negative. Jemi i vetmi vend në botë që ndryshojmë taksa e tatime çdo vit, nganjëherë dhe dy herë në vit. Kjo duhet të ndalojë, sepse ka vetëm efekt negativ.
Së dyti, duhet kuptuar që evazioni fiskal, në pjesën më të madhe dërrmuese të tij, ndodh për shkak të shmangieve që vijnë si pasojë e institucioneve të korruptuara si doganat dhe tatimet, të cilat shpesh kanë koperturë politike nga qeveria. Nëse duam të zbusim evazionin dhe informalitetin me mbi 70%, atëherë duhet të merremi me korrupsionin. Çdo gjë tjetër është thjesht fasadë.
Së treti, duhet kuptuar që vendosja apo rritja e taksave nuk e prek fare biznesin informal. Taksat prekin vetëm biznesin formal. Ai që s’paguan taksa, nuk do të paguajë as tani. Çdo iniciativë që kërkon të luftojë informalitetin duke rritur taksa, është nul!
Duhet kuptuar që asnjëherë rritja e një takse, apo shtimi i një takse të re nuk e ul informalitetin. E kundërta ndodh. Nëse rrit taksat, shtohet informaliteti, sepse dhe ata që janë formal tentojnë të kthehen informal.
Së katërti, lufta kundër informalitetit nuk bëhet me aksione. Rri dy vjet e bëj një aksion. Qytetarët paguajnë institucione, paguajnë njerëz që të luftojnë informalitetin çdo ditë, jo një herë në dy vjet.
*Ekspert për ekonominë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.