Në ditën e dytë të Samitit të Shtatë Rajonal të Guvernatorëve të bankave qendrore rajonale u diskutua mbi politikat monetare dhe stabilitetin e sistemit bankar në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Guvernatorët e bankave qendrore shpalosën sfidat kryesore për të ndaluar rreziqet e mundshme në të ardhmen.
Gent Sejko, guvernator i Bankës së Shqipërisë, në fjalën e tij tregoi se ekspozimi ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit është i lartë. Kryesisht ekonomia shqiptare është e ekspozuar ndaj nivelit të lartë të euroizimit për shkak të të hyrave nga tregtia, remitancat.
Sikurse sektori real, edhe sektori financiar është i ekspozuar. Edhe pse Shqipëria ka një regjim të lirë të kursit të këmbimit, megjithatë për shkak të mbiçmimit në muajt e parë të 2018-s me më shumë se 7% u detyruan që të bëjnë një ndërhyrje të jashtëzakonshme në treg, duke tërhequr valutë nga tregu- shpjegoi guvernatori Sejko në fjalën e tij.
Guvernatori theksoi se kjo ndërhyrje, e cila bëhet për herë të parë, ka për qëllim të vetëm ruajtjen e inflacionit në objektiv.
Megjithatë, kjo ndërhyrje për Bankën e Shqipërisë po bëhet në një moment ku efektet sezonale po punojnë në të kundërt. Për shkak se priten të hyra prej turistëve, guvernatori Sejko tha se, nëse do të shihet e nevojshme, do të detyrohen të blejnë më shumë valutë në treg.
Tre vite më parë, ky zhvlerësim erdhi si pasojë e fondamenteve, por në 2018-n, mbiçmimi i lekut shkoi përtej këtyre treguesve. Guvernatori tha se kursi i këmbimit u ndikua prej pritshmërive të aktorëve të tregut për rënie të mëtejshme.
Kursi i luhatshëm i këmbimit ka provuar se është një përthithës i besueshëm i goditjeve. Leku shqiptar u nënçmua me rreth 11% në periudhën pas krizës së vitit 2008. Nënçmimi ndodhi në kushtet e reduktimit të kërkesës së huaj, uljes së flukseve hyrëse të kapitalit dhe rritjes së primeve të rrezikut në tregun financiar vendas. Kjo na ndihmoi të rifitonim një pjesë të konkurrueshmërisë me jashtë dhe na lejoi të ndiqnim një politikë monetare ekspansioniste dhe të shmangnim recesionin, shpjegoi guvernatori gjatë konferencës.
Banka e Shqipërisë shënjestron inflacionin
“Në ekonomitë e vogla dhe të hapura, si në rastin e ekonomive tona, kurset e këmbimit kanë si ndikim të drejtpërdrejtë mbiçmimet nëpërmjet mallrave të importuara, ashtu edhe të tërthortë, nëpërmjet ndikimit të tyre mbi konkurrueshmërinë e kostos, balancat e jashtme dhe kërkesën agregate”, – tha guvernatori në Samitin rajonal. Prandaj, parashikimi i tyre makroekonomik dhe modelet e analizës së politikës monetare i japin kursit të këmbimit rol të rëndësishëm.
Më tej, në ekonomitë e euroizuara financiarisht, si në rastin e ekonomive tona, lëvizjet në kursin e këmbimit priren të kenë rrjedhoja për stabilitetin financiar, shtoi ai në fjalën e tij në konferencë.
Nënçmimi i shpejtë i kursit rrit kreditë me probleme, ndërsa periudhat e tejzgjatura të mbiçmimit priren të imponojnë rreziqe financiare dhe të nxisin euroizim të mëtejshëm.
Bankat qendrore që përdorin shënjestrimin e inflacionit duhet të përpiqen të shmangin mbështetjen te lëvizjet e tendencës në kursin e këmbimit. Për sa kohë këto lëvizje janë në linjë me faktorët fondamentalë, këto tendenca përfaqësojnë korrektime strukturore që nuk e largojnë ekonominë nga ekuilibri. Nga ana tjetër, luhatjet afatshkurtra të kursit të këmbimit janë normale në një regjim plotësisht të lirë të kursit.
Reagimi i bankave qendrore duhet të varet nga ndikimi i tyre në inflacion, që në vetvete varet nga intensiteti dhe kohëzgjatja e kësaj luhatjeje. Sa më e madhe kohëzgjatja dhe sa më i lartë intensiteti i goditjeve, aq më i madh do të ishte ndikimi në inflacion, aq më i madh rreziku i ndryshimeve të shpejta në pritjet e inflacionit dhe aq më e lartë nevoja për reagim sistematik të politikës monetare.
“Faktet e sipërpërmendura kanë udhëhequr reagimin tonë ndaj mbiçmimit të kursit të këmbimit së fundmi në Shqipëri”, tha guvernatori. Tendenca e mbiçmimit filloi rreth gjysmës së dytë të vitit 2015, por fitoi shpejtësi të konsiderueshme në vitin 2018. Leku u mbiçmua mesatarisht me 2.3% ndaj euros në 2016 dhe 2017, ndërkohë që u mbiçmua me rreth 7% në gjysmën e parë të vitit 2018.
Analiza jonë tregon shpjegime që ndryshojnë qartësisht për mbiçmimin para dhe pas vitit 2018.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.