Vetëm në nëntor, eksportet ranë 9.1%. Krahas “mineraleve, lëndëve djegëse e energjisë”, fillon dhe tkurrja e grupit të tretë më të madh “materiale ndërtimi dhe metale”. Rriten ndjeshëm eksportet e “ushqime, pije e duhan”…
Eksportet arritën në 225.3 miliardë lekë për 11-mujorin e këtij viti, duke shënuar rënie me 4.7% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas statistikave të publikuara sot nga INSTAT. Ritmet e rënies janë përshpejtuar vazhdimisht muajt e fundit (për 10 mujorin, ku tkurrja ishte 4.3 dhe 9 mujorin 3.7%).
Është rënia e thellë e grupit “minerale, lëndë djegëse, energji”, që ka dhënë efektin negativ në totalin e eksporteve. Me rënie janë dhe grupet “materiale ndërtimi dhe metale” dhe “prodhime druri dhe letre”.
“Tekstilet dhe këpucët”, “Ushqime pije dhe duhan” dhe “makineri dhe pjesë këmbimi” po mbajnë në këmbë shitjen e produkteve jashtë vendit.
Nga 9 grupmallra që raporton INSTAT, katër janë me rënie për 11 mujorin.
Eksportet e “minerale, lëndë djegëse, energji” ranë me 24%, në 60.6 miliardë lekë me bazë vjetore për periudhën janar-nëntor. Koniunktura e pafavorshme ndërkombëtare, sidomos për naftën, është arsyeja kryesore e rënies, teksa operatorët nuk kanë interes të prodhojnë e eksportojnë, kur çmimet kanë prekur fundin. Beralb, prodhuesi i kromit pezulloi aktivitetin në shtator.
Gjatë nëntorit kulmoi dhe konflikti Bankers-tatime, me këta të fundit që kërkonin pagesën e detyrimit prej 57 milionë dollarësh, pas një rivlerësimi të aktivitetit të vitit 2011. Bankers mbylli gjysmën e puseve dhe “kërcënoi” deri me ndërprerje të prodhimit. http://www.monitor.al/bankers-mbyll-gjysmen-e-puseve-nese-nuk-zhbllokohen-llogarite-per-dy-dite-ndalon-prodhimin/. Konflikti më pas u zgjidh, teksa kompania pranoi pagimin e detyrimit. Nëse Arbitrazhi do të vendosë në favor të “Bankers”, atëherë këto para do t’i kthehen mbrapsht kësaj kompanie.
Vetëm në nëtor, grupi “minerale, lëndë djegëse, energji” u tkurr me 41%.
Eksportet e tekstile e këpucëve u rritën me 4% në gati 82.7 miliardë lekë për 11-mujorin, duke qenë grupi më i madh i eksportuar në vend me 36% të totalit (një vit më parë kryesonin lëndët djegëse e energjia me 34% të totalit). Ndonëse ky grup e ka marrë veten në gjysmën e dytë të vitit, pas rënies në muajt e parë të vitit, sërish ai mbetet larg rritjeve dyshifrore që u panë vitin e kaluar.
Materialet e ndërtimit dhe metalet shënuan rënie me 2.5% për 11 mujorin, si rrjedhojë e tkurrjes së fortë në tetor e nëntor, duke rezultuar me eksporte prej 33.3 miliardë lekësh, për periudhën janar-nëntor. Kompania Kurum ka kaluar një periudhë të vështirë në periudhën shtator-nëntor, duke ndikuar në performancën negative të këtij grupi. Vetëm në nëntor, ky grup ra me 22%.
Eksportet e ushqimeve, pijeve e duhanit kanë shënuar rritjen më të madhe në vlerë absolute për 11-mujorin, duke u zgjeruar me gati 3.8 miliardë lekë, apo 25%, për të arritur në 19 miliardë lekë.
Eksportet e makinerive dhe pajisjeve kanë ngadalësuar ndjeshëm rritjen në raport me pjesën e parë të vitit, duke u zgjeruar me 21% në 10 miliardë lekë.
Eksporti i drurit dhe letrës, një grup që u rrit me ritme dy shifrore vitin e kaluar ka rezultuar me rënie këtë vit, duke u ulur me 9.4% për 11 mujorin, në 7.4 miliardë lekë. Kompania “Center Shqiptare”, me qendër në Berat, që vitin e kaluar shënoi një lulëzim të eksporteve të çantave të letrës dhe kartonëve në vendet e BE-së, rezulton të ketë frenuar aktivtetin këtë vit.
Për 11-mujorin, grupi më i eksportuar ishin tekstilet e këpucët, me 37% të totalit, ndërsa “Mineralet, lëndët djegëse e energjia” kanë zbritur në vendin e dytë me 27% të totalit, nga 34% që zinin për të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Pesha e “Ushqime, pije dhe duhan” është rritur nga 6% në 9% për janar nëntor 2015.
Eksportet ranë me 9.1% në nëntor
Në muajin Nëntor 2015 eksportet e mallrave arritën vlerën 19 mld lekë, duke u ulur me 9,1 % në krahasim me Nëntor 2014 dhe 3,8 % në krahasim me Tetor 2015, sipas INSTAT. Importet e mallrave në muajin Nëntor 2015 arritën vlerën 49 mld lekë, duke u rritur me 1,7 % në krahasim me Nëntor 2014 dhe duke u ulur me 2,7 % në krahasim me Tetor 2015. Deficiti tregtar i këtij muaji është 29 mld lekë, duke u rritur me 10,3 % krahasuar me Nëntor 2014 dhe duke u ulur me 2,0 % në krahasim me Tetor 2015.
Ulja vjetore e eksporteve prej 9,1 % këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -12,7 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,6 pikë përqindje , “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me -0,9 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Tekstile dhe këpucë” me +4,4 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” kanë kontribuar me +2,3 pikë përqindje, “Lëkurë dhe artikuj prej tyre” me +0,5 pikë përqindje.
Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të importeve:
Rritja vjetore e importeve prej 1,7 % këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +4,5 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me +2,4 pikë përqindje, “Lëkurë dhe artikuj prej tyre” me +0,5 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të importeve kanë ndikuar negativisht grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,9 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -2,9 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me -0,4 pikë përqindje.
Në muajin Nëntor 2015, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Nëntor 2014 janë: Italia me 5,1 %, Greqia me 14,7 % dhe Gjermania me 14,9 %. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Kosova me 52,6 %, Malta me 39,9 %, dhe Spanja me 25,7 %.
Në muajin Nëntor 2015, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Nëntor 2014 janë: Kina me 25,6 %, Turqia me 8,2 % dhe Gjermania me 23,0 %. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia me 3,3 %, Greqia me 13,5 % dhe Bullgaria me 4,6 %.
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 67,0 % të gjithë tregtisë. Në Nëntor 2015, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 80,3 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 61,8 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia (38,5 %), Kina (7,8 %), Greqia (6,3%) dhe Gjermania (6,1 %).
Burimi: Instat
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.