Efekti ‘bumerang’ i pagës minimale

14/05/2017 8:07 AM 1 koment
TEMA TE NGJASHME:
Punesim fason rrobaqepesi 1

Rritja e pagës minimale nga qeveria pritet të japë efekte pozitive dhe negative. Nga njëra anë është biznesi, veçanërisht ai fason e prodhues, që thotë se do ndikohet negativisht.
Sipas tyre, kjo do të ndikojë te planet e investimit, te shpërndarja e dividentit, si dhe te prekja e rezervave që janë krijuar.
Ndërsa pozitivisht vlerësohet aspekti social kundrejt punëmarrësve, të mbështetur nga sindikata

Nga Elona Bedalli

Qeveria i hapi dritën jeshile ndryshimit të pagës minimale për efekt të kontributeve shoqërore. Ka zëra që e quajnë një lëvizje tipike elektorale e të tjerë që e konsideruan si lëvizje të vonuar, për të cilën u desh të pritej më shumë se tre vjet.

E në fakt, paga minimale prej 22,000 lekësh nuk ndryshonte që prej vitit 2013. Diskutimet për një rritje të mundshme nisën rreth një vit më parë si një kërkesë e artikuluar nga sindikatat e që më pas u mor në analizë nga Ministria e Mirëqenies Sociale. Gjatë kësaj kohe, ajo për të cilën nuk bihej dakord ishte shifra e rritjes. Sindikatat kërkonin që rritja të ishte në masën 30%, ndërsa qeveria për më pak se 15%.

Edhe Këshilli Kombëtar i Punës, kur u mblodh herën e fundit, nuk arriti dot të dilte me një vendim të unifikuar. ‘Pikën mbi i’ e vuri qeveria në mbledhjen e saj të datës 3 maj. Këshilli i Ministrave vendosi që: “Paga bazë minimale, mujore, për punonjësit, në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë

24,000 (njëzet e katër mijë) lekë; Paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës; Paga bazë minimale, orare, të jetë 138 lekë; Shtesat me karakter të përhershëm jepen mbi pagën bazë”.
E nga ky vendim pati të kënaqur dhe të pakënaqur. Për punëmarrësit, të cilët paguhen me pagë minimale, e të tillë ka shumë në Shqipëri, kjo do të thotë 2,000 lekë në muaj më shumë.

monitor 779.indd

BIZNESI: DO TË HUMBASIM AVANTAZHIN

Nuk ka asnjë dyshim se një nga sektorët që do ta ndiejë më fort ndryshimin e pagës minimale është fasoni. Të dhënat për vitin 2016 flasin për rreth 70,000 të punësuar në industrinë e veshjeve dhe këpucëve dhe rreth 65% janë ndërmarrje të mesme. Pjesa dërrmuese e punonjësve të këtij sektori, rreth 80%, paguhen me rreth 144 euro në muaj dhe kryesisht bazuar mbi efikasitetin (normën). Përfaqësuesit e këtij sektori shprehen për “Monitor” se rritja e pagës minimale do të thotë shkatërrim për ta, pasi kostot e punës do të rriten ndjeshëm. Gjithashtu kjo do të bëjë që porositësit të largohen në vende të tjera, si në Maqedoni apo në Tunizi. Një tjetër vend konkurrues është edhe Rumania, që ka një nivel të ulët pagash. Fondi i pagave në industrinë e fasonit llogaritet në rreth 70% të shpenzimeve.

monitor 779.indd

Liqejza: Me këtë rritje, teorikisht, të gjitha kompanitë që operojnë në sektorin fason do të mbylleshin

Kur e pyes Gjergj Liqejzën, një nga drejtuesit e hershëm të sektorit fason në Shkodër që punon kryesisht për llogari të industrisë italiane të veshjeve, nuk ngurron ta konsiderojë këtë si “vazhdimin e meselesë”. Rritja e pagës minimale, sipas tij, do të shtojë me rreth 7.4% shpenzimet e biznesit të fasonit.

“Me këtë rritje, teorikisht, të gjitha kompanitë që operojnë në sektorin fason do të mbylleshin. Nëse do t’i referoheshim të dhënave në tatime, do të shihnim se rentabiliteti i këtyre bizneseve nuk është më i lartë se 10% dhe kjo rritje do të kishte ndikim të madh në reduktimin e fitimeve”, thotë Liqejza. Edhe pse kompania që ai drejton nuk ka punonjës (700 të tillë) që paguhen me pagë minimale, sipas tij, ky vendim i qeverisë nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do t’i hapë rrugë informalitetit. “Është matematikë e thjeshtë. Kompanitë do të duhet të vihen përballë uljes së normës së fitimit, përballë vështirësive të mëdha. Cili sipërmarrës do të ishte i qetë përballë kësaj logjike ekonomike që ka zgjedhur qeveria? Asnjë. Por, pa dashur të bëhet përgjithësuese, më duhet të theksoj se pasoja kryesore do të jetë rritja e informalitetit. Sa më e lartë barra fiskale, sa më të larta detyrimet, aq më e madhe do të jetë fshehja”, thotë z. Liqejza. Sipas tij, vendimi i qeverisë për të rritur pagën minimale në 24,000 lekë është i gabuar. Nga ana tjetër do të cenojë planet financiare që janë bërë në fillim të vitit. “Çdo biznes, në fillim të vitit harton planet financiare. Me këto ndryshime të realizuara tani në gjysmë të vitit, këto plane do të rrëzohen dhe parashikimet bien”, thotë z. Liqejza.

Punesim fason paga 2Mici: Qeveria nuk e mbajti premtimin e dhënë për ta përjashtuar fasonin nga kjo rritje.

I të njëjtit mendim është edhe drejtuesja e kompanisë “Donniana”, Donika Mici, një sipërmarrëse e vjetër në sektorin e fasonit, e cila thotë se qeveria nuk e mbajti premtimin e dhënë për ta përjashtuar fasonin nga kjo rritje.

“Shqipëria nuk do të jetë më konkurruese me forcën e punës me kosto të ulët. Të huaj që veprojnë këtu do të stepen përballë uljes së fitimit që do të reflektohet si pasojë e rritjes së shpenzimeve. “Kompanitë do të humbasin atë frymëmarrje që kanë krijuar. Do të fillojnë të tkurrin investimet. Rritja e pagës nuk prek vetëm atë minimale, por si rrjedhim do të rriten edhe pagat e tjera, pasi punonjësi me përvojë nuk mund të marrë njësoj si ai që sapo ka filluar. Në sektorin fason, fitimi është shumë i ulët dhe rritja e shpenzimeve do ta ulte edhe më shumë” thotë znj. Mici. Sipas saj, do t’i kërkohet qeverisë mundësia për të bërë ndryshime ose për të ndërmarrë incentiva. “Sa u përket planeve të investimeve, edhe ato do të ndryshojnë. Nga ana tjetër, Shqipëria nuk ka burime njerëzore të specializuar. Për të trajnuar një njeri, të duhen disa të tjerë dhe kjo në tregun e forcës së punës mungon”, thotë znj. Mici. Edhe të huaj që do të duan të shohin Shqipërinë si një treg të mundshëm tani do të vihen përballë analizës së gjithë rajonit. Vendet e tjera ofrojnë kosto pune të ulur, taksa gjithashtu më të ulëta dhe përballë kësaj oferte fiskale, ata do të zgjedhin atë që është më e favorshme. Nga njëra anë, tatimfitimi 15%, po kaq edhe tatimi mbi dividentin, 9% nga rritja e pagës minimale, të gjitha këto nuk bëjnë gjë tjetër veçse rrisin koston e punës dhe na bëjnë jokonkurrues.
E duket se në të njëjtën linjë janë eksportuesit, si dhe prodhuesit në vend.

Zusi: Punonjësit me rendiment të ulët, do të jenë të rrezikuar për të humbur vendet e punës

Alban Zusi, president i Qendrës së Eksporteve Shqiptare thotë se rritja e pagës minimale në 24,000 lekë do të thotë automatikisht rritje e kostove me rreth miminalisht 600 lekë për punonjës, kosto fiskale që janë tatimet e që i duhen paguar qeverisë. Për bizneset e rregullta, që zbatojnë ligjet e shtetit, do të jetë edhe një kosto tjetër prej 2600 lekë, ndërsa bizneset e tjera do të mundohen ta shmangin këtë, duke përdorur truke. “Kjo do të thotë se disa punonjës, të cilët kanë rendiment të ulët, do të jenë të rrezikuar për të humbur vendet e punës. Do të thotë se mundësia për të hapur vende të reja pune, përveç zonës veriperëndimore, e cila mbetet më e preferuara do të jetë më e minimizuar. Zonat e thella, të tilla si Puka apo Mirdita etj., do të vuajnë pasojat e mungesës së hapjes së vendeve të reja të punës. Pra, me pak fjalë, kjo do të ndikojë në uljen e konkurrueshmërisë së bizneseve vendase, në kushtet edhe të zhvlerësimit të monedhës euro përkundrejt lekut. Kjo është një tjetër kosto e shtuar që i krijohet biznesit, veçanërisht atyre kompanive që kanë numër të madh punonjësish, por edhe të atyre që i paguajnë me pagë minimale. Edhe në këtë rast, do të cenohet ndjeshëm konkurrueshmëria duke krijuar ose mbyllje të disa proceseve, që mund të jenë në kufijtë e raportit kosto/të ardhura ose ulje e akumulimit të fitimit. Kjo nënkupton më pak investime, pasi vlera e shtuar do të reduktohej dhe si rrjedhim do të kishim edhe më pak vende pune”, thotë z. Zusi.

Sipas tij, rritja me 2,000 e pagës minimale në 24,000 lekë do të ketë këto pasoja direkte: shkurtim të vendeve të punës, ulje të aftësisë për të investuar (rrjedhimisht për të hapur vende të reja pune), ulje të interesit për të investuar në zona më të thella që kanë më shumë nevojë dhe ulje të konkurrueshmërisë.

Por, sipas z. Zusi, kjo nuk do të reflektohet vetëm brenda vendit, por edhe në konkurrencën kundrejt vendeve të tjera të rajonit.
“Pjesa më e madhe e bizneseve eksportuese shpeshherë konkurrojnë veç të tjerash, edhe me krahun e punës, ne kemi konkurrent të drejtpërdrejtë vendet e Afrikës së Veriut, siç është Maroku, Egjipti, Tunizia, Libia. Në këto vende, kostoja e punës është gati dy herë më e ulët se tek ne, por nëse ne na rriten kostot e fuqisë punëtore me rreth 10%, atëherë nuk kemi bërë gjë tjetër veçse kemi ulur aftësinë konkurruese të bizneseve tona.
Po cila do të jenë disa nga masat konkrete që do të detyrohet të marrë biznesi në këto kushte? “Bizneset do përpiqen që ta përballojnë këtë situatë me koston e një fitimi më të ulët, por që nuk duhet kuptuar si një fitim më pak për bizneset, por si mundësi investimi e reduktuar për ekonominë shqiptare dhe më pak vende pune të hapura. Do të mund të ketë disa produkte (disa biznese e thonë këtë gjë) që janë në kufijtë e mbijetesës për shkak të kostove që mund të reduktohen përfundimisht. Por, mund të ketë edhe ndonjë biznes që mund të mos e përballojë, veçanërisht nënkontraktorët që punojnë për norma relativisht të ulëta fitimi. Ose mund të jetë “pika e fundit që derdh gotën” që mund t’i shtyjë ata drejt një limiti të paleverdishmërisë për të vazhduar më tej aktivitetin.

Por, a do të reflektojë biznesi kosto te konsumatori final, sa u përket çmimeve të produkteve?
“Bizneset vendase, do ta reflektojnë menjëherë te çmimet ndaj konsumatorit final. Por, këtu do të kemi një fenomen tjetër, ku produkti vendas me çmim të rritur do të konkurrojë me vështirësi me ato të importit. Kjo rritje e kostos nuk do të jetë e reflektuar në çmimet e importit.
Bizneset eksportuese nuk kanë mundësi që ta reflektojnë te çmimi pasi asnjë klient nuk do të mund të pranonte logjikën e rritjes së pagës me urdhër qeveritar dhe rrjedhimisht edhe të çmimit.

Punesim fason pagaShkodra: Vendimi i qeverisë nuk është diskutuar me sipërmarrjen

Ndërsa Arben Shkodra, sekretar i përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, thotë se vendimi i qeverisë, i cili ka rreth një vit që diskutohet në ministritë e linjës dhe sindikatat, nuk është diskutuar me sipërmarrjen apo përfaqësitë e punëdhënësve, për të marrë pikëpamjen e tyre në një çështje që i prek drejtpërdrejt, si dhe për të kryer një studim. “Shoqatat e biznesit nuk janë thirrur për të diskutuar dhe si rrjedhim nuk ka pasur një analizë të detajuar mbi logjikën ekonomike dhe të gjithë zinxhirin”, thotë z. Shkodra. Ai e vlerëson si pozitiv vendimin për rritjen e pagës minimale për efekt të kontributeve nga pikëpamja sociale. Në këtë kontekst, qëndrimi është pozitiv.

Por, a ka të drejtë biznesi të ankohet duke qenë se, për shumë vite e bazoi avantazhin kryesisht te kostoja e punës dhe jo te faktorë të tjerë plotësues? Sipas z. Shkodra, do të mund të kishim avantazhe të tjera krahas forcës së punës, formimin profesional, por një gjë e tillë nuk ka qenë. Ose mund të kishte lehtësi të tjera, në tarifa apo në skema të ndryshme ndihmëse.

“Ne jemi pro këtij vendimi në parim dhe si qasje me ndikim social, por për aq kohë sa nuk i njohim të gjitha hallkat e tjera të zinxhirit të biznesit, atëherë nuk mund të flasim për avantazhe të tjera. Ndikimi i kësaj mase llogaritet në 200 mijë lekë për biznesin prodhues dhe një shifër e tillë do të bënte që të uleshin investimet ose të ristrukturoheshin. Njohja e të gjithë zinxhirit do të përcaktonte kostot dhe se cila pjesë nuk funksion ashtu siç duhet”, thotë z. Shkodra. Sipas tij, ndikimi afatshkurtër i kësaj mase do të jetë prekja e rezervave nga ana e biznesit për të shmangur largimet nga puna. Në shtator panorama do të mund të jetë më e qartë edhe sa u përket shpenzimeve.

 

Liqejza:

Me këtë rritje, teorikisht, të gjitha kompanitë që operojnë në sektorin fason do të mbylleshin. Nëse do t’u referoheshim të dhënave në tatime, do të shihnim se rentabiliteti i këtyre bizneseve nuk është më i lartë se 10% dhe kjo rritje do të kishte ndikim të madh në reduktimin e fitimeve

Mici:

Kompanitë do të humbasin atë frymëmarrje që kanë krijuar. Do të fillojnë të tkurrin investimet. Rritja e pagës nuk prek vetëm atë minimale, por si rrjedhim, do të rriten edhe pagat e tjera, pasi punonjësi me përvojë nuk mund të marrë njësoj si ai që sapo ka filluar

Shkodra:

Do të mund të kishim avantazhe të tjera krahas forcës së punës, formimin profesional, por një gjë e tillë nuk ka qenë. Ose mund të kishte lehtësi të tjera, në tarifa apo në skema të ndryshme ndihmëse

Zusi:

Mund të ketë edhe ndonjë biznes që mund mos ta përballojë, veçanërisht nënkontraktorët që punojnë për norma relativisht të ulëta fitimi. Ose mund të jetë “pika e fundit që derdh gotën” që mund t’i shtyjë ata drejt një limiti të paleverdishmërisë për të vazhduar më tej aktivitetin

 

 

monitor 779.indd

Përse erdhi rritja

Diskutimi për ndryshimin e pagës minimale ka nisur që në fillimin e vitit të kaluar.

Të gjitha argumentimet janë shqyrtuar si nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ashtu edhe Ministria e Financave.
Në një shkresë në dhjetor të vitit 2016, Ministria e Mirëqenies Sociale i ka kërkuar mendim Ministrisë së Financave ku propozonte caktimin e një page minimale në 24,000 lekë në muaj si varianti më i pranueshëm dhe për të cilin ishin përgatitur dokumentet e nevojshme dhe ishin zhvilluar edhe takime me partnerët socialë.

Kjo rritje u argumentua duke pasur parasysh disa aspekte:
– Nevoja e ruajtjes së nivelit të jetesës së punonjësve që marrin një pagë minimale. Duke filluar nga viti 2013 e deri në vazhdim nuk ka pasur rritje të pagës minimale e as indeksim sipas çmimeve të konsumit.
– Plotësimi i detyrimit ligjor që rrjedh nga neni 4 i Kartës Sociale Europiane dhe Rekomandimi nr.135 i ILO-s, sipas të cilit paga minimale duhet përshtatur kohë pas kohe në përputhje me ndryshimet e kostos së jetesës dhe faktorëve të tjerë ekonomikë.
– Niveli i ulët i pagës minimale në vendin tonë në krahasim me vendet e tjera të rajonit
– Mundësitë që ka aktualisht biznesi dhe sidomos ai fason që ka qenë kundër rritjes së pagës minimale. Kjo e argumentuar me faktin se industria përpunuese e fasonëve, përgjithësisht tekstilet dhe lëkura, kanë rritur volumin e produkteve të tyre eksportuese.

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

1 Koment në "Efekti ‘bumerang’ i pagës minimale"

Notify of

Sort by:   newest | oldest | most voted
Guest
Iq160
3 months 2 ditë më parë

Shqiperia ka rrogen minimale me te ulet ne raport me prodhimin e brendshem bruto per koke banori. Produktiviteti eshte produkt edhe i mirepageses , mqs nje rroge qe nuk mbulon as nevojat me minimale nuk jep incentivat per te punuar …. keto reagime jane te kota edhe nje tregues e nje biznesi i cili operon mbi konceptin e skllaverise. Madje shume pak eshte rritur rroga minimale ….

wpDiscuz