Flet Majlind Lazimi, Sekretar për Çështjet Ekonomike, LSI: Ekonomia rritet me stimulin e biznesit
Në fushatën elektorale, LSI ka qenë aktive në propozimin e iniciativave ndaj biznesit për ulje-rishikim të taksave. Mund të na rendisni disa prej këtyre propozimeve, domethënë pjesën më me peshë për biznesin?
LSI ka qenë e fokusuar gjatë gjithë fushatës në Programin e saj ekonomik, ku padyshim punësimi përbën shtyllën kurrizore të të gjithë propozimeve tona. Për ne është e rëndësishme që të nxisim, jo vetëm rritjen ekonomike, por edhe hapjen e vendeve të reja të punës dhe natyrshëm ky objektiv primar nuk mund të realizohet pa stimuluar biznesin, i cili sot kontribuon me 83% të të punësuarve. Prandaj ne mendojmë që ekonomia shqiptare ka potenciale të fjetura si në bujqësi, industri apo në sektorin e shërbimeve, të cilat realisht mund të marrin një hov të ri përmes përmirësimit të ndjeshëm të klimës së biznesit, incentivave fiskale dhe një mbështetje financiare më energjike ndaj këtyre sektorëve prioritarë. Edhe politikën e taksave ne e kemi parë të zhveshur nga ideologjizimi sepse besojmë se sistemi fiskal është një mjet jo qëllim në vetvete, për të garantuar zhvillimin ekonomik dhe progresin social. Ne jemi më shumë të fokusuar tek politikat e rishpërndarjes dhe investimeve publike me rentabilitet të lartë, ku aplikimi i Partneritetit Publiko-Privat në shumë vepra publike merr një rol të veçantë. Nga ana tjetër, ne kemi propozuar reduktim taksash për sektorin prodhues dhe eksportues, sepse në një kohë afatmesme, zgjerimi i këtyre bizneseve do të përkthehet në rritje të të ardhurave buxhetore, kuptohet paralelisht ka nevojë për formalizim të mëtejshëm të ekonomisë shqiptare dhe zgjerim të bazës së tatimpaguesve. Konkretisht disa nga masat pro-biznes që ne kemi propozuar janë: 1. Tatim fitimi zero për 3 vitet e para për bizneset prodhuese që punësojnë më shumë se 30 punëtorë. 2. Krijimi i zonave të lira ekonomike (tax-free zones), ku bizneset përjashtohen nga të gjitha taksat dhe tatimet për 5 vitet para të aktivitetit. 3. Për stimulimin e punësimit të të rinjve që nuk kanë eksperiencë pune dhe për të ulur kostot e rekrutimit, një pjesë e pagës së tyre mund t’ju subvencionohet punëdhënësve për një periudhë kohore 3-6 muaj, të mjaftueshëm për kualifikimin dhe trajnimin e tyre etj.
Në këtë pikë, shtrohet normalisht pyetja: a keni menduar ju për efektet në buxhet nga prekja e këtyre taksave dhe sa është ky efekt?
Pjesa më e madhe e propozimeve tona synojmë gjallërimin e sektorëve që sjellin vlerë të shtuar në ekonomi, kanë intensitet të lartë punësimi dhe kryesisht po orientohen drejt sipërmarrjeve të reja të cilat nuk ekzistojnë
aktualisht. Patjetër që çdo iniciativë apo reformë ekonomike ka faturën e vet, por gjithmonë në propozimet tona kemi pasur parasysh që kjo faturë në një kohë afatmesme të jetë shumë më e ulët sesa përfitimet ekonomike apo buxhetore. Aktualisht, PS dhe LSI kanë ngritur një grup të përbashkët pune për hartimin e Programit 300-ditor, ku do të parashikohen edhe masat më afatshkurtra të cilat do të kenë efekt të prekshëm në ekonomi dhe që nuk rrezikojnë stabilitetin e financave publike, të cilat sot kanë nevojë imediate për një skanim dhe inventarizim të plotë dhe transparent për të evidentuar situatën reale të të gjithë treguesve fiskalë.
Si e keni llogaritur mbulimin e kësaj diference negative?
Siç thashë edhe më sipër, kemi nevojë për mbështetje fiskale sektoriale dhe të targetuar ndaj prodhimit dhe eksporteve, sikurse edhe ndaj shtresave më në nevojë të shoqërisë. Këto efekte financiare janë të justifikuara sidomos në një kohë kur investimet private (vendase dhe të huaja), konsumi dhe remitancat kanë rënë ndjeshëm, kur kreditimi bankar është shtrënguar dhe kur biznesi po has probleme të jashtëzakonshme me mungesën e likuiditetit. Prandaj, në këto kushte, i mbetet qeverisë së re të rikthejë besimin në ekonomi, duke rigjallëruar ekonominë dhe duke stimuluar futjen në qarkullim të një pjese të mirë të rreth 7 miliardë euro kursime depozitash të qytetarëve shqiptarë, të cilat aktualisht janë të fjetura në sistemin tonë bankar. Qeverisë së re i duhet të marrë masa të forta për stabilizimin e financave publike, por pa lënë pas dore objektivin e punësimit dhe nxitjes së biznesit.
Është e nevojshme një marrëveshje me FMN dhe për çfarë na nevojitet?
Ekonomia është një shkencë sociale dhe si e tillë, për çdo problem ka më shumë sesa një zgjidhje. E rëndësishme është që në çdo reformë që do të ndërmarrim, të konsultohemi ngushtë me partnerët dhe institucionet ndërkombëtare financiare që na kanë ndihmuar në këto dy dekada. Çdo opsion është i mundshëm, por më duhet ta përsëris se qeverisë së re në shtator i duhet një stabilizim financiar dhe konsolidim fiskal gradual, pa sforco të shpejtë dhe pa reduktuar investimet publike me rentabilitet të lartë, të cilat në fakt janë burimi kryesor për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik që gjeneron punësim.
Punësimi
Do të nxisim jo vetëm rritjen ekonomike, por edhe hapjen e vendeve të reja të punës, dhe ky objektiv nuk mund të realizohet pa stimuluar biznesin, i cili sot kontribuon me 83% të të punësuarve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.