“Nxitja e kulturës për zhvillim të qëndrueshëm” është tema që mblodhi sot në Tiranë Këshillin e Ministrave të Kulturës të Europës Juglindore.
Duke mbajtur një fjalë në këtë takim, ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi, u shpreh se zhvillimi i qëndrueshëm dhe trashëgimia kulturore duhet të shihen të lidhura në dimensione të vogla lokale. Kjo pasi, vetëm duke u parë në këtë mënyrë, ne arrijmë të tërheqim investime të huaja dhe t’i japim mundësi zhvillimit lokal, duke bërë gjithëpërfshirës punësimin e grave dhe duke përmirësuar jetën e fëmijëve dhe komuniteteve në këto zona.
Ministrja Ekonomi tha se tashmë ky këndvështrim për rritjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, duke pasur parasysh nxitjen e kulturës dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulture, është bërë pjesë e punës së Qeverisë në këto vitet e fundit. Ministrja shtoi se edhe projektet, që po financon tashmë Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, po shihen në këtë këndvështrim, për të nxitur sipërmarrje të reja në fushën e kreativitetit, apo artizanatit, që mbrojnë dhe zhvillojnë trashëgiminë kulturore. Një nga këto shembuj është dhe qyteti i Korçës, ku MZHETTS ka financuar një sërë projektesh të tilla në ndihmë dhe të zhvillimit të qëndrueshëm rajonal.
Në këtë konferencë ishte i pranishëm dhe kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se trashëgimia kulturore e të parëve tanë, ndërtimet e hershme janë bërë më me mjeshtri dhe finesë se ndërtimet dhe dallojnë dukshëm nga ndërtimet e reja. Ai tha se gjithë rajoni ynë po jeton në një agresion të shëmtuar që e ka varfëruar trashëgiminë kulturore të vendeve tona, ndaj duhen gjetur rrugët mes qeverisjes vendore e qendrore për të investuar tek e bukura. Ai shtoi se programi i Rilindjes Urbane ka pikërisht këtë synim edhe pse pati kritika. “Aty ku është investuar për të bukurën është konsistente edhe rritja ekonomike. Aty ku nuk kemi arritur të shtrijmë këtë program, vërehet diferenca pasi nuk ka sjellë shenja të zhvillimit vendor”, tha ai.
Konferenca e Këshillit të Ministrave të Europës Juglindore është tashmë platforma kryesore e bashkëpunimit në nivel ministror për kulturën dhe zhvillimin në Europën Juglindore. Të pranishëm në këtë konferencë ishin ministra të Kulturës dhe titullarë të ministrive të vendeve të SEE: Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, Turqia dhe Maqedonia.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.