Sipas statistikave të INSTAT, numri i turistëve të huaj është rritur në pesëmujorin e parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me rreth 9.5%. Gjatë këtyre muajve, Shqipëria u vizitua nga më shumë se 1,3 milionë turistë. Natyrisht, sezoni veror do të sjellë një fluks të shtuar të turistëve për pushime, u shpreh më herët gjatë muajit në një intervistë për “Monitor” Ministrja e Ekonomisë dhe Turizmit, Milva Ekonomi.
Vitin e shkuar, të ardhurat nga turizmi sipas Bilancit të Pagesave të Bankës së Shqipërisë arritën vlerën pozitive prej 1.5 miliardë eurosh. Krahasuar me vitin 2015, të ardhurat nga turizmi u rritën me 13% duke i sjellë ekonomisë kombëtare 175 milionë euro më shumë.
Ministrja thotë se, këta tregues pozitivë tërhoqën më tepër vëmendjen e sipërmarrjes për të investuar në këtë sektor. Veç strukturave akomoduese ka një rritje të numrit të ambienteve, shtëpi, dhoma, që jepen me qira për turistët, të listuara në Airnbnb gjatë vitit të kaluar, të cilat shtojnë kapacitetet akomoduese, veçanërisht në sezonin e plazhit. Dhe sipas AirDNA.co. statistikat për Shqipërinë janë dyfishuar.
Ekonomi shpjegon se, nga ana tjetër, ka një interes në rritje për ndërtimin e strukturave akomoduese të reja dhe kjo vjen sigurisht nga kërkesa e vazhdueshme në rritje e vizitorëve të huaj. Një prej tyre, thotë ajo, është projekti për resortin “San Pietro” në Gjirin e Lalëzit, një bashkëpunim i suksesshëm midis studios më të mirë të projektimit në Itali “OikosProgetti”, kompanisë menaxhuese “Melia Internationals” dhe kompanisë së njohur të ndërtimit në vend, shoqërisë “EdilAl-It” sh.p.k. Resorte të tjerë me standarde të larta janë duke u ndërtuar në zona të tjera bregujore.
Ekonomi thotë se turistët nga Europa Lindore janë shtuar dy vitet e fundit. Në qershor-gusht 2016, sipas statistikave, fluturimet me charter arritëm në 119 fluturime nga 60 në të njëjtën periudhë të vitit 2015. Viti 2017 duket që ka nisur mbarë.
Në qershor të këtij viti nisi fluturimet linja Pragë-Tiranë, e cila mbulohet nga Smartwings, një nga kompanitë low-cost më të mëdha çeke me rreth 100 fluturime nëpër botë dhe një flotë prej 48 avionësh. Kjo linjë vjen 2 herë në javë, me një kapacitet prej 400 pasagjerësh. Ndërkohë numri i turistë polakë vjet ka qenë 45.000 dhe sivjet pritet të jetë shumë më i madh. Përveç kompanisë polake Itaka që operonte në Shqipëri, sivjet ka nisur operimin dhe një tjetër kompani e madhe turistike Rainbow, e cila nisi një linjë direkte charter gjatë gjithë sezonit, nga qershori në shtator, me rreth 200 turistë polakë çdo javë. “Po sivjet patëm dhe turistët e parë nga Ukraina dhe Bjellorusia, falë dhe heqjes së vizave me këto vende.
Tur-operatorët do të vijojnë të sjellin çdo javë turistë nga Bjellorusia dhe Ukraina deri në fund të muajit shtator. Vetëm nga Ukraina pritet të vijnë këtë vit rreth 8000 turistë. Tur-operatorët shqiptarë kanë lidhur kontrata fikse me tur-operatorët e këtyre vendeve edhe për katër vitet e ardhshme. Fakti që numri i tyre sa vjen e shtohet tregon se ata janë të kënaqur me ofertën turistike të Shqipërisë”, – tha ajo.
Por gjeografia e turistëve është shumë më e gjerë. Sipas ministres, është interesant fakti se, ndërsa para pak vitesh Durrësi nuk ishte një destinacion i preferuar nga turistët perëndimorë, por vetëm për turistët nga rajoni, tashmë bizneset akomoduese në Durrës shprehen mjaft të kënaqur, pasi kanë pasur një gjeografi të pasur të turistëve që nga Franca, Gjermania, SHBA, Europa Lindore etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.