Në vazhdën e angazhimit për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe rritjen e transparencës së praktikave tregtare në treg, por edhe në përgjigje të shqetësimit qytetar për praktikat e rritjes së çmimeve në periudhat e fundvitit, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ka nisur marrjen e masave për monitorimin e tregut.
Në këtë kuadër, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes z.Arben Ahmetaj dhe Ministri i Financave Z. Shkëlqim Cani kanë firmosur Urdhrin e Përbashkët “Për ngritjen e grupit të përbashkët të punës për shmangien e rritjes abuzive të çmimeve në treg”.
Monitorimi i tregut do të bëhet në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, përfundon njoftimi zyrtar.
Në janar hyri në fuqi taksa e re e qarkullimit për karburantet, cigaren, kafenë dhe disa produkte të tjera. Për karburantet u rrit nga 7 lekë në 17 lekë për litër, dhe për cigaret nga 70 lekë në 90 lekë për paketë.
Që në ditët e para të janarit, kjo u shoqërua me rritje të çmimit të naftës e benzinës me rreth 10 lekë për litër ndërsa për cigaret me 20-50 lekë për paketë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.