Ekonomia dhe mjedisi në këndvështrimin e çmimit Nobel

19/10/2018 10:00 PM 0 komente

Çmimi Nobel për Ekonomi iu dha dy ekonomistëve për studimet e tyre për klimën dhe rritjen ekonomike. Paul Romer dhe William Nordhaus ndajnë së bashku lavdinë e fitimit të këtij çmimi

 

Pse rriten ekonomitë dhe pse rritja mund të kapërcejë kapacitetin e botës natyrore për ta mbështetur atë? Dhënia e përgjigjes ndaj kësaj pyetje i ka bërë ekonomistët që të humbasin shumë kohë në studime dhe kërkime që nuk dhanë rezultate domethënëse., shkruan The Economist Një pjesë e dështimit të tyre i atribuohet pjesërisht edhe dy fituesve të çmimit Nobel për Ekonomi të këtij viti, Paul Romer dhe William Nordhaus.

Në pamje të parë, dy studiuesit duket se nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin. Por Sveriges Riksbank, që është pikërisht ajo që financon Çmimin Nobel për Ekonominë, i përshëndeti ata për studimet e tyre për “integrimin e ndryshimeve klimatike dhe inovacionit teknologjik në analizën makroekonomike”.

Gjatë karrierës së tij, z. Romer ka prekur tema të ndryshme, por fokusi i tij kryesor ka qenë thuajse gjithmonë te natyra e rritjes ekonomike. Shkencëtarë të tjerë që nuk binin dakord me teorinë e tij, mendonin se rritja e qëndrueshme, në një periudhë afatgjatë, varet nga progresi teknologjik, ku ky i fundit varet nga krijimi i ideve të reja.

Por ata u përpoqën të zbulonin se si gjeneroheshin idetë e reja dhe se si inovacioni ndërvepronte me aktivitetet e tjera të tregut. Z. Romer kërkoi përgjigje duke hetuar natyrën “jo-rivale” të njohurive të reja, faktin se idetë mund të shfrytëzohen pafundësisht. Firmat apo njerëzit që sjellin ide të reja, mund të marrin vetëm një pjesë të vogël të përfitimeve që rrjedhin prej tyre, sepse ato brenda një kohe të shkurtër kopjohen nga konkurrentët duke i zhdukur përfitimet e novatorëve. Në modelet e rritjes së z. Romer, është tregu ai që gjeneron ide të reja. Por ritmi me të cilin ato gjenerohen dhe mënyra në të cilën ato përkthehen në rritje, varet edhe nga faktorë të tjerë, siç janë mbështetja e shtetit për kërkimin dhe zhvillimin ose mbrojtjen e pronësisë intelektuale. “Modelet endogjene të rritjes” të prodhuara nga z. Romer dhe ato të influencuara prej tij janë cilësuar dikur si një hap i rëndësishëm drejt kuptimit të modeleve të rritjes ekonomike në të gjithë globin.

Por ato nuk e kanë përmbushur plotësisht atë premtim. Por mangësitë e tyre kanë qenë të dobishme, për shkak të asaj që ato thonë për sistemet komplekse. Çfarë i ndalon, për shembull, njohuritë e dobishme dhe gjerësisht të disponueshme nga shndërrimi i tyre në prosperitet të gjerë?
Çfarë e pengon përhapjen e njohurive, apo shndërrimin e tyre në rritje në disa kontekste, ndërsa në disa të tjera nuk pengohet? Duke theksuar se krijimi dhe përhapja e ideve është e nevojshme, por jo e mjaftueshme për rritjen, z. Romer zbuloi burime shumë të pasura për të gjithë kërkuesit e tjerë. Ndërsa puna kërkimore e z. Nordhaus ka të bëjë me ndërveprimin e disa sistemeve të ndryshme komplekse.

Ndërgjegjësimi për rreziqet e dëmit mjedisor dhe të kërcënimit nga ndryshimet klimatike, është rritur shumë gjatë gjysmëshekullit të kaluar. Kuptimi i kostove ekonomike që sjell një dëm i tillë është i rëndësishëm për t’i dhënë përgjigje pyetjes sesa e gatshme do të jetë shoqëria të paguajë për të parandaluar shkatërrimin e mjedisit. Referuar modeleve të z. Nordhaus, emetimet e karbonit janë një prej dëmeve më të mëdha që i kanosen ekonomisë.

Për ta pasqyruar këtë, ai ndërthuri analizën matematikore se si emetimet ndikonin në përqendrimet e karbonit atmosferik me atë se si karboni atmosferik ndikonte në temperaturën globale dhe se si ndryshimet në temperaturën ndërvepronin me aktivitetin ekonomik. Duke ndërtuar këto “modele të vlerësimit të integruar”, z. Nordhaus mund të parashikonte se si trajektoret e ndryshme për emetimet globale të karbonit do të prodhonin temperatura të ndryshme globale.

Kjo, nga ana tjetër, i lejoi atij që të vlerësonte kostot e mundshme ekonomike të këtyre skenarëve të ndryshëm, duke gjetur se cili do të ishte niveli i duhur i reduktimit të emetimeve të karbonit që do të ishte edhe optimali për ekonominë.
Rezultatet e tij përcaktojnë strukturën bazë për diskutimet mbi klimën. Ai ishte i pari që sugjeroi se ngrohja duhet të kufizohet në jo më shumë se 2 ° C më shumë se temperaturat paraindustriale.

Ashtu si me punën e z. Romer, edhe kontributi i z. Nordhaus është i dukshëm për atë që nxjerr në pah mangësitë e tyre. Puna e tij ka nxitur një debat të fortë rreth asaj se si të mendojmë më mirë përmes pasigurive të mëdha që lidhen me ngrohjen globale dhe nga mënyra se si emetimet përkthehen në temperatura më të larta. Të dy fituesit e çmimit hapën shtigje të reja që dijetarët e tjerë të vazhdojnë t’i ndjekin, në të mirë të ekonomisë dhe të njerëzimit.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of