Komisioni i Ekonomisë ka nisur diskutimet për një projektligj të qeverisë që synon reduktimin e rasteve të miratimit të marrëveshjeve të huasë nga Parlamenti.
Relatori për këtë projektligj, Anastas Angjeli, argumentoi se kjo mënyrë synon rritjen e eficencës në marrjen e një huaje.
Përmes këtij projektligji, Qeveria kërkon të reduktojë kompetencat e Kuvendit ne miratimin e marrëveshjeve te huave ndërkombëtare.
Aktualisht në Kushtetutë thuhet se çdo hua ndërkombëtare miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë.
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani ka deklaruar më herët , se ky projektligj synon të sjellë më shumë fleksibilitet në negocimin e kredive sidomos në tregun ndërkombëtar. Specifikisht kjo vlen për Eurobondin që qeveria synon të emetojë gjatë vitit që vjen. Ndryshimet e propozuara synojnë të përmirësojnë qartësinë ligjore në standardet e kërkuara nga tregjet ndërkombëtare, me qëllim që shtetit shqiptar t’i jepet një qasje në tregjet ndërkombëtare të parasë, duke synuar në uljen e kostos së huamarrjes shtetërore. Me anë të këtyre ndryshimeve synohet të qartësohen procedurat, si në rastin e huamarrjes nëpërmjet instrumenteve të së drejtës private, ashtu edhe në rastin kur kjo realizohet ndërmjet dy subjekteve sovrane.
Komisioni për Ekonominë dhe Financat ka në rend të ditës sot diskutimet për:
– Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9665, datë 18.12.2006 “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë” – paraqitja e relatimit, pyetje-pergjigje dhe diskutim ne parim.
– Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e Unionit “Doganat 2020”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.