Zbardhja e faturave të blerjes për ta do t’i detyrojë të mos mbajnë rezerva në raportimin e të ardhurave dhe në këtë mënyrë, do të vijojë të ketë një biznes tregtar apo shërbimi ai biznes që është më pranë deklarimit të të ardhurave
Nga Aurela Gjokutaj
Nisur nga përvoja dhe skemat ndërkombëtare që janë unike në zgjerimin e bazave, përfshirja e biznesit të vogël në TVSH arrihet duke ulur pragun e xhiros (qarkullimit), që në rastin në fjalë mund të shkojë për një prag kufiri deri në 2 milionë lekë apo edhe 0 lekë (siç e ka Turqia). Ulja e pragut të xhiros nën 2 milionë lekë lë jashtë skemës vetëm ambulantët. Ndërkohë, nëse pragu bëhet 0 lekë (pra nuk ka prag) atëherë përfshihet çdo tatimpagues, që është objekt regjistrimi në QKB dhe që merr leje veprimtarie.
Ndryshimi i pragut bëhet me VKM. Pra do të bëhet ndryshim i VKM Nr. 953, datë 29.12.2014.
Neni 11, Përcaktimi i kufirit minimal të regjistrimit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).
Skema e zbatimit pas përfshirjes në TVSH është sipas të njëjtit regjim si për çdo person të tatueshëm me TVSH, pa bërë dallime.
Mendoj se nuk ka vend për rritje çmimesh nga aplikimi i kësaj politike.
Arsyeja e parë për ndryshim çmimesh do të ishte në rast se një ekonomi formale, ku secili dokumenton dhe raporton e paguan detyrimet korrektësisht do ta zhvendoste barrën te konsumatori, pasi nuk ka hapësirë në elementet e çmimit për të përthithur TVSH. Në rastin e ekonomisë shqiptare me mbi 75% biznese të vogla, informaliteti dhe abuzimi me çmimet pasqyron një normë fitimi që përfshin edhe TVSH.
Thjesht zbardhja e faturave të blerjes për ta do t’i detyrojë të mos mbajnë rezerva në raportimin e të ardhurave dhe në këtë mënyrë, do të vijojë të ketë një biznes tregtar apo shërbimi ai biznes që është më pranë deklarimit të të ardhurave. Pretendimi se do të dënohen dyqanet është një avokati formale e biznesit informal, pasi nuk ka logjikë shprehja që do të konkurrohen dyqanet nga supermarketet që i deklarojnë të gjitha. Mendoj se konkurrenca vjen nga cilësia e mallit/shërbimit, si dhe një sjellje më e mirë me klientin.
Nga ana tjetër, një shfrytëzim më efektiv i ligjit të procedurave dhe konsulencë falas për të përfituar nga amnistia ndihmon në mosgjobitjen e tyre, duke deklaruar inventarë që deri më sot nuk i kanë deklaruar. Për shërbimet mbetet vetëm të modifikojnë dhe përshtatin planet e biznesit për 2018.
*Drejtore e ALTAX
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.