Europa nuk është më “pjesa e sëmurë” e ekonomisë botërore.
Blloku prej 19 vendesh tashmë po gëzon rritjen më të fortë në një dekadë dhe tani ekonomistët në Credit Suisse Group AG dhe Oxford Economics po deklarojnë se po shkon drejt një periudhe të artë të zgjerimit të ulët inflacionist.
Kthesa është e mrekullueshme për një rajon që u zhyt nga kriza financiare globale në trazirat e veta të borxhit, rekordit të papunësisë dhe afrimit të deflacionit, të cilat kërcënuan mbijetesën e bashkimit monetar. Ndërsa ende ka punë për të bërë, në kushtet e një produktiviteti ende të dobët, përsëri ky kthim të paktën jep shpresë se disa plagë do të fillojnë të shërohen.
“Kjo është rritja më e mirë e Eurozonës”, tha Nathan Sheets, një ish-ekonomist ndërkombëtar në Rezervën Federale dhe në Thesarin e Shteteve të Bashkuara. “Miqtë tanë në kontinent duhet ta gëzojnë atë, ka qenë një periudhë e gjatë e vështirë”.
Komisioni Europian javën e kaluar ngriti parashikimin e rritjes së 2017 në 2.2%, nga një vlerësim prej 1.7% në maj.
Ekonomistët e anketuar nga Bloomberg kanë rritur parashikimet e rritjes tetë herë këtë vit. Të dhënat parashikohen të tregojnë se rajoni fitoi më shumë vrull në tremujorin e tretë, duke u zgjeruar me 0.6%, më shpejt se sa trendi afatgjatë, sipas Bloomberg Economics.
Krijuesi i politikës së Bankës Qendrore Europiane, Benoit Coeure, javën e kaluar shkoi aq larg sa të thoshte se në aspektin e ekuilibrit dhe qëndrueshmërisë, ekonomia është në formën më të mirë që nga lindja e euros në vitin 1999, edhe pse ai u bëri thirrje qeverive të zbatojnë më shumë reforma për ta mbështetur atë.