Ndër të gjithë rajonin ky vit ka qenë disi më i vështirë për Shqipërinë dhe Serbinë, ekonomitë e të cilave kanë performuar më dobët. Referuar të dhënave të gjysmës së parë të këtij viti, ekonomia e Shqipërisë është rritur me 0.5 për qind, ndërsa ekonomia e Serbisë, me 0.8 për qind. Për vendet e tjera si Maqedonia, Mali i Zi, Turqia dhe Kosova, ekonomia ka përformuar më mirë. Rritja ekonomike në këto vende rezulton nga 2-4 për qind, ku rritjen më të lartë rezulton ta ketë Maqedonia. Ekonomia e Maqedonisë është rritur me ritme më të shpejta në tremujorin e dytë të vitit. Rritja ekonomike është ndikuar në masën më të madhe nga rritja e shpenzimeve konsumatore dhe nga ecuria e mirë e prodhimit industrial. Në kahun negativ kanë kontribuar ngadalësimi i investimeve dhe përformanca e dobët në sektorin e ndërtimit. Vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë kaluar krizën ekonomike dhe tashmë po shënojnë rritje. Shumica e këtyre vendeve e mbyllën vitin 2012 me rënie, por klima duket ka ndryshuar përgjatë vitit 2013, duke rikthyer ritmet e rritjes mbi 2 për qind. Por siç shihet, cikli i krizës po vjen një hap më vonë në Shqipëri. Në vitin 2013, i cili u karakterizua nga zhvillime të forta në ekonominë vendase, ishin zgjedhjet e përgjithshme ato që e lëshuan ekonominë në territor negativ ose shumë afër zeros. Ndërsa këtë vit rritja po vijon të jetë e brishtë ndërmjet 0-1 përqindëshit.