Ekonomia jonë mund të mbajë një borxh 70% të PBB-së

27/03/2012 12:40 PM 0 komente

Flet Sherefedin Shehu, ish-zv/ministër i Finanacave

 

Duket se qeveria ka vendosur ta mbajë të pandryshuar nivelin e borxhit publik, në 59% të PBB-së për vitin 2011.

Pse po ndiqet kjo manovër dhe a i kemi ne kapacitetet për të mbajtur një borxh të lartë?

 

Për sa i përket borxhit, niveli i tij ulet në 2011-n dhe strategjia e qeverisë parashikon rënie edhe në vitet në vazhdim.

Natyrisht duhet të kemi parasysh dy tendenca, të cilat do të argumentojnë dhe garantojnë rezultatin e dëshiruar të gjendjes së borxhit kundrejt Produktit të Brendshëm Bruto.

Po të shikosh së pari, stokun e borxhit, në vitin 2010 kemi një ulje, e cila është në vazhdim të politikës së rënies së vlerës nominale të huamarrjes.

Ky është treguesi kryesor që përcakton gjendjen e borxhit publik. Konkretisht shifrat e viteve të fundit tregojnë se nga 55 miliardë lekë të marra borxh në vitin 2008,

huamarrja është ulur në 52.5 miliardë lekë në 2009-n dhe në 38 miliardë lekë në vitin 2010. Pra këtu do të shikojmë kontributin kryesor në uljen e stokut të borxhit.

Sa i takon vitit 2011, kemi rritje relative të huamarrjes në raport me vitin 2010. Kjo është bërë me qëllim të caktuar sepse, së pari niveli i huamarrjes do të jetë në një lidhje relative me të gjitha parametrat e buxhetit

dhe të harmonizohet me ritmin e rritjes së të ardhurave, ritmin e rritjes së shpenzimeve, por edhe me rritjen ekonomike në tërësi. Meqenëse këta tregues i kemi më të lartë në vitin 2011 krahasuar me 2010-n,

atëherë është e natyrshme që të kemi rritje të arsyeshme të borxhit publik. Politika e zbatuar në vitin 2010 është çelësi i së gjithë kësaj strategjie, sepse patëm rënie të ndjeshme për të stabilizuar situatën e huamarrjes

dhe të borxhit publik në tërësi dhe për t’i kontribuar rritjes ekonomike dhe makroekonomike të qëndrueshme për vitet që vijojnë. Kjo në njëfarë mënyre, me gjuhën teknike, ka krijuar një hapësirë fiskale për rritjen relative të huamarrjes.

Për sa i përket nivelit të huamarrjes dhe kapacitetit real të vendit për të marrë hua, kjo është një çështje e debatueshme në tërësi, por them që në kushtet e Shqipërisë, huamarrja është e domosdoshme.

Duhet të them se huamarrja është instrumenti i financimit që përdoret edhe në vendet e zhvilluara. Kur them se e kemi huamarrjen të domosdoshme, kam parasysh faktin që jemi vendi që trashëguam infrastrukturën më të dobët.

Në vazhdim do të përmend dy faktorë, të cilët janë në favor të nivelit relativisht të lartë, por të kontrolluar të huamarrjes.

Argumenti i parë është se të gjitha vendet marrin hua dhe ne nuk mund të bëjmë përjashtim. Pra, për t’u zhvilluar, ne duhet të marrim hua, por brenda parametrave që ka Bashkimi Europian,

siç është stoku i borxhit dhe niveli i deficitit buxhetor. Por respektimi i këtyre parametrave mund të bëhet në përputhje me ciklet ekonomike ose, e thënë ndryshe, të respektohen në një kontekst afatmesëm.

Po të krahasojmë vitin 2010 me 2011-n, po t’i bashkojmë ato edhe me vitet e ardhshme, ku parashikohet një borxh në rënie, në një cikël 3-vjeçar, niveli i borxhit qëndron brenda standardit të Bashkimit Europian.

Në këtë kuptim themi që kemi një huamarrje të kontrolluar. Argumenti i dytë është përdorimi i huamarrjes. Nëse i kthehemi mbrapa historisë së krizës që nga viti 2008, dimë se të gjitha vendet zbatuan politikën e stimulit fiskal,

e cila bazohej në rritjen e shpenzimeve dhe uljen e të ardhurave, që prodhon deficit dhe borxh më të lartë. Në këto kushte, menjëherë pas stabilizimit në vitin 2010, filluan politikat e uljes së borxhit publik.

Por tashmë është hapur një debat tjetër, i cili ka nxjerrë një konkluzion, që nuk është gabim të vazhdojë politika e marrjes së huave, ndoshta në nivele relativisht më të larta krahasuar me periudhat e mëparshme,

por është shumë e rëndësishme se ku do të përdoren këto para. Po t’i kthehemi këtij argumenti, mund të themi se tashmë, në Shqipëri, po ndërtohen rrugë dhe autostrada, të cilat futen në komponentët e investimeve publike,

që e shlyejnë veten më shpejt dhe me një normë të lartë fitimi.

 

Ajo që po thoni ka të bëjë me faktin se borxhi që kemi, konsiderohet i “mirë”, pasi po investohet me të?

 

Po. Kur përmenda uljen e ndjeshme të huamarrjes në vitin 2010, periudhë kjo që kontribuoi për stabilitetin makroekonomik, kisha parasysh faktin se përkohësisht ishte e nevojshme një frymëmarrje,

me qëllim që të kthehemi në ritmet normale të rritjes ekonomike, por edhe të ruajtjes së stabilitetit makroekonomik dhe fiskal në vazhdimësi.

Duke i parë këto dy aspekte, mund të them se ato objektiva afatmesme për të ulur nivelin e deficitit do të realizohen me një supozim që, duke nisur nga 2011-a, rritja ekonomike do të kthehet në rritje normale që Shqipëria ka pasur,

e cila ishte 6 për qind dhe në vitet e ardhshme do të ketë një rritje edhe më të lartë. Kjo rritje e lartë ekonomike do të stabilizojë dhe do sjellë në gjendjen më të mirë nivelin e borxhit dhe huamarrjen në tërësi.

Dhe këtu duhet parë hapësira fiskale për huamarrje.

 

Folëm për mundësinë e uljes, po për kapacitetin e mbajtjes në kufijtë më të lartë të borxhit, nga sa është sot, rreth 60 për qind. Pra, deri sa mund ta mbajë borxhin ekonomia jonë?

Kujtojmë deklaratën e ministrit të Financave, i cili thotë se i kemi të gjitha mundësitë për të pasur një borxh edhe më të lartë.

 

Këtu nuk mund të jepet një përgjigje përfundimtare. Gjithsesi, duke iu referuar rajonit tonë, ka vende që e kanë tejkaluar nivelin e 100 përqindëshit të borxhit publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Kjo, në fakt, nuk është normale, por nga ana tjetër, është kapaciteti fiskal, i cili është një faktor i rëndësishëm që duhet konsideruar, por Shqipëria po e rrit këtë tregues.

Duke supozuar një rritje të lartë ekonomike, por edhe të kapacitetit fiskal, sidomos përmes miradministrimit dhe përmirësimit të sistemit të tatimeve, duke nënkuptuar edhe doganat,

kam parasysh që në Shqipëri mund të shkohet edhe në 70 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Por duke pasur parasysh mbajtjen dhe marrjen e masave për uljen e borxhit për vitet që do të pasojnë.

Ky kufi që përmenda mund të jetë një nivel që mbahet brenda një cikli tre ose pesëvjeçar. Kjo, thjesht për të kontribuar në ndërtimin e një infrastrukture që i mungon ekonomisë, e cila kërkon të bëhet pjesë e Bashkimit Europian.

 

Plani për ta ulur më pas borxhin në vitet 2012 dhe 2013, në nivelin nga 59 në 54 për qind, përkthehet ndryshe dhe si reduktim i shpenzimeve dhe i investimeve?

 

Kjo varet. Mund të kthehet në ulje investimesh, në rast se niveli i deficitit do të jetë i ulët, pra do të ulim huamarrjen dhe gjithçka do të bazohet në të ardhurat e brendshme.

Por besoj se do të kemi fenomenin e zëvendësimit, që rritja e pritur e të ardhurave do të kompensojë uljen e borxhit, kështu që unë e shikoj që jemi në parametra standardë.

Kur përmenda faktin se ne kemi hapësirë për të rritur borxhin publik, duhet sqaruar se elementët duhen parë të lidhur me njëri-tjetrin.

Në momentin kur do të ulim borxhin në parametrat e Bashkimit Europian natyrisht kisha parasysh faktin që stoku i borxhit do të ulet edhe nëpërmjet reduktimit të huamarrjes,

që praktikisht do të thotë se do të ulet edhe pesha e investimeve në Produktin e Brendshëm Bruto. Kjo është krejt e natyrshme, në qoftë se do të bëjmë një politikë tashmë të stabilizimit fiskal.

 

Ka një tendencë për të hyrë sërish në treg vitin tjetër me eurobondin. Cili është qëndrimi juaj dhe a ia vlen për ekonominë tonë një sipërmarrje e tillë?

 

Qëndrimi im është mbështetës, por njëkohësisht kjo do të bëhet mbi bazën e një analize mbi kostot dhe risqet e borxhit, por në momentin aktual, marrja e huasë në euro është shumë e favorshme,

për shkak të nivelit shumë të ulët që ka euribor-i. Mendoj se suksesi i emetimit të bonos së parë do të shoqërohet me një ulje të ndjeshme të kostos, kështu që në këto parametra,

nuk do të ketë asnjë paragjykim, sepse përmes diversifikimit, pra futjes së një instrumenti të ri të huamarrjes, faktorët e tjerë do të jenë vetëm faktorë të kostos dhe të risqeve.

 

 

Flet Shkëlqim Cani, ekonomist, ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë

 

Po marrim borxh tej mundësive për ta shlyer

 

A i ka mundësitë ekonomia shqiptare të mbajë një borxh të niveleve që kemi sot, rreth 60 për qind në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto?

 

Së pari, më duhet të ritheksoj qëndrimin që borxhi shqiptar nuk është aq sa raportohet. Kjo është thelbësore. Janë një varg arsyesh që argumentojnë këtë qëndrim:

manipulimi i shifrave, në rastin konkret një Prodhim i Brendshëm Bruto më i lartë se realiteti, ka detyrime të paregjistruara në borxhin publik etj.

Pra, në total, borxhi ynë publik është shumë më i madh nga shifra që servir qeveria.

Edhe sikur të ishte rreth 60 për qind në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, nuk do të mund të përballohet nga ekonomia shqiptare.

 

Sa është kapaciteti real i borxhit që mund të suportojë?

 

Ka disa mënyra për të llogaritur aftësinë apo kapacitetin mbajtës të borxhit, të një subjekti apo të një vendi.

Pa hyrë në detaje, prej vitesh jam prononcuar që llogaritjet më çojnë në konkluzionin për kapacitete mbajtëse të borxhit publik të ekonomisë shqiptare, në hapësirën 35–40 për qind.

Në këto nivele janë dhe vlerësimet dhe llogaritjet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore për vendet në zhvillim dhe për ekonominë shqiptare në veçanti.

Në vitin 2008 dhe më pas në fillimvitin 2009 patëm paralajmëruar për pamundësi të përballimit në rritje të borxhit publik në nivele kritike, por si përherë,

vlerësimet dhe sugjerimet hasën në vesh të shurdhët, pasi, gjithçka, në skenarin e qeverisë dhe të satelitëve të saj, ishte në funksion të fushatës zgjedhore.

Për çudi, edhe vetë misioni i FMN-së heshti në atë kohë, kuptohet në ortakëri të pakuptimtë me synimet djallëzore të qeverisë, duke humbur një tipar të saj, parashikueshmërinë.

 

Cilat janë rreziqet në rast se vazhdojmë të mbajmë një nivel të tillë borxhi?

 

Duhen parë në disa plane. Më e kuptueshmja dhe më e drejtpërdrejta është t’ju përgjigjem si për çdo shtetas. Nëse merr një borxh tej mundësive apo kapaciteteve të shlyerjes janë të njohura vështirësitë dhe kostot e shlyerjes,

si dhe pasojat përkatëse. Pra, ekonomia shqiptare mori një borxh, më shumë e nxitur nga elementë elektoralë, me kosto tej çdo limiti normal dhe të pajustifikuar, qeveria konkurroi dhe pengoi në një masë të ndjeshme kreditimin e privatit,

duke marrë ajo vetë pjesën e luanit nga likuiditeti i bankave, rriti artificialisht koston (interesin) e huamarrjes si për buxhetin ashtu edhe për kredimarrësit privatë, me një dëm në ekonomi jo më pak se 10 miliardë lekë etj.

Një vend me borxh më të madh se kapaciteti mbajtës kuptohet që ndikon në vlerësim më negativ në klasifikimin e ekonomisë nga vlerësuesit ndërkombëtarë, si dhe është një detyrim për t’u shlyer nga shqiptarët në vitet e ardhshme.

Nëse përdorimi i huave të marra është jo duhësisht efecient, kjo e shton më tej të keqen e borxhit (në Shqipëri është e gjithëpranuar që kostoja e shpenzimeve buxhetore është 30 për qind më e lartë se kostoja reale nga elementë abuzivë, si korrupsioni etj.).

 

Sa e mundur është ulja e borxhit nga 60 për qind në 54 për qind brenda 2013-s, duke pasur parasysh se do të qëndrojë i lartë edhe në vitin 2011 dhe ulja e fortë parashikohet nga qeveria të ndodhë për dy vitet e tjera?

 

Nëse do të respektoj pyetjen tuaj, mund të shprehem se është plotësisht e mundur. Por mungon dëshira, vullneti, aftësia e kësaj qeverie për ta realizuar këtë parashikim. Kjo administratë duket sikur prish murin natën

dhe përpiqet ta ndërtojë ditën, duke mos harruar të vjedhë shtetasit e saj dy herë: si kur ndreq dhe kur prish (pa përmendur dëmin kryesor nga vetëprishja). Dy vite me siguri do të prishin: 2011 dhe 2013,

pasi borxhi do të vihet në funksion të zgjedhjeve dhe jo të interesave më të mira të ekonomisë së vendit.

 

A ia vlejti eurobondi për objektivat që kërkoi qeveria. Ndikimet në ekonomi?

 

Kur merr një borxh, problemi kryesor nuk është shuma apo kushtet (që natyrisht kanë vlerën e tyre jo të vogël), por mënyra e përdorimit.

Kjo qeveri, tashmë, është e certifikuar për korrupsion dhe për shpërdorim fondesh, për pasojë, i njëjti fat i pret edhe paratë e eurobondit. Interesante për ekspertët është që ministri i Financave u mburret shqiptarëve që nga eurobondi po u kursen 1 miliard lekë,

pasi po shlyen një borxh të vjetër të shtrenjtë me këtë më të lirin, a thua se borxhin e shtrenjtë e ka marrë dikush tjetër dhe jo pikërisht ai, edhe pse ngulmuam të mos e marrë këtë borxh kaq të pafavorshëm.

Çdo sqarim tjetër për ndikim në ekonomi është i tepërt para këtyre paradokseve.

 

 

 

Gjergj Filipi, drejtor i kërkimeve në institutin “Agenda”

 

Borxhi 60%, na mban afër risqeve ekonomike

 

A i ka mundësitë ekonomia shqiptare të mbajë një borxh të niveleve që kemi sot, rreth 60 për qind në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto?

 

Për përgjigjen e kësaj pyetjeje është e nevojshme vendosja në kontekst e situatës. Një faktor thelbësor që ka mundësuar ritmet domethënëse të rritjes së ekonomisë sonë deri në vitin 2008,

ka qenë stabiliteti makroekonomik. Madje, shumë prej ekspertëve, tashmë bien dakord që ky stabilitet ofroi edhe jastëkun që zbuti ndikimet e krizës globale në vend,

sepse mundësoi aplikimin e plotë të stabilizatorëve në periudhën e goditjes. Ecuria në kohë e borxhit publik tregon se viti 2000 na gjeti me një nivel borxhi prej rreth 61 përqindësh të Prodhimit të Brendshëm Bruto,

me ritëm rënës për të arritur në vitin 2007 në rreth 54 për qind të PBB-së. Në vitet e mëpasshme, 2008-2009, kjo tendencë ndërroi  kahjen me shpejtësi dhe tashmë jemi sërish në nivelin e para dhjetë vitesh.

Ndonëse nga pikëpamja e riskut, përbërja e borxhit, ku rreth tre të pestat e tij janë në LEK, nuk ndez sinjale alarmi, raportimi i tij me PBB-në duhet ulur domosdoshmërisht për të zbutur ekspozimin karshi goditjeve me gjasa në vitet që kemi përpara.

Pra niveli i lartë në kufirin e 60 përqindëshit të PBB dhe veçanërisht ritmi i shpejtë i rritjes së këtij niveli në vitet e fundit, përbëjnë burim dobësimi për stabilitetin makroekonomik në të ardhmen.

Nuk duhet hequr vëmendja nga fakti se për nga burimet e rritjes, ekonomia shqiptare vazhdon të mbetet e brishtë dhe e ekspozuar ndaj surprizave, ndaj duhet treguar pjekuri e përgjegjësi për të “mirëmbajtur” amortizatorët,

të cilët bëhen esencialë në momente të tilla.

 

Sa është kapaciteti real i borxhit që mund të suportojë?

 

Niveli i 60 përqindëshit të borxhit publik në raport me PBB është një nivel i rënë dakord në rang global e veçanërisht europian, si kufi stabiliteti. Madje, një prej kritereve të konvergjencës ekonomike të Eurozonës,

specifikon pikërisht këtë shifër. Në rastin e ekonomisë sonë, e cila në radhitjen për nga të ardhurat për frymë të vendeve që synojnë integrimin në BE, është në vendin e fundit të klasifikimit,

duhet të sigurohemi që t’i rrimë larg këtij kufiri. Ky qëndrim bëhet edhe më imperativ, nëse vërejmë më shumë se përgjysmimin e ritmeve të rritjes në vitet e fundit.

Kjo është arsyeja përse është propozuar ruajtja e një niveli të ulët të deficitit buxhetor, në 2,5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, i cili duke marrë parasysh gjasat e një ritmi të moderuar rritjeje,

na mbron nga tejkalimi i kufirit të 60 përqindëshit të borxhit publik.

 

Cilat janë rreziqet në rast se vazhdojmë të mbajmë një nivel të tillë borxhi?

 

Përgjigjen për këtë e shtruam më lart. Pra, nëse do të përballemi me një situatë si ajo e vitit 2009 apo edhe 2010, ku ritmi i rritjes ekonomike do të jetë në nivele të ulëta,

do të duhet të përdorim mekanizma lehtësues në kundërpërgjigje. Pra duhet të ruajmë ritmet e shpenzimeve publike, duke u përballuar me rënie në mbledhjen e të ardhurave dhe kjo do të thotë që do të rrisim borxhin,

të cilin nëse kjo situatë e gjen në nivele kufitare si ky që kemi, rrezikojmë të dëmtojmë stabilitetin kaq shumë domethënës për një ekonomi të brishtë dhe ende të pazhvilluar si kjo e jona.

 

Sa e mundur është ulja e borxhit nga 60 për qind në 54 për qind brenda 2013-s, duke pasur parasysh se do të qëndrojë i lartë edhe në 2011-n dhe ulja e fortë parashikohet nga qeveria të ndodhë për dy vitet e tjera?

 

Një reduktim i tillë është i mundur teorikisht, por është i vështirë praktikisht. Realizimi i tij kërkon përgjegjshmëri të lartë politike dhe vendimmarrje financiare të kujdesshme dhe jo partizane.

Ky reduktim duhet të kishte filluar që në vitin e ardhshëm 2011 dhe nuk kishte përse të shtyhej. Mendoj që shtyrja u bë për arsye se 2011-a është vit elektoral

dhe përgjegjshmëria që përmendim më lart ia la vendin pragmatizmit politik. Duke konsideruar situatën e tensionuar politike në vend ka gjasa që me të njëjtin presion politik, të përballet vendimmarrja financiare,

edhe në vitet 2012 dhe sigurisht edhe në 2013-n, kur pritet të mbahen zgjedhjet e zakonshme parlamentare. Për të mirën e ekonomisë dhe të mirëqenies sonë, le të shpresojmë që në vitet 2012 e 2013,

kjo vendimmarrje do të bëhet bazuar mbi interesat e vendit.

 

Ia vlejti eurobondi për objektivat që kërkoi qeveria. Ndikimet në ekonomi?

 

Norma e interesit me të cilën u emetua eurobondi është shumë më e mirë sesa norma jashtëzakonisht e lartë e interesit, me të cilat morëm borxhin përpara tij. Pra me eurobondin korrigjuam një vendim financiar të gabuar pararendës.

Vetë kjo situatë e marrjes borxh për të korrigjuar pamençurinë e marrjes së një borxhi tjetër kufizon ndikimet që mund të kishte eurobondi në ekonomi. Sipas parashikimeve buxhetore që sapo u miratuan në Kuvend,

vitin e ardhshëm, niveli i shpenzimeve kapitale do të jetë modest, krahasuar me disa vite më parë, rreth 30 për qind më pak në raport me PBB sesa në vitin 2008.

Pra, në vend që borxhi i marrë me eurobond të përdorej për të rritur investimet, të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në rritjen e produktivitetit kombëtar e për rrjedhojë lehtësojnë pagesat e kësteve të këtij borxhi,

ky borxh kompensoi gabimet e mëparshme, duke dhënë ndikimin minimal, atë të uljes së peshës së kësteve marramendëse të borxhit paraprirës.

 

Plani

Ulja e borxhit në 54% brenda 2013-s është e mundur teorikisht, por e vështirë praktikisht. Realizimi i saj kërkon përgjegjshmëri të lartë politike dhe vendimmarrje financiare të kujdesshme.

Ulja duhet të kishte filluar që në vitin 2011 dhe nuk kishte përse të shtyhej

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of