Në të dyja rastet, si kur ra në krizë, ashtu edhe tani që po del, Greqia ka se çfarë na mëson.
OECD raportoi për fqinjin tonë jugor dhe një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë, se rritja ekonomike në vitin 2018 do të jetë 2% dhe 2,3% në vitin 2019. Pas gati 10 vjetësh depresioni të thellë, grekët janë shumë afër Shqipërisë në rritjen ekonomike. Ne, pas 10 vjetësh, kemi arritur deri në 3% dhe sipas Bankës Botërore, kjo rritje mund të mos vazhdojë, nëse nuk do të dimë t’ju adresohemi drejt nevojave dhe reformave.
Nuk kemi qenë në të njëjtat kushte, por Greqia, e cila preku fundin, po mundet të ecë më shpejt se ne. Ky fakt duhet të na bëjë të reflektojmë shpejt, jo se jemi në garë me helenët, por se tek ata tani mund të gjejmë rrugën e zgjidhjes.
Greqia, edhe pse ra në kolaps dhe vendasit nuk po arrinin të siguronin as “bukën e gojës”, për asnjë rast nuk i ndërprenë investimet kapitale. Ekspertët vlerësojnë se ringritja e Greqisë, përveç ndihmës financiare ndërkombëtare dhe mbikëqyrjes së rreptë makro, mbajti një ritëm të mirë të investimeve kapitale me mbështetje buxhetore.
Kushdo që ka udhëtuar në Greqi gjatë dekadës së fundit, që përkon me krizën, mund të ketë parë sesi ky vend vijonte të investonte në infrastrukturë dhe vepra të tjera publike, që kërkojnë angazhime të mëdha financiare. Dhe ndoshta keni bërë pyetjen, si ka mundësi që vendi i zhytur në borxhe dhe me arkën bosh po investon?!!
Ndërsa ne vërenim me keqardhje fqinjët dhe emigrantët tanë atje, Greqia po punonte dhe sot ka lidhje me Shqipërinë me dy autostrada të reja, që mbarojnë në kufij, po zemrën e kanë në Athinë, ndërkohë që është angazhuar në projekte të mëdha hekurudhore dhe rrugore me fqinjët e tjerë të saj.
Të dhënat tregojnë se deri në fund të vitit 2017, investimet kapitale me mbështetje buxhetore ishin sa 9.7% e PPB-së. Viti më i keq i Greqisë ka qenë gjatë kohës së juntës, kur shpenzimet kapitale ranë në 2,3% të PPB-së. Gjithsesi, ky tregues i fundit, më i dobëti i Greqisë, është sa gjysma e Shqipërisë, e cila në vitin 2017 dha për investime kapitale nga buxheti vetëm 4.4% të PPB-së. Viti më i mirë për të njëjtën periudhë ka qenë 2018-a, rreth 8.6% e PPB-së, por prapë më poshtë se Greqia në vitin 2017.
Shqipëria, të paktën në 6-7 vitet e fundit, nuk ka bërë asnjë rrugë nacionale të nivelit ndërkombëtar, por qeveria i ka shpenzuar paratë publike në rilindjen urbane apo dekoret buzë rrugëve që, në asnjë llogaritje, nuk mund ta përshpejtojnë rritjen ekonomike, të paktën në nivelin e para 2008-s. Investimet në infrastrukturë do të krijonin mundësi që edhe të rishpërndanim apo tejçonim pasurinë e akumuluar në zona më të varfra, por ky nuk u pa në asnjë rast si opsion, megjithëse grekët që kishim afër e mund t’i shikonim lehtësisht, po e bënin diçka të tillë.
Ringritja e Greqisë nuk ndodhi vetëm për shkak të ndihmës financiare dhe kushteve “torturuese” për stabilitet dhe reforma të diktuara nga kreditorët, por edhe nga ndryshimet politike. Në Greqi ra sistemi politik i vjetër dhe partitë tradicionale udhëheqëse humbën peshën e dikurshme. Vendi përjetoi krizë përfaqësimi dhe mosbesimi, deri sa arriti në një moment zgjidhje politike të pranuar dhe votuar nga publiku, dhe pas saj filloi të ndihej rimëkëmbja.
Duket që edhe për Shqipërinë, ringritja ekonomike kërkon një zgjidhje politike. Modeli i sotëm qeverisës jep ritëm të ulët rritje ekonomike dhe po tenton të riciklojë modelin grek të borxheve të fshehura përmes angazhimit të buxhetit në formulat e dyshimta koncesionare që kaparojnë paratë e publikut.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.