Ekonomia shqiptare duket se ka hyrë në një fazë të re rritjeje, pas ngadalësimit të vazhdueshëm që ajo shfaqi që pas vitit 2008, kur shpërtheu kriza globale që ngadalësoi vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim.
Bota kaloi një periudhë të vështirë, që u shoqërua me rritje negative dhe shtim të papunësisë, por masat e jashtëzakonshme të bankave qendrore, që ulën interesat dhe injektuan likuiditet në ekonomi, politikat fiskale zgjeruese dhe përpjekjet për të nxitur konkurrueshmërinë bënë që pas vitit 2013 të fillonte kthesa, ndonëse e ngadaltë.
E njëjta tendencë rimëkëmbje u konstatua dhe në Shqipëri. INSTAT konfirmoi që në gjashtëmujorin e parë, ekonomia ka njohur ritmet më të larta të rritjes së viteve të fundit, me rreth 4%, nivel ky që nuk është parë që prej vitit 2009.
Shifra në vetvete është pozitive, por sa e qëndrueshme është ajo në afatin e mesëm dhe të gjatë?! Nëse shohim burimet e rritjes, gati gjysma ka ardhur nga ndërtimi. Projekti madhor i ndërtimit të gazsjellësit TAP është në kulmin e tij, duke dhënë ndikim pozitiv, së bashku me ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Devoll. Një tjetër faktor që po nxit këtë sektor është rikthimi i ciklit të ndërtimit rezidencial.
Është normale, që të paktën kryeqyteti, që tërheq banorë nga vendet e tjera dhe është në zhvillim të vrullshëm, do të ketë nevojë për banesa të reja. Por, i dukshëm është orientimi i kapitaleve të lira të bizneseve vetëm tek ndërtimi. Në pikëpamjen e biznesit, përgjigjja është e thjeshtë: ofron kthim të lartë dhe të shpejtë të investimit. Në mënyrë të natyrshme, sipërmarrjet do të orientohen aty ku ka fitim të kënaqshëm dhe risk të ulët, kështu kanë vepruar gjithmonë dhe kështu do të veprojë dhe në të ardhmen.
Shqetësimi për këtë rikthim te ndërtimi lidhet me dy faktorë kryesorë:
-Së pari, që bizneset nuk po marrin në konsideratë që të investojnë në sektorë të tjerë të ekonomisë që teorikisht konsiderohet që ne kemi avantazhe konkurruese. Ndonëse një vend ku bujqësia zë 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, më e larta në rajon dhe nga vendet e BE-së, industria agropërpunuese nuk arrin të jetë konkurruese dhe Shqipëria vijon të jetë importuese neto e shumë produkteve.
Hapja e tregjeve po nxjerr në pah që bizneset shqiptare nuk po arrijnë të jenë eficente as përballë vendeve të rajonit. Nuk ka as një rendje drejt investimeve në teknologji që do të rrisnin produktivitetin dhe konkurrueshmërinë në afatgjatë. Të gjitha renditjet e vendosin Shqipërinë nga fundi në teknologji e novacion. Edhe një plan i qeverisë për të ulur tatimfitimin në sektorin e IT-së në 6%, duket se nuk do të fillojë të zbatohet së shpejti.
-Së dyti, vlera e shtuar që sjell ndërtimi në afatin e gjatë është minimale. Është e vërtetë që për momentin mund të mobilizojë kapitale dhe tw hapë vende të reja pune, por pas përfundimit të tyre gjithçka venitet dhe mbeten vetëm llaç e tulla. Për më tepër që vendi ynë ka peshën më të lartë në ndërtim në Prodhimin e Brendshëm Bruto në Europë dhe madje edhe në gjithë vendet në zhvillim dhe potenciali afatgjatë i këtij sektori nuk mund të vazhdojë pa fund. Pozitiv është ndërtimi i orientuar nga turizmi, por edhe këtu qeveria nuk e ka të qartë se çfarë do të nxisë, teksa ka premtuar lehtësi vetëm për hotelet luksoze, ku Shqipëria nuk duket të ketë përparësi të lartë për shkak të problemeve të tjera të lidhura me të, si infrastruktura e dobët dhe mungesa e industrive mbështetëse.
Që rritja në Shqipëri nuk është e qëndrueshme dhe afatgjatë, këtë nuk vonoi ta pohonte edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, që në publikimin e fundit të Panoramës Ekonomike Globale, uli pritshmërinë për rritjen në 2018-n, nga 4.1% në 3.7%. Ashtu siç kishte paralajmëruar dhe më parë, arsyet lidhen me ngadalësimin e ekonomisë qw do të vijë si efekt i përfundimit të projekteve të mëdha të energjisë. Projekte të tjera të mëdha në horizont nuk ka dhe shpresa është tek investimet e brendshme, që po shkojnë në një sektor që nuk është produktiv në afatin e gjatë. INSTAT ka përllogaritur se mbi 75% e formimit bruto të kapitalit fiks (investimet e brendshme) vijnë nga ndërtimi dhe pjesa tjetër nga makineri e pajisje e të tjera.
Dhjetë vjet më parë, Shqipëria u përfshi nga një debat për nevojën e ndryshimit të modelit të zhvillimit të vendit drejt sektorëve ku kemi avantazhe konkurruese dhe nevojës së rritjes së produktivitetit dhe konkurrueshmërisë. Sot ndodhemi në të njëjtin udhëkryq dhe pas 10 vitesh, me siguri nuk do ta kemi gjetur ende daljen dhe do të mund të ndeshemi me pengesa të pakapërcyeshme betoni!
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.