Ekonomia rritet, por lekë nuk ka; Bie paraja në qarkullim më 2018

10/12/2018 11:02 PM 0 komente

Teksa ekonomia ka përshpejtuar ritmet e rritjes,  paraja në qarkullim ka rënë përgjatë këtij viti.

Paraja gjithsej në ekonomi, ndryshe agregati M3 shënoi rënie gjatë muajit tetor në raport me tetorin e vitit 2017, duke u tkurrur me 1.2 miliardë lekë ose -0.10%. Këto zhvillime në qarkullimin e parasë duken paska paradoksale po të marrin në konsideratë faktin se ekonomia e vendit është rritur me ritmet më të larta të kësaj dekade këtë vit, mbi 4% dhe si rrjedhojë duhej ti përgjigjej edhe një qarkullimin më i lartë i parasë.

Paraja gjithsej ka pasur tendencë rritëse deri në vitin 2013 (me përjashtim të periudhës 2008-2009, kur u konstatua tërheqje e depozitave si rrjedhojë e panikut të krijuar nga kriza globale) dhe më pas ka filluar rënia e saj, për të arritur kulmin në 2018-n. Kjo tendencë, ka ardhur pavarësisht se Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë lehtësuese monetare që nga mesi i vitit 2011, përmes uljes së normës bazë të interesit, që aktualisht është në nivelet minimale historike prej 1.25%, nga 5.25% në shtator 2011. Teorikisht, ulja e interesave duhet të kishte gjeneruar më shumë investime dhe vënë më shumë para në duart e konsumatorëve, duke nxitur në këtë mënyrë shpenzimet dhe rritjen e parasë në qarkullim.

Por, në mënyrë paradoksale, paraja gjithsej në ekonomi po vjen në ulje. Teoritë ekonomike pohojnë se ngadalësimi në ofertën e parasë reflekton natyrën e ndrydhur të ekonomisë dhe rënien në investime. Rritja e dobët e ofertës së parasë në ekonomi, sipas ekspertëve, është shqetësuese, pasi tregon për një ngadalësim të aktivitetit ekonomik në vend, që nuk po arrin të nxitet nga politika tejet lehtësuese monetare e Bankës së Shqipërisë, që duket se e vetme nuk po mjafton për t’u dhënë një dorë bizneseve e konsumatorëve.

Lekët në qarkullim po reduktohen, duke u bërë një faktor i rëndësishëm në forcimin e pazakontë të monedhës vendase. Së fundmi, euro vendosi një rekord të ri, duke zbritur nën 124 lekë javën e kaluar, niveli më i ulët që nga shkurti i vitit 2008. Krahas ofertës së shtuar të eurove në tregun e lirë (niveli i të cilave nuk matet dot nga Banka e Shqipërisë), qarkullimi i ngadaltë i lekut vlerësohet nga ekspertët si një nga arsyet kryesore që po forcon monedhën vendase përtej pritshmërive.

I këtij mendimi është dhe dr. Selami Xhepa, i cili shton se Banka e Shqipërisë duhet të ndërhyjë për të rritur ofertën e parasë, përndryshe zhvillimet në kursin e këmbimit mund të futen në një rrugë të rrezikshme dhe me pasoja të rënda për segmente të rëndësishme të popullsisë. Ai përdor termin “profecitë vetëpërmbushëse”. Domethënë, nëse agjentët ekonomikë dhe qytetarët që mbajnë, respektivisht, rreth 60% dhe 50% të depozitave të tyre në euro, do të vrapojnë të shkëmbejnë eurot me lek, leku do të shkonte drejt një fuqizimi të paprecedentë, gjë që do ishte me pasoja shumë të rrezikshme për ekonominë.

Një tjetër zhvillim paradoksal është se ndërsa paraja gjithsej po bie, ajo jashtë bankave po rritet, një tregues ky i informalitetit të shtuar. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se 21.5% e totalit të parasë që qarkullon gjithsej në vend, është jashtë sistemit bankar, duke arritur në nivelin më të lartë që nga viti 2009, pra në nëntë vjet. Në krahasim me vendet e Eurozonës, apo edhe të rajonit, Shqipëria ka një nivel tepër të lartë të parasë që qarkullon jashtë kanaleve bankare. Në Eurozonë, sipas të dhënave nga Banka Qendrore Europiane, në shtator 2017, niveli i parasë jashtë bankave ishte sa 9.2% e totalit. Në Maqedoni, ky tregues, sipas të dhënave të Bankës Qendrore përkatëse ishte 7.4% në fund të tetorit 2018, me një rënie në krahasim me një vit më parë, kur ishte 8.2%, sipas të dhënave që i referohen shtatorit 2017. Në Serbi ishte 6.8% e totalit, sipas të dhënave të Bankës Qendrore Serbe, që i referohen tetorit 2018.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of