Ekonomia shqiptare, në optikën e BERZH

18/03/2017 10:05 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:
Turizem Tirana nga larg

Gjatë vitit 2016, ecuria e ekonomisë u përmirësua gradualisht. Përmirësimi u reflektua kryesisht në zgjerimin e investimeve, të mbështetura nga rritja e fortë e Investimeve të Huaja Direkte (FDI) dhe eksporteve neto. Konsumi privat ka pasur një kontribut negativ në rritjen ekonomike, po kështu edhe shpenzimet qeveritare. Rritja vazhdoi edhe në gjysmën e parë të vitit 2016 në 3.1%, vit pas viti.
Banka Qendrore ka ndjekur politikën ekspansioniste monetare dhe atë të inflacionit vazhdimisht të ulët. Rënia e çmimit të naftës ndikoi në mbajtjen e normës mesatare të inflacionit në 2015 në vetëm 1.9%, nën nivelin 2% të përcaktuar nga banka.
Banka Qendrore vazhdoi lehtësimin e politikës monetare duke ulur normën mesatare bazë të interesit. Kjo politikë vazhdoi në prill e maj të 2016-s, duke e çuar atë në nivelin më të ulët historik në 1.25%. Politika e ndjekur ndikoi pjesërisht në stimulimin e kërkesës së brendshme private për financime. Megjithatë, kreditimi mbeti i ulët sidomos për biznesin.
Programi i FMN-së është në rrugën e duhur. Në qershor të vitit 2016, qeveria arriti me FMN marrëveshjen për përfundimin e shqyrtimit të tetë të programit. Bordi Ekzekutiv i FMN miratoi në gusht 2016 dhënien e 36 milionë eurove, duke e çuar shifrën në total në 370 milionë euro. Qeveria vazhdoi ndjekjen e politikave fiskale relativisht të kujdesshme, në përputhje me qëllimet e programit të FMN-së.
Pritet që ndikimet negative nga çmimi i ulët i naftës (Shqipëria është një vend prodhues) do të kompensohen pjesërisht nga një PBB më e lartë dhe nga të ardhurat e gjeneruara nga zbatimi i reformave strukturore në sektorin e energjisë, si dhe lufta ndaj informalitetit, e nisur në shtator 2015.
Perspektiva afatshkurtër mbetet pozitive, por rreziqet e brendshme mund të ngadalësojnë ritmin e rritjes.
Ekonomia shqiptare vazhdon të përballet me dobësitë strukturore, ndërsa sektori financiar mbetet i ekspozuar ndaj goditjeve të brendshme dhe të jashtme. Rritja në 2016-n pritet në 3.3%, ndërsa 3.5% në vitin 2017. Kjo rritje do t’i dedikohet kryesisht kërkesës së brendshme private, si dhe projekteve të mëdha infrastrukturore të tilla si Gazsjellësi Trans Adriatic. Politika monetare do të vazhdojë të mbështesë rritjen, ndërsa normat e ulëta të interesit duhet të nxisin kreditimin.
Në periudhën afatmesme, Shqipëria mund të përfitojë në mënyrë të konsiderueshme nga rimëkëmbja botërore nëse ajo do të jetë në gjendje të zbatojë reformat strukturore dhe të përparojë në bisedimet për çeljen e negociatave me BE-në.
Një paketë e rëndësishme e reformës gjyqësore u miratua, duke e ndihmuar rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Shqipëria ka qenë një vend kandidat për anëtarësim në BE që nga qershori 2014, por nuk ka një datë të saktë për hapjen e negociatave. Një hap i rëndësishëm ishte miratimi nga Kuvendi në korrik 2016 i një sërë ndryshimesh kushtetuese, duke i hapur rrugën zbatimit të Reformës në Drejtësi. Reforma ka për qëllim të rrisë pavarësinë dhe profesionalizmin e sistemit gjyqësor.
Anëtarësimi i Shqipërisë do të ndihmohet edhe nga një shpërndarje e re e fondeve IPA II deri në 649,4 milionë euro në periudhën 2014-2020. Ndihma do të mbështesë reformat për përgatitjen për anëtarësim në BE, politikat sociale, bujqësinë dhe zhvillimin rural.
Aksioni kundër informalitetit ka përparuar. Në shtator 2015, qeveria filloi një fushatë gjithëpërfshirëse kundër informalitetit në ekonomi, me qëllim për të luftuar evazionin fiskal dhe për të ndëshkuar bizneset që punonin jashtë ligjit. Pas disa sukseseve fillestare, faza e dytë e operacionit u prezantua në prill të vitit 2016. Kjo fazë do të bazohet në kontrollin e bizneseve dhe vlerësimin në bazë rreziku.
Përveç kësaj, Ministria e Financave ka nisur një fushatë me komunitetin e biznesit, me qëllim identifikimin dhe futjen e masave që synojnë thjeshtimin e procedurave tatimore.
Aplikimet online për lejet e ndërtimit janë bërë të detyrueshme. Kjo masë, që hyri në fuqi në shtator 2016, ka për qëllim parandalimin e ndërtimeve të paligjshme. Sipas ligjit të ri nuk do të ketë asnjë ndërtim pa marrjen e një leje ndërtimi me një nënshkrim elektronik.
Masa është një hap i parë drejt dixhitalizimit të gjithë institucioneve, përshirë këtu edhe Hipotekën.
Kjo është pjesë e përpjekjeve të qeverisë për të përmirësuar klimën e biznesit në vend.
Përparimi në procesin e privatizimit ka qenë i ndryshëm.
Një hap pozitiv ishte shitja e kompanisë shtetërore të sigurimeve, INSIG, në mars të vitit 2016.
Megjithatë, planet për privatizimin e kompanisë të naftës Albpetrol duket se janë vënë mënjanë, pasi çmimet e ulëta të naftës kanë zbehur interesin e investitorëve të huaj të mundshëm.
Ligji i ri për Investimet Strategjike hyri në fuqi në janar të vitit 2016, me qëllim lehtësimin e procedurave.
Reformat në sektorin e energjisë kanë përparuar. Prodhuesi shtetëror i energjisë, KESH, është duke kaluar nëpër një ristrukturim të madh, me mbështetjen e BERZH-it me të cilin u nënshkrua një kredi prej 218 milionë eurosh në korrik 2016. Reforma e KESH është pjesë përbërëse e Planit të Rimëkëmbjes Financiare zhvilluar nga qeveria, në bashkëpunim me Bankën Botërore. Programi është në përputhje me Paketën e Tretë të Energjisë së BE-së. Shqipëria gjithashtu po punon me Kosovën për krijimin e një tregu të përbashkët të energjisë elektrike.
Në qershor të vitit 2016, të dy vendet përuruan linjën 400 KË të transmetimit të energjisë (por që po mbahet peng nga Serbia).
Për herë të parë është prezantuar edhe koncesioni për mirëmbajtjen e autostradës dhe rruga e parë me pagesë. Në shtator 2016, pas një procesi të gjatë tenderimi, qeveria shqiptare i dha me koncesion 30-vjeçar një konsorciumi me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe, mirëmbajtjen dhe përmirësimin e seksionit të autostradës Milot-Morinë. Kjo do të jetë e para rrugë me pagesë në Shqipëri, me një tarifë prej 5 euro për automjete (më e lartë për kamionët).
Kreditë me probleme janë duke u trajtuar. Ato mbeten një problem i madh për Shqipërinë, duke qenë se përfaqësojnë 21.4% të të gjitha kredive në sektorin bankar (gusht 2016).
Masat e ndërmarra nga Banka Qendrore parashikojnë fshirjen nga regjistri të kredive të këqija, joperformuese prej më shumë se tre vjetësh.
Në përgjithësi, sektori bankar mbetet mjaft likuid dhe ka përballuar rrezikun që mund të vinte nga përhapja e krizës greke, duke qenë se bankat me pronësi nga shteti fqinj zotërojnë rreth 17% të totalit të aktiveve.

Prioritetet e 2017-s

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka bërë një renditje të prioriteteve kyçe që duhet të ketë qeveria për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare për vitin 2017.
BERZH ka renditur tre, si prioritete kyçe, duke e vënë theksin kryesisht te stabiliteti ekonomik që duhet të ruhet me përmbylljen e marrëveshjes me FMN-në:
Stabiliteti makroekonomik duhet të ruhet me përfundimin e programit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Programi aktual “FMN Extended Fund Facility”, i cili përfundon në fillim të 2017-s, ka qenë një “spirancë” e rëndësishme për të përmirësuar performancën makroekonomike dhe fiskale të viteve të fundit. Përfitimet e realizuara brenda këtij programi duhet të ruhen me kujdes.
Të vazhdohet me reformën kundër informalitetit. Hapat e para të fushatës dhanë ndikim pozitiv, duke rritur numrin e kompanive të reja të regjistruara, por nevojiten përpjekje të mëtejshme për të krijuar një mjedis të barabartë për bizneset e ligjshme.
Të rritet qasja komerciale në sektorin e energjisë. Kjo është e nevojshme për qëndrueshmërinë afatgjatë. Hapat për të reformuar kompanitë shtetërore të energjisë KESH dhe OSHEE janë inkurajuese, por rruga përpara është sfiduese. Përmirësimet në qeverisjen e korporatave dhe efikasitetit operacional do të jenë thelbësore për respektimin e rregullave të Bashkimit Europian në sektorin e energjisë.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of

wpDiscuz