Institucionet ndërkombëtëtare janë optimiste për ecurinë e ekonomisë në 2017-n, por ato e vënë fort theksin në zbatimin e reformave strukturore, ku më të rëndësishme veçojnë konsolidimin fiskal, përmirësimin e klimës së biznesit, lehtësimin e tregjeve të punës, trajtimin e huave me probleme
Në fillim të muajit shtator, ai mori drejtimin e zyrës së Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim në Tiranë. Matteo Colangeli i është bashkuar skuadrës së BERZH-it që në vitin 2005.
Ardhjen në kryeqytetin shqiptar e vlerëson pasi për BERZH, Shqipëria është një vend i rëndësishëm, duke qenë se banka asiston projekte e sektorë të ndryshëm, por edhe politikat e dialogut. Si drejtues, ai synon zhvillimin e bashkëpunimit me autoritetet shtetërore, por edhe komunitetin e biznesit. Historikisht, asistenca e BERZH-it është fokusuar te sektorë, si energjia apo infrastruktura, te transporti, tek aktiviteti i KESH-it, tek aktivitetet bankare, por edhe tek investimet direkte në disa korporata, përfshirë këtu disa projekte në sektorin hidroenergjetik, prodhimit, etj.
Përgjatë dy viteve të ardhshme, banka synon që të vazhdojë me rritjen e portofolit të aktivitetit. Do të duhet të bëhet më shumë në rritjen e volumit, në rritjen e kapaciteteve, përcaktimin e prioriteteve, si një aspekt i rëndësishëm. Këtë vit, ne nënshkruam edhe marrëveshjen për financimin e KESH, i cili është rreth 280 milionë euro, garanci sovrane që do të mundësojë një financim afatgjatë, duke reduktuar kostot dhe duke rritur likuiditetin. Natyrisht ky është një investim i rëndësishëm, i cili lidhet ngushtë me reformën në sektor dhe me përmirësimin e performancës së vetë kompanisë.
Një tjetër projekt i rëndësishëm që mbështetet nga banka ka të bëjë me sektorin hekurudhor, siç është ndërtimi dhe rehabilitimi i segmentit Tiranë – Rinas – Durrës, që u miratua nga Bordi në muajin nëntor dhe që llogarit një financim në rreth 36.4 milionë euro. Ky është financimi i parë që BERZH bën për këtë sektor në Shqipëri. Është një sektor, ku banka thekson se do të duhet të bëhet më shumë. Vjen si një projekt që do të realizohet në bashkëpunim me WBIF, por edhe me qeverinë shqiptare. Kjo do të jetë një hua afatgjatë, nga e cila do të përfitojë Hekurudha Shqiptare, ndërsa norma e interesit do të jetë eurlibor+1%. Përmes kësaj huaje do të mund të mbulohet pothuajse gjysma e totalit të investimeve.
Flet Matteo Colangeli, drejtor i Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim në Tiranë
Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2016?
Ekonomia shqiptare ka performuar në mënyrë të arsyeshme gjatë vitit 2016. Pritshmëria jonë është që rritja ekonomike për 2016-n do të jetë në 3.3%, e cila është mbi mesataren e rajonit të Europës Juglindore dhe më e lartë se e disa shteteve të Bashkimit Europian. Ne besojmë se Shqipëria është duke përfituar nga një mjedis i qëndrueshëm makroekonomik dhe i përmirësuar sa i përket klimës së biznesit, aspekte që janë reflektuar edhe në treguesit e raportit “Të bësh biznes” të Bankës Botërore.
Cilat janë pritshmëritë tuaja për ekonominë gjatë vitit 2017?
Ne shpresojmë që reformat që qeveria po ndërmerr të vazhdojnë edhe gjatë vitit të ardhshëm, duke besuar se po ecet në drejtimin e duhur.
Ne besojmë se rritja ekonomike do të vazhdojë të jetë në të njëjtin nivel ose më të përmirësuar. Parashikojmë që gjatë vitit 2017, kjo rritje të jetë në nivelin e rreth 3.5%.
Ndikimi kryesisht do të vijë nga Investimet e Huaja Direkte në infrastrukturë dhe energji, të tilla siç është gazsjellësi Trans Adriatic Pipeline. Ky projekt është tejet i rëndësishëm për Shqipërinë, jo vetëm për mundësitë që do të sjellë për ekonominë e vendit, por edhe për përvojën që po sjell e zbatimin e standardeve më të mira ndërkombëtare.
Ne gjithashtu presim që qeveria të vazhdojë të zbatojë një politikë të kujdesshme fiskale dhe monetare, sikundër është konstatuar edhe në vitet e mëparshme.
Cilët janë faktorët që pritet të ndikojnë ecurinë e ekonomisë gjatë 2017-s? (pozitivë apo negativë, të brendshëm apo të jashtëm)
Sikundër e përmenda, rritja ekonomike në terma afatshkurtër pritet të ndikohet kryesisht nga disa projekte të mëdha në infrastrukturë, që janë në proces zbatimi, në veçanti TAP, i cili pritet të japë një kontribut të ndjeshëm duke qenë se ndërtimi vazhdon.
Shqipëria është duke u integruar në ekonominë globale dhe si rrjedhim do të ndikohet edhe nga zhvillimet që ndodhin në vendet e tjera.
Perspektiva në terma afatshkurtër në Eurozonë, e cila është tregu kryesor për eksportet shqiptare, është disi e paqartë, por zhvillimet pozitive do të kishin ndikim edhe në ekonominë shqiptare.
Në opinionin tuaj, cilët janë sektorët që do të kenë më shumë mundësi gjatë këtij viti?
Ne besojmë shumë te potenciali që ka në Shqipëri sektori i bujqësisë. Unë personalisht besoj se ky është një sektor në të cilin vendi juaj ka avantazhe konkurruese dhe hapësira për rritje.
BERZH do të vazhdojë të mbështesë këtë sektor, në bashkëpunim edhe me qeverinë shqiptare përgjatë tre viteve të ardhshme. Qëllimi i këtyre financimeve është që të mbështesë ata sektorë që kanë potencial, por që nuk janë shërbyer ndjeshëm nga sektori bankar. Ne jemi në fillim që zbatimit të këtij projekti, por besojmë se do të japë rezultate të ndjeshme.
Një tjetër sektor me potencial është edhe turizmi, ku Shqipëria ka se çfarë të ofrojë jo vetëm në atë bregdetar, por edhe në atë malor. Sërish më duhet të tërheq vëmendjen te sektori i infrastrukturës, i cili do të duhet të përmirësohet për të lehtësuar qarkullimin dhe aksesin.
Po për sa u përket IHD-ve, cili është parashikimi juaj për vitin 2017?
Ne besojmë se zbatimi i Reformës në Drejtësi do të kontribuojë në mënyrë domethënëse në përmirësimin e klimës së të bërit biznes, si dhe do të rrisë besimin e investitorëve të huaj dhe vendas. Kjo do t’u japë mundësi atyre që të adresojnë sa më mirë dhe me më efikasitet problemet e tyre.
Një tjetër faktor i rëndësishëm që duhet të merret në konsideratë për rritjen e këtyre investimeve është edhe përmirësimi i infrastrukturës. Ne, si bankë, do të duhet të bëjmë më shumë në Shqipëri, veçanërisht në sektorin e infrastrukturës, e cila ndikon edhe në rritjen e ndërlidhjes mes rajonit.
Ne jemi në fazën e parë të vlerësimit për investimin në segmentin hekurudhor që lidhet me Malin e Zi, që do të jetë një tjetër projekt i rëndësishëm në fushën e infrastrukturës për vendin.
Portet gjithashtu janë një sektor i rëndësishëm. Në të kaluarën ne kemi kontribuuar me investime në përmirësimin e infrastrukturës së Portit të Durrësit. Edhe në këtë sektor ka vend për përmirësime, veçanërisht në infrastrukturë.
Cilat do të duhet të jenë reformat afatshkurtra dhe afatmesme që do të mund të ndihmojnë zhvillimin e qëndrueshëm?
Perspektiva e Shqipërisë për t’iu bashkuar Bashkimit Europian është shumë e rëndësishme për të ardhmen afatgjatë të vendit, por edhe për të tërhequr sa më shumë investime që janë të nevojshme. Ndaj është thelbësore për vendin që të vazhdojë me reformat që janë të orientuara nga BE-ja dhe që do të shërbejnë në hapjen e negociatave në një ardhme të afërt.
Ne si BERZH jemi të fokusuar te sektori privat dhe mendojmë se lufta kundër informalitetit duhet të vazhdojë të jetë prioritet, me qëllim për ta bërë biznesin sa më formal e po kështu edhe mjedisin ekonomik, por edhe për të siguruar konkurrencë të ndershme për të gjithë.
Ne do të mbetemi të angazhuar për të vazhduar mbështetjen e sektorit privat përmes financimeve nga Albanian Agribusiness Support Facility, një iniciativë që ne jemi duke e zbatuar në bashkëpunim me qeverinë dhe institucionet financiare partnere, për të bërë të mundur tërheqjen e 180 milionë euro investime në bujqësi përgjatë tre viteve të ardhshme.
Përmirësimi i klimës së biznesit duhet të vazhdojë të mbetet prioritet për të tërhequr investimet dhe për të zhvilluar potencialin ekonomik.
BERZH do të vazhdojë të mbështesë Këshillin e Investimeve, një forum efikas ku qeveria dhe biznesi diskutojnë mbi çështje kritike që ndikojnë në klimën e biznesit dhe elaborojnë rekomandime për përmirësime.
Gjithashtu ne inkurajojmë reformën që po ndërmerret në sektorin e energjisë, por do të duhet të bëhet më shumë në termat e përmirësimit të performancës dhe të qeverisjes së mirë në institucionet qeveritare, në mënyrë që të përafrohen me standardet europiane.
Gratë në biznes
BERZH po mbështet edhe zhvillimin e grave sipërmarrëse në Shqipëri me 2 milionë euro kredi të lartë, përmes Bankës Intesa Sanpaolo. Kjo hua është pjesë e linjës së kreditimit prej 20 milionë eurosh për Ballkanin Perëndimor “Gratë në Biznes”.
Programi përfshin shërbime këshillimore, trajnim dhe mentorimin për sipërmarrëset femra. Programi llogarit 28 projekte këshillimore, nga të cilat 15 janë përfunduar. Angazhimi me komunitetin e biznesit të grave përfshin edhe seminare, evente, trajnime për çështje të tilla si dixhitalizimi dhe menaxhimi financiar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.