Investitorët gjermanë nuk janë trajtuar si duhet nga institucionet e Kosovës dhe rrjedhimisht kemi pasur një eksod të tyre, sidomos në sektorin e energjisë dhe telekomit. Kështu thotë gjatë një interviste për gazetën “Zëri” Kujtim Dobruna, udhëheqës i Nismës Ekonomike për Kosovën (ECIKS) me seli në Vjenë të Austrisë.
Sipas tij, në tërheqjen e investitorëve po pengon edhe imazhi negativ i Kosovës.
“Pengesë kryesore për tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë është imazhi i keq i Kosovës, që reflektohet nëpërmjet vështirësive në sundimin e ligjit, krimit e korrupsionit, administratës joefektive dhe pengesave të tjera të natyrës institucionale. Dhe ky imazh nuk mund të përmirësohet vetëm nëpërmjet konferencave promovuese”, ka thënë Dobruna.
Zëri: A ka interesim të investitorëve gjermanë për të investuar në Kosovë?
Dobruna: Së pari duhet rikujtuar rolin e jashtëzakonshëm mbështetës të Gjermanisë për Kosovën, në veçanti që nga çlirimi e këndej. Gjermania vazhdon të jetë krahas SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe përkrahësi kryesor ndërkombëtar i Kosovës. Ajo ka ndihmuar çlirimin e Kosovës dhe vazhdon të jetë kontribuues i fuqishëm i paqes dhe stabilitetit në vendin tonë. Përmes programeve ekonomike zhvillimore qeveria gjermane ka ndikuar fuqishëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës, në veçanti në krijimin e sektorit bankar, në zhvillimin e sektorit publik, të atij energjetik etj. Gjithashtu, Gjermania është investitori numër një në Kosovë me 375 milionë euro investime direkte në gjashtë vitet e fundit dhe është njëkohësisht vatër e rreth 300 mijë kosovarëve të cilët përmes dërgesave të tyre dhe sjelljes së përvojave janë një ndër shtyllat e fuqishme të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Në të njëjtën kohë, ekonomia gjermane është ndër më të fuqishmet dhe më novatoret në botë. Mjafton të marrim si shembull vendimin e qeverisë gjermane pas rastit të Fukushimës për të hequr dorë nga energjia atomike e për t’i përqendruar të gjitha resurset në gjetjen e zgjidhjeve novatore, në sferën e energjisë së ripërtëritshme. Kjo nënkupton që, përkundër rrezikut që përmban në vete dëshira për inovacion dhe heqja dorë nga një burim relativisht i qëndrueshëm dhe i lirë energjetik, si energjia atomike, Gjermania do të zhvillojë në të ardhmen teknologji moderne energjetike, që asaj do t’i garantojnë dominimin ekonomik, industrial dhe teknologjik edhe për shumë dekada. Kur kjo kombinohet me inovacionin që aktualisht po ndodh në Gjermani në rrafshin industrial, përmes të ashtuquajturës “Industria 4.0” e që përmes të cilës Gjermania po i ndryshon rrënjësisht praktikat e prodhimit
industrial, atëherë është e qartë se fuqia ekonomike gjermane do të vazhdojë të jetë dominuese për shumë kohë edhe në nivelin global. Prandaj, është në interes ekonomik, politik, zhvillimor e strategjik të Kosovës, që raportet me Gjermaninë të fuqizohen e të ndërtohen në një rrafsh
të interesit të dyanshëm, duke kombinuar ofertën e Kosovës për investitorët e huaj dhe fleksibilitetin e sektorit vendor privat, me kapitalin, dijen dhe inovacionin gjerman. Kjo duhet të shndërrohet në prioritet zhvillimor, gjithnjë duke marrë parasysh interesat nacionale dhe ekonomike të Kosovës dhe duke respektuar konceptet e tregut dhe konkurrencës së lirë.
Një ndihmë e veçantë mund të vijë edhe nëpërmjet forcimit dhe ndërtimit të kapaciteteve të institucioneve ekonomike të Kosovës dhe duke mobilizuar fondet investive.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.