Bizneset e vogla dhe mesme nuk preferojnë të financojnë zgjerimin e aktivitetit të tyre nëpërmjet kredimarrjes për shkak të interesave të larta që ofrojnë bankat. Kjo gjetje u bë nga ekspertet e Departamentit të Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë Kliti Ceca dhe Elona Dushku pas një anketimi 4000 biznesë nga të cilat 1000 ishin me aktivitet bujqësi.
Studimi i ekspertëve “Përdorimi i financimit të jashtëm nga ndërmarrjet e vogla (1 – 4 të punësuar) në Shqipëri” referon se, ndërmarrjet bujqësore raportojnë se huaja përgjithësisht është e shtrenjtë, por nga ana tjetër i vlerësojnë shumë të rëndësishme marrëdhëniet me bankat dhe institucionet financiare për ecurinë e veprimtarisë së tyre.
Rezultatet e anketës, me kampion mbi 3000 ndërmarrje mikro (1-4 të punësuar), tregojnë se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017 problemet kryesore që kanë penguar veprimtarinë e tyre kanë qenë: konkurrenca, gjetja e tregut, borxhet e pashlyera dhe aksesi në financim.
Burimi kryesor i financimit të ndërmarrjeve mikro janë kryesisht shitjet dhe fondet e veta, ndërsa huaja zë një pjesë të vogël.
Edhe ndërmarrjet mikro, ashtu si ndërmarrjet bujqësore pohojnë që huaja është përgjithësisht e shtrenjtë, por megjithatë e vlerësojnë si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me bankat për ecurinë e veprimtarisë së tyre.
Rritja vjetore e kredisë për 11 mujorin 2017 ishte vetëm 0.1%, duke shënuar të tretin vit radhazi kur ekonomia nuk po kreditohet, pavarësisht politikës lehtësuese të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, e cila ka ulur normën bazë në nivele minimale prej 1.25%, në një përpjekje për të ulur koston e parasë dhe për të nxitur investimet private. Në 2015-n, kredia ra me 2.2% dhe në 2016-n u zgjerua me 0.75, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.
Bankat nuk po preferojnë të financojnë bizneset e mëdha, ndërsa ka një përqendrim më të madh tek sipërmarrjet e mesme dhe të vogla ka bërë që rritja e huasë të mos jetë e lartë. Nga ana tjetër, sistemi ka qenë aktiv në fshirjen e huave me probleme që kishin më shumë se tre vjet që nuk ktheheshin, apo dhe bankat kanë bërë fshirje të pjesshme që kreditë për klientët që kanë kthyer një pjesë të saj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.