Më të paguar se futbollistët, më të kërkuar se “influencer”, më të rrallë se speciet në rrezik zhdukje: çdo ekzemplar shkakton një luftë mes Vendeve, kompanive, universiteteve. Nuk janë robotët e së ardhmes, por njerëzit që dinë t’i krijojnë ata.
Më saktësisht inxhinierët, matematikanët, informaticienët dhe mendjet e ndritura që zotërojnë aftësitë dhe formimin për të punuar për Inteligjencën Artificiale, në fushat e shumta të aplikimit të saj, nga makinat me vetëdrejtim te kërkimi mjekësor, duke kaluar tek energjia, sistemet e njohjes së fytyrës dhe dronët ushtarakë.
Pagat e shkencëtarëve që po ndryshojnë botën janë bërë një temë diskutimi, madje edhe në një mjedis si Silicon Valley, i mësuar me rritje eksponenciale dhe kërkimin e trurit – të rinj me diplomë doktorature të sapo marrë e të punësuar për herë të parë, paga e të cilëve mund të arrijë deri në 300 mijë dollarë në vit dhe gjysmë milion pas rreth tre vitesh përvojë.
Prej këtu, pagat shkojnë në 6 zero dhe rinegociohen çdo vit, ashtu si Cristiano Ronaldo dhe fenomene të tjerë në fushën e sportit. Gara për të gjetur talentet më të mirë po ndryshon rregullat e tregut, duke e përqendruar gjithnjë e më shumë pushtetin në duart e pak kompanive dhe duke i hequr forcë pune shërbimit kërkimor publik.
Një studim i Pasya, platformë për këshillim profesional, e bazuar tek Inteligjenca Artificiale, në vitin 2017 vlerësoi se, kolosët e teknologjisë shpenzojnë rreth 650 milionë dollarë në vit për paga që lidhen me Inteligjencën Artificiale, të cilave u shtohen edhe 1 miliard të tjerëpër zhvillimin e projekteve. Përmendim rastin e DeepBrain, shoqëri britanike për zhvillimin e Inteligjencës Artificiale, e blerë nga Google në vitin 2014 për 650 milionë dollarë. Në vitin 2017, sipas bilancit, shpenzimet për personelin, numri i të cilëve arriti në 400, u rritën në 138 milionë dollarë, d.m.th. mesatarisht 345 mijë dollarë për punonjës. Arsyeja është e thjeshtë – kërkesa kapërcen ofertën e madhe.
Një raport i AI Element, startup kanadeze që ndihmon kompanitë të adoptojnë sisteme të“learning machine”, në shkurt vlerësoi se numri i personave me kualifikimet e nevojshme për të ndërtuar projekte të Inteligjencës Artificiale ishte 22 mijë në të gjithë botën. Rreth gjysma janë në Shtetet e Bashkuara dhe punojnë aty, ndjekur nga Kanadaja, me 1154 persona. Në Europë, pjesën e luanit e ka Britania e Madhe, ku raporti identifikon 1860 “talente”, 797 janë në Francë, 626 në Gjermani dhe vetëm 68 në Itali.
Në momentin e publikimit të këtij studimi, vetëm 3 mijë persona me mendje brilante po kërkonin një punë, ndërkohë, vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin rreth 10 mijë ofertat për punë të këtij lloji – një situatë e rrallë madje edhe për industrinë e begatë të teknologjisë.
Një raport i ngjashëm, i publikuar nga Tencent, kolosi kinez që ka në pronësi, ndër të tjera, edhe WeChat, aplikacioni më i përdorur në Kinë për mesazhet, blerjet online dhe pagesat, e rriste numrin e njerëzve me mendje gjeniale në 200 mijë, duke përfshirë jo vetëm ata që janë vërtet të specializuar në Inteligjencën Artificiale – domethënë në gjendje të krijonin, shfrytëzonin dhe të zhvillonin projekte, por edhe informaticienë “të thjeshtë” dhe programues,të përfshirë në ekipin e punonjësve që punojnë për aplikacione për Inteligjencën Artificiale. Në çdo rast, edhe me një zero më shumë, numri është shumë i vogël.
Numri i vogël i personave të kualifikuar, gara për pagat dhe përqendrimi i talenteve i bën zgjedhjet mbi të ardhmen e tyre mjaft të qarta. Gjigantët e teknologjisë, me mundësi financiare të jashtëzakonshme, janë të vetmit që mund t’i kenë këto talente, madje edhe t’i formojnë e trajnojnë ata brenda kampuseve të tyre.
Intel, Facebook dhe Google, të angazhuar në fronte të ndryshme dhe të shumta, me projekte që kanë të bëjnë me Inteligjencën Artificiale, janë duke krijuar kurse për trajnimin brenda kampuseve të tyre, për t’i përdorur për nevojat e tyre.
E ardhmja, me pak fjalë, rrezikon të përqendrohet gjithnjë e më shumë në duart e pak kolosëve të teknologjisë, që jo vetëm do të prodhojnë rezultatet, por edhe do të vendosin standarde dhe rregulla. Në dëm të të gjithë të tjerëve. Pagat me gjashtë zero po u shterojnë burimet Universiteteve, të cilat nuk mund të jenë konkurruese as në frontin e pagave dhe as të pajisjeve teknologjike të nevojshme për të çuar përpara kërkimet.
Në Britaninë e Madhe, pas një artikulli në të cilin e përditshmja “Guadian” tregonte për vështirësitë e universiteteve kryesore kombëtare për rekrutimin e shkencëtarëve dhe ekspertëve apo në mbajtjen e tyre përballë ofertave në sektorin privat, është hapur një debat.
“Fenomeni kapërcen shkëmbimet normale mes kompanive private dhe botës universitare”, shpjegoi një profesor për të përditshmen londineze. “Po bëhet një problem për universitetet, ato rrezikojnë të humbasin një gjeneratë të tërë, me pasoja për të ardhmen e mësimdhënies dhe kërkimit”.
Të dhënat nuk mungojnë. Tre emrat më të shquar të sektorit, ata që nxitën bumin në kërkimin mbi Inteligjencën Artificiale janë: Yoshua Bengio (kanadez), Yann LeCunn (francez i natyralizuar në amerikan) dhe Geoffrey Hinton (britanik). Vetëm Bengio punon ende në Universitetin e Montrealit, në krye të“Montreal Institute for Learning Algorithms” (MILA). Dy të tjerët punojnë tashmë respektivisht në Facebook dhe Google.
Në vitet e fundit, katër nga ekspertët më të mëdhenj të Inteligjencës Artificiale kanë lënë punën e tyre në katedrat e Universitetit të Stanford, për të punuar në shërbim të kompanive të Silicon Valley, ndërsa në Universitetin e Washington, nga 20 profesorë që merren me Inteligjencën Artificiale, 6 për momentin janë në pritje, duke përfunduar po ashtu në shërbim të kompanive.
Burimi: Business Insider