Ekspertët njëzëri: Jo ekonomisë së hashashit, të ndalet sa më parë

22/10/2016 8:04 AM 1 koment

 

Flasin Arben Malaj, Adrian Civici, Selami Xhepa, Zef Preç, Ismail Beka, Rexhep Uka

Ekspertët më të njohur të eknomisë bien dakord njëzëri se masivizimi i kultivimit të hashashit nuk do t’i sjellë të mira ekonomisë, përkundrazi, do të rezultojë një investim varfërues dhe me shumë viktima. Ata bëjnë thirrje që kjo dukuri të marrë fund sa më shpejt, përndryshe pasojat afatgjatë do të jenë të mëdha. Nuk ngurrojnë as të heqin një paralele mes asaj që po ndodh tani dhe piramidave të ‘97-s…

Ekspertët më të njohur të ekonomisë bien dakord njëzëri se masivizimi i kultivimit të hashashit do të ketë pasoja tepër negative për vendin, duke filluar nga largimi i vëmendjes nga bujqësia, efekteve sociale, shtrembërimin që po i bën tregut të punës e deri në fuqizimin e ekonomisë kriminale.
Ata nuk ngurrojnë të heqin një paralele mes asaj që ndodhi me Shqipërinë me piramidat në vitin 1997, ndërsa shtojnë se shembuj nga bota, ku më tipikja është Kolumbia, kanë dështuar të tregojnë se orientimi i ekonomisë nga kultivimi i produkteve nartotike ka sjellë rritje të mirëqenies së vendit.
Ekspertët bëjnë thirrje që kjo dukuri të marrë fund sa më shpejt, përndryshe pasojat do të jenë të mëdha.
“Në këndvështrimin afatgjatë, problemet bëhen më të rënda” thotë prof. Arben Malaj, rektor i Universitetit Luarasi, ish ministër i financave dhe një njohës mjaft i mirë i ekonomisë. “Është hera e dytë pas 1997-s që shqiptarët investojnë masivisht në biznese kriminale, të cilat prodhojnë të ardhura të përkohshme, por me kosto të rënda sociale afatmesme dhe afatgjata. Pas pak viteve, kur të kthejmë kokën pas, investimi i parave dhe fuqisë punëtore në këtë aktivitet do të rezultojë një investim varfërues dhe me shumë viktima”, thotë Malaj.
Prof. Dr Ardian Civici thotë se nuk mund të mendohet se e ardhmja e hapësirave rurale shqiptare do të jetë hashashi, sado “eficient” të jetë ai në këto momente. “Përvoja të ngjashme në vende të tjera të botës, sidomos në Azi dhe Amerikën Latine, dëshmojnë më së miri rreziqet dhe problemet e rënda ekonomike e sociale që prodhon një zgjedhje e tillë, një tendencë mjaft e vështirë të eliminohet apo të zhduket pa përpjekje e ndërhyrje drastike”, pohon Civici.
Për prof.Selami Xhepën, Zv/Rektor për Shkencën dhe Metodologjinë në Universitetin Europian të Tiranës, kjo që po ndodh nuk duhet parë ngushtësisht në planin ekonomik, pasi implikimet e këtij fenomeni janë të njëjta me pasojat e ekonomisë kriminale; ato rrezikojnë të sotmen dhe të ardhmen e vendit. “Nuk ka ndonjë rast në histori që grupe sociale, siç janë fermerët, të jenë pasuruar duke kultivuar lëndë të tilla; janë pasuruar individë, grupe dhe organizata kriminale të cilat kanë kërcënuar demokracinë, shtetin ligjor dhe kanë mbajtur kombet në varfëri”, thotë Xhepa.
Në të njëjtën linjë është dhe Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike. “Për shkak të mënyrës se si funksionon tregu kriminal i kultivimit të kanabis sativa, një numër i kufizuar individësh me pushtet ose anash tij (pushtetit) grumbullojnë në duart e tyre të ardhura kriminale të konsiderueshme e për rrjedhojë injektimi në ekonomi i një pjese të këtyre parave deformon me shpejtësi edhe tregjet e tjera”, thotë Preçi.
Ekspertët e bujqësisë parashikojnë ndikim tepër negativ në këtë sektor. “Askush, asnjë komb nuk ka përparuar nëse nuk ka zhvilluar bujqësinë”, thotë PhD Rexhep Uka, njëkohësisht sipërmarrës në sektorin e agro-turizmit. “Ata që përmendët si mbështetës të hyrjes së valutës në Shqipëri nga droga, pavarësisht se u intereson ideja ose jo, e dinë fare mirë, po aq sa edhe ne, se ajo është e përkohshme dhe se shpërndarja e tyre bëhet nëpër kanale të zeza dhe nuk ka asnjë lidhje me zhvillimin e qëndrueshëm. Ata që merren me këtë biznes nuk kanë asnjë lidhje me bujqësinë, madje kjo quhet “industri”, që merr këtë trajtë në kushtet kur është e paligjshme”, thotë Uka.
Për Ismail Bekën, ekspert i njohur në bujqësi, një element i rëndësishëm që ka ndikuar në këtë dukuri është është mungesa e vëmendjes për zonat malore, varfëria e zgjatur e popullsisë vendase dhe mungesa e mbështetjes për aktivitetet ekonomike. “Deri tani mbështetja e politikave bujqesore është përqendruar në bujqësinë e orientuar për treg në zonat e ulëta dhe nuk ka akoma masa mbështetëse në zërin e zhvillimit rural për zonat malore”, thotë Beka. NË VIJIM MUND TË LEXONI INTERVISTAT E PLOTA DHE NE LINK NE PDF.

 

monitor 751.inddFlet prof. Arben Malaj, rektor i Universitetit Luarasi

Hera e dytë pas ‘97 që shqiptarët investojnë masivisht në biznese kriminale

Sipas jush, cilat do të jenë pasojat afatshkurtër dhe afatgjatë të mbjelljes masive të hashashit në ekonomi?

Impaktet sociale dhe ekonomike të aktiviteteve kriminale janë të rënda për vendet që luftojnë për të konsoliduar funksionimin e shtetit ligjor, si parakusht për të krijuar baza të një zhvillimi që prodhon zhvillim dhe mirëqenie.
Në efektet negative afatshkurtra do të përfshija largimin nga puna të mijëra familjeve, të cilat kanë rënë viktima të idesë se mund të pasurohen shpejt duke kultivuar drogë dhe jo produkte bujqësore dhe blegtorale, për të cilat tregu ka nevojë.
Në impaktet afatshkurtra përfshihen deformimet në tregun e punës, në tregun e pasurive të patundshme, në rritjen abuzive të kostove për të bërë biznes.
Zhvendosja e kërkesës për punë në këto aktivitete rrit vështirësitë për fuqi punëtore dhe deformon kostot reale të bizneseve të tjera.
Një kosto tjetër e rëndë për buxhetin e shtetit është rialokimi i fondeve në luftën kundër kultivimit të kanabisit, i cili në kushtet e një buxheti të shtrënguar, imponon shkurtime të ndjeshme të shpenzimeve dhe investimeve publike në arsim, shëndetësi, ambient dhe infrastrukturë.
Në këndvështrimin afatgjatë, problemet bëhen më të rënda. Është hera e dytë pas 1997-s që shqiptarët investojnë masivisht në biznese kriminale, të cilat prodhojnë të ardhura të përkohshme, por me kosto të rënda sociale afatmesme dhe afatgjata.
Pas pak viteve, kur të kthejmë kokën pas, investimi i parave dhe fuqisë punëtore në këtë aktivitet do të rezultojë një investim varfërues dhe me shumë viktima.
Shumë harrojnë që këto viktima nuk janë diku larg apo jashtë familjeve të tyre. Këto viktima gjithnjë e më shumë rrezikojnë të jenë fëmijët e tyre, rrezikojnë të jenë të afërmit e tyre, rrezikojnë të jenë direkt ose indirekt edhe ata vetë që i tolerojnë apo investojnë në këto aktivitete kriminale.
Efekt kryesor afatgjatë do të jenë kostot e larta të vetë kultivuesve, por edhe të biznesit në tërësi dhe taksapaguesve gjithashtu.
Reduktimi i këtij aktiviteti do të kërkojë fonde të shumta si për policinë, për kujdesin shëndetësor, për të asistuar viktimat në rritje të përdorimit të drogave, për buxhetin e shtetit për të gjetur burimet e nevojshme të këtyre kostove direkte dhe indirekte, por edhe për vetë biznesin për t’u zhvilluar në një ambient konkurrues, ku konkurrenca nuk vjen nga novacioni dhe përkushtimi, por nga investime me burime financiare nga aktivitetet kriminale.
Mund të ketë individë apo biznese që mund të “gëzojnë” fitime të mëdha dhe në periudha të shkurtra, shpresa për periudha të “arta” në vitet e ardhshme do të vrasë dëshirën për punë, do të vrasë investimin në aktivitete të ligjshme.
Fonde të mëdha dhe buxhetore do të kërkohen për rendin të cilat do të gjenden duke shkurtuar investimet publike në prioritetet jetësore siç janë arsimi, shëndetësia, infrastruktura, mbështetja e bujqësisë dhe turizmi.
Një impakt i konsiderueshëm negativ është perceptimi negativ për vendin, i cili tremb investitorët kredibël në aktivitete prodhuese dhe shërbimi sa më konkurrues dhe josh investitorët e këqij, të cilët synojnë përfitime vetëm nga aktivitete informale dhe kriminale. Kjo rrit presionet korruptive dhe kriminale ndaj qeverisjes vendore dhe qendrore, duke e vështirësuar shumë ndërtimin e shtetit ligjor.
Pasojat negative mbi braktisjen e aktiviteteve tradicionale të prodhimeve dhe shërbimeve në bujqësi e blegtori, dëmtimi i produktivitet, dëmtimi i cilësisë së tokës vlerësohen nga specialistë të bujqësisë si një kosto e rëndë dhe e gjatë për fermerët.
Kostot sociale janë një barrë e rëndë dhe financiare individuale, familjare dhe për taksapaguesit në tërësi.
Jo vetëm rritja e numrit të përdoruesve, por sidomos rënia e dëshirës për të mësuar dhe për të punuar, mund të krijojnë viktima të përhershme të krimit dhe varfërisë.
Dalja nga “trashëgimi” i të njëjtave risqe dhe kosto, e bën më të rëndë prerjen e efektit trashëgues të varfërisë dhe kriminalitetit.

Mbështetësit e kultivimit të këtij produkti pohojnë se të paktën ai është një burim i mirë i hyrjes së valutës në Shqipëri. Si e komentoni këtë qëndrim?

Nuk di asnjë vend që në rezultante, të ketë përmirësuar në mënyrë të qëndrueshme me të ardhurat nga aktivitetet kriminale treguesit makro, ku përfshihen edhe kurset këmbimit.
Të vlerësosh pozitive të ardhurat nga ky aktivitet në mbajtjen nën kontroll të kursit të këmbimit do të thotë, ose të mos njohësh ose t’i injorosh përvojat e përgjakshme që mbijetojnë edhe sot në vendet që e toleruan drogën dhe për pasojë, nuk e mposhtën dot krimin e organizuar dhe mbetën vende me burime të pasura, por me konflikte sociale të rënda, vazhdojnë të jenë vende me normat më të larta të krimit, vende me kriza të thella sociale dhe me paqëndrueshmëri politike të përhershme.
Individë të caktuar mund të bëhen të pasur nga aktivitete të tilla kriminale, por vetëm përkohësisht. Biznese të caktuara direkt apo indirekt mund të pasurohen nga këto lloj aktivitetesh kriminale, por vetëm përkohësisht.
Kurrë asnjë vend dhe asnjë komb nuk mund të zhvillohet, pasurohet dhe prosperojë nga tolerimi i aktiviteteve kriminale në shkallën që ato të dominojnë ekonominë, zhvillimet sociale dhe të ndikojnë zhvillimet politike.
Lufta kundër këtyre aktiviteteve të tilla kriminale nuk mund të fitohet me keqpërdorimin e saj në përballjet e ashpra politike midis partive parlamentare.
Kjo luftë kundër aktiviteteve kriminale duhet vlerësuar si një prioritet kombëtar dhe si e tillë kërkon apo imponon përgjegjësi dhe angazhime kombëtare, duke filluar nga strukturat e specializuara në luftën kundër kanabizimit të vendit deri tek alternativat konkurruese për mundësitë e mbështetjes me politika dhe fond zhvillimi, duke filluar nga zonat më të varfra në vend.

Cilat janë sugjerimet tuaja për hapat e menjëhershëm që duhen ndërmarrë për orientimin e ekonomisë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm?

Reduktimi i risqeve në rritje që ky aktivitet kriminal të konsiderohet diçka e zakonshme dhe të tolerohet.
Sa do i varfër të jetë një individ apo një vend, ai nuk mund të pasurohet nga aktivitetet kriminale, ky është pasurim varfërues, është një lumturi e përkohshme që ka një fund me shumë viktima.
Por strategjia e reduktimit të kultivimit të kanabisit nëpërmjet luftës së policisë duhet bashkëshoqëruar me skema financimi lehtësuese dhe investime publike në rritje në zonat rurale të vendit.
Duhet të reduktojmë dhe të ndalim këtë fenomen të përhapjes masive të kultivimit të kanabisit, duke ofruar mundësi alternative për punësim dhe të ardhura për familjet.
Më konkretisht, janë ndoshta mijëra kultivues individualë të drogës në burgjet tona.
Penalizimi me të drejtë i kultivuesve të drogave ka krijuar kosto të rënda sociale për familjet e tyre. Është arrestuar një kultivues, por është bërë më i varfër dhe i ekspozuar ndaj krimeve dhe familja e tij, e cila potencialisht në kushte mbijetese është lehtësisht e manipulueshme, të bëhet viktimë e varfërisë në rritje dhe për pasojë, edhe e aktiviteteve kriminale.
Disa kolegë janë angazhuar për të bërë një studim, se sa është kostoja e çdo të burgosuri si kultivues droge dhe të studiojë eksperienca edhe ndërkombëtare për alternativa stimuluese për aktivitete ekonomike që ulin fokusimin te kultivimi i drogës.
Kjo kërkon bashkëpunim edhe për rritje të fondeve nga donatorë të ndryshëm, pasi fitimet e mëdha nga këto aktivitete kushtëzohen nga kërkesa në rritje e përdoruesve në vendet e zhvilluara. Si çdo mall tjetër, edhe për drogat, rritja e çmimeve dhe fitimeve ndikon ndjeshëm kultivimin dhe shitjen e drogës, pra presioni për risk të madh për fitime të mëdha vepron mbi çdo fermer, aq më shumë mbi individë apo familje që mbijetojnë në kushte varfërie.
A mundet fonde publike për kultivuesit e kanabisit pas një amnistie, sepse ne nuk e mundëm dot kultivimin e kanabisit nga burgosja e kultivuesve individualë, të shndërrohen në fonde zhvillimi, ku të bashkohen me fondet e qeverisë dhe donatorëve në një fond të përbashkët dhe të mirëmenaxhuar për të mbështetur të liruarit nga burgu për t’u angazhuar në aktivitete të tjera ligjore dhe produktive.
E di që shumë do të jenë skeptikë, sepse normat e fitimit të një aktiviteti prodhues nuk do të përafrohen me ato të aktiviteteve kriminale, por mbaj parasysh korrelacionin e “përgjakur” dhe plot viktima që ka midis një norme fitimi treshifrore me shkallën e lartë të kriminalitetit dhe viktimat që këto aktivitete prodhojnë për t’i arritur dhe për t’i mbajtur këto fitime.
Thelbi i studimit është në konceptin e projektit të UNDP, gjatë krizës së rëndë pas vitit 1998, kur mblidheshin armët në duart të popullatës. Mbledhja e tyre stimulohej edhe me dhënie fonde grant për prioritete të komunitetit si furnizimi me ujë, rrugët rurale, investime në shkolla dhe qendra shëndetësore. Me këtë koncept incentivues të aplikohet një skemë stimuluese këtë radhë me grante dhe kredi të buta për biznese të vogla individuale apo familjare të të burgosurve për kultivim droge.
Një nga leksionet bazë të makroekonomisë është se individët reagojnë më mirë ndaj incentivave se sa ndaj penaliteteve.
Pa një strategji kombëtare të integruar në luftën kundër kanabizimit të vendit tonë, ku janë pjesë thelbësore edhe politikat lehtësuese për projekte dhe fonde konkrete që lehtësojnë kalimin nga aktivitetet kriminale në atë ligjore, ne rrezikohemi ta humbasim qoftë edhe për disa vite këtë luftë për jetë a vdekje për të ardhmen e fëmijëve, familjeve dhe vendit tonë.
Zhgënjimet do të jenë të mëdha, largimet do të jenë të konsiderueshme duke përtharë rrënjët e impaktit pozitiv të dividentit demografik që vendi ynë e ka në dispozicion edhe për një kohë jo shumë të gjatë.
Kjo situatë largon dhe shkurajon investimet private, vendase dhe të huaja, të cilat tkurren duke reduktuar burimet potenciale për rritje ekonomike më të larta dhe më produktive.
Kjo situatë dëmton ekonominë dhe buxhetin, sepse lufta kundër kanabizimit do të kërkojë vende të shumta direkte dhe indirekte nga burimet tona buxhetore, të cilat edhe tani kanë mungesë të konsiderueshme për të mbështetur më mirë faktorët e zhvillimit cilësor, siç janë arsimi dhe shëndetësia, kohezioni social.
Përkeqësimi i cilësisë së këtyre prioriteteve si arsimi, shëndetësia, infrastruktura dhe kohezioni social, ushqen zhgënjimin e popullatës dhe mosbesimin ndaj së ardhmes tek individët dhe bizneset të cilët ulin konsumin dhe investimin e tyre, duke reduktuar burimet e të ardhurave buxhetore dhe duke e përkeqësuar ciklin e efekteve negative të tolerimit të aktiviteteve kriminale.

Arben Malaj:

Kurrë asnjë vend dhe asnjë komb nuk mund të zhvillohet, të pasurohet dhe të prosperojë nga tolerimi i aktiviteteve kriminale në shkallën që ato të dominojnë ekonominë, zhvillimet sociale dhe të ndikojnë zhvillimet politike.

 

monitor 751.inddFlet Prof. Dr. Adrian Civici, President i UET

Nëse vazhdon gjatë, pasojat do të jenë të parikuperueshme

Sipas jush, cilat do të jenë pasojat afatshkurtër dhe afatgjatë të mbjelljes masive të hashashit në ekonomi?

Nga këndvështrimi i zhvillimit ekonomik të ekuilibruar dhe të strukturuar me objektiva strategjikë dhe orientim afatgjatë, mbjellja masive e hashashit, siç po ndodh në Shqipëri në këto momente, mendoj se ka pasoja mjaft negative. Ajo sposton nga vëmendja dhe kultivimi eficient mjaft kultura bujqësore, orienton përdorimin e tokës, qoftë dhe tokave të marxhinalizuara, vetëm drejt mbjelljes dhe kultivimit të hashashit. Nuk mund të mendohet se e ardhmja e hapësirave rurale shqiptare do të jetë hashashi, sado “eficient” të jetë ai në këto momente. Përvoja të ngjashme në vende të tjera të botës, sidomos në Azi dhe Amerikën Latine, dëshmojnë më së miri rreziqet dhe problemet e rënda ekonomike e sociale që prodhon një zgjedhje e tillë, një tendencë mjaft e vështirë të eliminohet apo të zhduket pa përpjekje e ndërhyrje drastike. Edhe nga pikëpamja afatshkurtër, një pjesë e konsiderueshme e kultivuesve të hashashit duket se po specializohen në prodhimin e kësaj bime, duke neglizhuar prodhimet bujqësore tradicionale, pa folur për faktin se janë çdo çast nën rrezikun e ndëshkimit ligjor për këtë aktivitet ilegal. Është një situatë që nuk duhet të vazhdojë gjatë, pasi pasojat ekonomike, politike, sociale dhe ndaj imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë do të jenë shumë të rënda dhe vështirë të rikuperueshme.

Mbështetësit e kultivimit të këtij produkti pohojnë se të paktën ai është një burim i mirë i hyrjes së valutës në Shqipëri. Si e komentoni këtë qëndrim?

Natyrisht që kanabisi apo hashashi janë prodhime që sjellin mjaft të ardhura në valutë të huaj, pasi çmimi dhe kërkesa për to është e lartë, aq më tepër që kemi të bëjmë me tregje të vendeve të zhvilluara me monedha të forta dhe çmime të larta. Po ta shohësh thjesht dhe vetëm në këtë prizëm, mund të pohosh se efekti i tyre është pozitiv për ekonominë, punësimin dhe të ardhurat e mjaft kategorive sociale në Shqipëri. Por, në kushtet kur hashashi është i palegalizuar dhe shitja apo eksporti i tij bëhet ilegalisht nga struktura paralele me natyrë mafioze, fitimet më të mëdha shkojnë pikërisht te këto struktura mafioze dhe nuk vijnë në favor të ekonomisë kombëtare apo prodhuesve të tij, që janë kryesisht fshatarë modestë, ose shtresa sociale të varfra dhe marxhinalizuara. Nëse Shqipëria do ta legalizonte kanabisin dhe nëse do të kishim kontakte vetëm me tregje ndërkombëtare gjithashtu të legalizuara, ndoshta mund të shpresonim për ta kthyer prodhimin e kanabisit në një kulturë rentable ekonomike dhe burim punësimi dhe të ardhurash për zonat rurale.

Cilat janë sugjerimet tuaja për hapat e menjëhershëm që duhen ndërmarrë për orientimin e ekonomisë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm?

Zhvillimi i qëndrueshëm i ekonomisë në këtë rast ka të bëjë me zhvillimin e atyre degëve dhe produkteve që përputhen më mirë me karakteristikat klimatike dhe potencialet e Shqipërisë, që krijojnë oportunitete për investime të qëndrueshme afatgjata, që kanë treg të brendshëm apo të jashtëm, që sjellin punësim dhe të ardhura të konsiderueshme për prodhuesit. Mendoj se ne duhet t’i kthehemi urgjentisht politikave që nxisin dhe mbështesin prodhimin vendas. Pas 25 viteve tranzicioni ende kemi një ekonomi që mbështetet kryesisht te konsumi, remitancat, ndihmat e huaja, etj. Jemi në momente kur duhet të zhvillojmë industrinë, minierat, prodhimin bujqësor e blegtoral, hekurudhat dhe infrastrukturën, portet dhe peshkimin, agro-industrinë, etj. Vetëm një ekonomi prodhuese, me shërbime cilësore dhe e vëmendshme ndaj efekteve mjedisore, është një ekonomi me zhvillim të qëndrueshëm. Këtu do të shtoja si nevojë imediate cilësinë e kapitalit njerëzor, shkollimin dhe profesionalizimin e njerëzve, duke pranuar se në këtë drejtim jemi shumë mbrapa. Nuk mund të ketë zhvillim cilësor dhe të qëndrueshëm pa kapital njerëzor po kaq cilësor dhe të qëndrueshëm.

Ardian Civici

Sposton nga vëmendja dhe kultivimi eficient mjaft kultura bujqësore, orienton përdorimin e tokës, qoftë dhe tokave të marxhinalizuara, vetëm drejt mbjelljes dhe kultivimit të hashashit. Nuk mund të mendohet se e ardhmja e hapësirave rurale shqiptare do të jetë hashashi, sado “eficient” të jetë ai në këto momente

 

monitor 751.inddFlet Prof. Selami Xhepa, ekspert i ekonomisë

Po rrezikohet e sotmja dhe e ardhmja e vendit

Sipas jush, cilat do të jenë pasojat afatshkurtër dhe afatgjatë të mbjelljes masive të hashashit në ekonomi?

Kultivimi masiv i hashashit po bëhet një nga fenomenet më shqetësuese për shëndetin e shoqërisë. Nuk duhet parë ngushtësisht në planin ekonomik, pasi implikimet e këtij fenomeni janë të njëjta me pasojat e ekonomisë kriminale; ato rrezikojnë të sotmen dhe të ardhmen e vendit. Paratë e botës së krimit janë kërcënuese për sigurinë dhe stabilitetin e vendit; kërcënim për demokracinë dhe institucionet demokratike; janë një rrezik real që mban peng zhvillimin e vendit dhe ndërtimin e një shoqërie të vlerave europiane. Duke u bërë “solidar” me Policinë e Shtetit, krimi do të dobësojë edhe më fort shtetin tashmë të dobët ligjor. Për momentin, duket sikur ky aktivitet po destinohet vetëm për tregjet e huaja. Por, mundet të mos jetë e largët që edhe të rinjtë nga zonat rurale të shndërrohen në përdorues të këtyre lëndëve narkotike. Shqipëria nuk do të jetë më vetëm prodhuese, por dhe konsumatore e drogave dhe narkotikëve. Degradimi ekonomik dhe social i shoqërisë do të jetë një realitet shumë i dhimbshëm.

Mbështetësit e kultivimit të këtij produkti pohojnë se të paktën ai është një burim i mirë i hyrjes së valutës në Shqipëri. Si e komentoni këtë qëndrim?

Kjo është një qasje dritëshkurtër. Shikoni shembullin tipik të Kolumbisë. A janë fermerët e pasur për shkak se janë kultivues të lëndëve narkotike apo janë thjesht skllevër të narkotrafikantëve? Nuk ka ndonjë rast në histori që grupe sociale, siç janë fermerët, të jenë pasuruar duke kultivuar lëndë të tilla; janë pasuruar individë, grupe dhe organizata kriminale të cilat kanë kërcënuar demokracinë, shtetin ligjor dhe kanë mbajtur kombet në varfëri.

Cilat janë sugjerimet tuaja për hapat e menjëhershëm që duhen ndërmarrë për orientimin e ekonomisë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm…?

Zhvillimi i qëndrueshëm është një sfidë që prej kohësh qëndron e shtruar si objekt debati dhe shqetësimi publik. Nuk mund të jetë një rrugë apo një masë e vetme, por një tërësi veprimesh dhe aksionesh publike, të cilat duhen ndjekur në mënyrë të vazhdueshme, duke hequr dorë nga demagogjitë dhe retorika politike elektorale. Nëse turizmi, për shembull, është një nga mënyrat se si vendi mund të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme, atëherë rastet si ai i investitorit të huaj të Gjirit të Lalëzit që u dhunua apo rasti i projektit të Kakomesë, nuk duhet të ekzistojnë. Nga ana tjetër, dhënia e sipërfaqeve më me potencial turistik në zonat bregdetare investitorëve për të ndërtuar apartamente apo vila për shitje, nuk i shërbejnë aspak një strategjie të zhvillimit të turizmit. Nëse fermat bujqësore mund të krijohen mbi baza vullnetare midis fermerëve, shteti le të subvencionojë deri edhe në shuma të mëdha modernizimin e tyre, përfshi investime direkte dhe jo thjesht asistencë teknike. Kultivimi i farërave autoktone, këshillimi bujqësor, kontrolli i plehrave kimike dhe ruajtja e shëndetit të bimëve, etj., duhen realizuar seriozisht dhe jo thjesht t’i kemi si shërbime në letër. Nëse minierat dhe burimet natyrore janë gjithashtu një burim zhvillimi, atëherë kontrolli mbi menaxhimin e tyre dhe përfitimi publik nga shfrytëzimi i tyre duhen rikonsideruar. Kjo linjë gjykimi mund të ndiqet për parqet industriale, projekte serioze strategjike investimi nga firma që jo vetëm sigurojnë fitime për veten – gjë që është arsyeja e parë e krijimit të tyre – por që krijojnë edhe përfitime për vendin në afatin e tanishëm dhe të gjatë. Zhvillimi i qëndrueshëm nuk është një recetë, por një përgjegjësi që duhet kuptuar mirë nga shtetarët dhe duhet të zhvillohet përditë nga agjencitë qeveritare.

Selami Xhepa

Shikoni shembullin tipik të Kolumbisë. A janë fermerët e pasur për shkak se janë kultivues të lëndëve narkotike apo janë thjesht skllevër të narkotrafikantëve? Nuk ka ndonjë rast në histori që grupe sociale, siç janë fermerët, të jenë pasuruar duke kultivuar lëndë të tilla; janë pasuruar individë, grupe dhe organizata kriminale të cilat kanë kërcënuar demokracinë, shtetin ligjor dhe kanë mbajtur kombet në varfëri

 

monitor 751.inddFlet Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike

Deformimet e tregjeve dhe vullnetit të qytetarëve për efekt të parave të pista do mbeten për një kohë të gjatë

Sipas jush, cilat do të jenë pasojat afatshkurtër dhe afatgjatë të mbjelljes masive të hashashit në ekonomi?

Pavarësisht “pranimit të tërthortë” të realitetit ekonomik të vendit nga autoritetet qeveritare, tashmë është bërë e qartë se kultivimi i kanabis sativa në vendin tonë ka marrë formën e një epidemie dhe përfshin sipërfaqe të gjera dhe një numër shumë të madh parcelash anembanë vendit. Natyrisht, pasojat e një situate të tillë në ekonominë e vendit duhen parë të lidhura ngushtë, së pari me okupimin e sipërfaqeve të mëdha të tokës që natyrisht duhej të përdoreshin për prodhimin e produkteve bujqësore e blegtorale.
Së dyti, së bashku me përdorimin e sipërfaqeve të mëdha të tokës për kultivimin e kësaj bime, një pjesë e fuqisë punëtore gjithashtu është e angazhuar në këtë aktivitet kriminal;
Së treti, me devijimin drejt këtij aktiviteti kriminal të një pjese të kursimeve monetare të popullsisë, prurjeve të emigracionit deri edhe të një pjesë të huave bankare (kuptohet të marra zyrtarisht nga bankat tregtare “për qëllime bujqësore”…); Së katërti, si rezultat i deformimit të raporteve të kërkesë-ofertës ndaj produkteve bujqësore “tradicionale”, do të rriten çmimet e shitjes me pakicë të këtyre produkteve (gjë që është vënë re edhe gjatë gjysmës së dytë të këtij viti);
Së pesti, për shkak të mënyrës se si funksionon tregu kriminal i kultivimit të kanabis sativa, një numër i kufizuar individësh me pushtet ose anash tij (pushtetit) grumbullojnë në duart e tyre të ardhura kriminale të konsiderueshme e për rrjedhojë injektimi në ekonomi i një pjese të këtyre parave deformon me shpejtësi edhe tregjet e tjera. Kështu mund të thuhet se disa çrregullime siç është p.sh., rritja e menjëhershme e çmimeve të tregun imobiliar, reflektojnë edhe këtë ndikim, e kështu pritet të ndodhë edhe në disa tregje të tjera (p.sh. në shërbimet turistike në bregdet gjatë verës ku shërbejnë si kamerierë të ardhur nga thellësitë e territorit të vendit, ndërsa të rinjtë e qyteteve bregdetare gjatë verës punojnë në malësitë e zonave përkatëse ku kultivohet kanabis sativa…). Në mënyrë të përmbledhur mund të thuhet se ndikimet negative ekonomike si këto që përmendëm më lart të elaboruara me profesionalizëm më herët nga ‘Monitor’ mendoj se janë afatshkurtra, ndërsa deformimet e tregjeve për efekt të parave të pista, që burojnë nga ky aktivitet, pritet të mbeten të pranishme edhe për një kohë të gjatë. Gjithashtu, vlen të theksohet se edhe ajo pjesë e parave që burojnë nga ky aktivitet e që vlerësohet se aktualisht nuk po investohet (po thesarizohet) mendoj se përbën një kërcënim në vijimësi për deformimet e tregjeve dhe mundësitë e përdorimit të tyre në aktivitete të tjera kriminale dhe për interesa politike qëndrojnë si “shpata e Demokleut” mbi të ardhmen e ekonomisë sonë kombëtare. Kështu janë të gjitha gjasat për rritjen e ndikimit të monopoleve dhe të oligopoleve mbi ligjbërjen e Kuvendit dhe vendimmarrjen e qeverisë, si dhe vënien nën kontrollin e tyre të enteve rregullatore të tregjeve, të cilat edhe pa presionin e parave kriminale janë të politizuara, të mbushura me mediokër dhe përfaqësues të industrive që në fakt duhej të mbikëqyreshin prej tyre, pra në një konflikt të hapur të interesit me funksionin ligjor që duhet të ushtrojnë. Pa folur pastaj për ndikime të tjera të lidhura në këndvështrimin social-ekonomik si p.sh., zbehja e dëshirës për të punuar në bujqësi e blegtori, rendja pas të ardhurave që sigurohen pa shumë lodhje d.m.th. me lehtësi e brenda një kohe të shkurtër, rritja e shkallës së konfliktualitetit social dhe të kriminalitetit, po ashtu duke përfshirë edhe fuqizimin e krimit të organizuar, deri edhe në mundësimin e deformacioneve politike të votës dhe të vullnetit të qytetarëve në proceset zgjedhore të radhës. Kjo është aq e vërtetë sa të krijohet përshtypja sikur jemi diku në fillim të vitit 1996, pra në kohën e lulëzimit të piramidave dhe jo në fund të 2016-s, kur duhej të ishte harruar fjala “tranzicion” dhe mundësitë për një jetesë më pak punë apo pa punuar e pa paguar tatime e taksa duhej të ishin afër zeros, sikurse po ndodh aktualisht. Gjithashtu, siç tregojnë studimet në vendet e tjera, me rritjen e shkallës së prodhimit, rriten me ritme shumë të shpejta edhe numri i përdoruesve të drogave që prodhohen mbi bazën e kësaj bime, krijohet terren për kultivimin e bimëve të tjera të vdekjes shumë më të rrezikshme siç është opiumi (për të cilin ka evidencë se është shtrirë në territorin shqiptar gjithashtu) duke sjellë në këtë mënyrë edhe perturbacione të mëdha sociale. Të gjitha këto, së bashku me gjithë ndikimin disi “pozitiv” të nxitjes së konsumit për shkak të punësimit sezonal dhe përdorimit të të ardhurave familjare nga ky punësim stinor indirekt në konsum, ekonomia e vendit tonë po rrezikon të futet në një spirale pasigurie të panjohur më parë dhe të paparashikueshme për pasojat afatgjatë në zhvillimin dhe në rritjen e saj.

Mbështetësit e kultivimit të këtij produkti pohojnë se të paktën ai është një burim i mirë i hyrjes së valutës në Shqipëri. Si e komentoni këtë qëndrim?

Ky argument vlen vetëm për naivët në ekonomi dhe spekulantët në politikë. Sipas mendimit tim, askujt, por më tepër atyre që kanë marrë përsipër të qeverisin fatet e vendit, nuk duhet t’ju erren sytë nga përfitime financiare momentale personale apo të mbështetësve e sipërmarrësve të grupimit politik ku bëjnë pjesë, për shkak të pushtetit që gëzojnë, duke cenuar rëndë interesat e shumicës së qytetarëve të vendit dhe duke rrezikuar shndërrimin e Shqipërisë në një Kolumbi të Europës, nëse kjo tashmë nuk ka ndodhur…Asnjë vend i botës demokratike nuk është zhvilluar mbi bazën e ekonomisë kriminale, dhe qeveritë që për arsye të ndryshme apo për shkak të pazotësisë së tyre për të kontrolluar të gjithë territorin e vendit toleruan kultivimin e bimëve të tilla të vdekjes, ju përgatitën brezave të mëpasshëm histori të përgjakshme të luftërave civile dhe të konflikteve të armatosura që zgjaten e zgjasin me dekada. Mjafton të kujtojmë këtu rastin e Kolumbisë, vendit emblematik të kultivimit të lëndëve të para për prodhimin e drogave, i cili prej më se 4 dekadash është zhytur në luftë civile, në qeverisje diktatoriale apo që kontrollojnë vetëm disa rajone të caktuara të territorit të vendit, dhe në mjerim për shumicën e qytetarëve të atij vendi.
Të mos harrojmë se ndryshimet kushtetuese të verës së këtij viti kanë përgatitur terrenin ligjor dhe politik që të reformohet sistemi ynë i drejtësisë dhe çdo hap pozitiv në këtë drejtim do të ndikojë jo në ardhjen por në largimin nga vendi të mjeteve financiare të siguruara në rrugë kriminale, përmes korrupsionit, etj., ku bëjnë pjesë edhe burimet e valutës që përmendni ju. Në vlerësimin tim, një tymnajë e tillë është përhapur nga ata që duan të justifikojnë ëndrrat oligarkie për pasurim përmes veprimtarive kriminale dhe për sundimin e vendit me metoda autokratike, por edhe nga ata që duan të justifikojnë pazotësinë e qeverisë për të ndërmarrë politika pro zhvillimit të vendit, dështimit thuajse total të saj në hapjen e vendeve të reja të punës, në thithjen e Investimeve të Huaja Direkte, në nxitjen e prodhimit vendas, në nxitjen eksporteve, etj. Të mos harrojmë se hyrja e valutës ka kuptim kur vjen nga veprimtari të ligjshme dhe kryhet përmes kanaleve të njohura në shkëmbimet tregtare midis një vendi dhe vendeve të tjera përreth apo më larg…

Cilat janë sugjerimet tuaja për hapat e menjëhershëm që duhen ndërmarrë për orientimin e ekonomisë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm?

Zhvillimi i qëndrueshëm i ekonomisë sonë kombëtare, ashtu si për shumicën e vendeve qe ndërruan sistemin e tyre ekonomik e shoqëror dy dekada më parë është një sfidë mjaft e vështirë dhe komplekse. Kjo lidhet me njohjen më në thellësi të problemeve social-ekonomike që ka vendi ynë, si p.sh., rritja e moshës mesatare të popullsisë, pra plakja e saj, largimi masiv jashtë vendit i rinisë dhe fuqisë së aftë për punë, etj.; me analizën e zhvillimit të derisotëm dhe të faktorëve ende të pashfrytëzuar plotësisht në degë të tilla të ekonomisë si bujqësia dhe turizmi; me politikat që janë ndërmarrë dhe investimet që janë kryer e po kryhen për të penguar rrënimin e pyjeve dhe të kullotave të vendit; me heqjen dorë nga voluntarizmi dhe motivimi nga interesa të ngushta oligarkike e ndoshta edhe mafioze në politikat mjedisore duke përfshirë edhe një moratorium shumëvjeçar ndaj importimit të mbetjeve dhe të plehrave nga vendet e BE-së dhe jashtë saj; me rishikimin e strategjive të zhvillimit, atyre degësore dhe ndërdegësore, me synim krijimin e një kuadri funksional të politikave që ndiqen për të mos lënë zhvillimin e vendit në lojën e rastësisë dhe të ideve e politikave të çastit që injorojnë ligjësitë e zhvillimit në tërësi; me përfshirjen më të gjerë të komuniteteve në identifikimin dhe vënien në rrugën e zgjidhjes së problemeve të mëdha me të cilat përballet ekonomia jonë kombëtare në ditët e sotme; me respektimin e të drejtave fondamentale të njeriut dhe me shtimin e përpjekjeve për ndërtimin e institucioneve bazë të ekonomisë së tregut në vendin tonë…

Zef Preçi

Askujt, por më tepër atyre që kanë marrë përsipër të qeverisin fatet e vendit, nuk duhet t’ju erren sytë nga përfitime financiare momentale personale apo të mbështetësve e sipërmarrësve të grupimit politik ku bëjnë pjesë, për shkak të pushtetit që gëzojnë, duke cenuar rëndë interesat e shumicës së qytetarëve së vendit dhe duke rrezikuar shndërrimin e Shqipërisë në një Kolumbi të Europës, nëse kjo tashmë nuk ka ndodhur…

 

monitor 751.inddKanabisi i dëmshëm, po aq sa skemat piramidale

Flet PhD Rexhep Uka, njëkohësisht sipërmarrës në sektorin e agro-turizmit

Në fakt, rrekem të gjej pse më drejtoheni mua për këtë çështje…? Seç m’u kujtua një pyetje e imja, “naive”, në grupin parlamentar të PD-së, të viteve 1992-‘96, drejtuar parisë së atëhershme: “çfarë është, apo kush është Sudja? Reagimi ishte më shumë se sofizëm: “Marrëdhëniet me Maqedoninë janë të shkëlqyera… (?!)”. Kurrë nuk mund të prisja përgjigje më “të saktë”. Prandaj mos u habisni edhe me timen, që ajo mund t’i afrohet retorikës që përmenda më lart.
Duke lexuar artikullin tuaj, përfitoj nga rasti t’ju përgëzoj pasi analiza që keni bërë është gati shteruese dhe besoj se do të gjej shumë pak gjëra për të shtuar. Ajo që nuk do të merrni përgjigje nga unë, që në të vërtetë mendoj se për atë më jeni drejtuar si profesionist bujqësie, është teknologjia e kultivimit, impakti agronomik, apo mjedisor. Jo! Edhe këto pothuajse i keni trajtuar. Unë bimën e drogës, kanabisin, e kam parë veç në libra, në internet dhe në televizor. Ende nuk kam pasur “fatin” dhe mos e paça ta kem në dorë, do të më pëlqente më shumë një gjemb gomari që shëron, se sa ai, (hahaaa…)
“Ndrysho këndvështrimin për gjërat dhe gjërat ndryshojnë” thotë një proverb i kahershëm.
Para një gote vere, qelqtari dhe verëtari shohin atë çka njohin, njëri qelqin, tjetri verën.
Ka një përgjigje të shkurtër fare: o kanabis, o bujqësi, o kanabis o ekonomi. Por ju sigurisht nuk kërkoni këtë.
Le të vazhdojmë me idenë e nisur… Jo më kot e përmenda Suden, d.m.th., piramidat. Shqiptarët kanë një precedent për këtë çështje, se sa i pasur bëhesh me para të lehta, të pista d.m.th., jo të pastra. Droga, në dekadën e fundit kryesisht, është një variant i ri, prirje e kohës, si piramidat dikur. Mos vallë nuk mësuam nga pësimi? Ende nuk kemi zënë mend?
Fitimi i shpejtë mund të të bëjë “bos”, siç e dëgjojmë shpesh të përdoret, por jo të fisëm, as të pasur e zotni, përkundrazi historia ka treguar se vendet e zhvilluara kanë një trashëgimi tjetër, thelbësore: bujqësinë e zhvilluar. Askush, asnjë komb nuk ka përparuar nëse nuk ka zhvilluar bujqësinë. “Një vend duhet të mësojë më parë se të kultivuarit e bimëve është po aq me vlerë sa të shkruarit e poezive”, ka thënë Volteri. Ata që përmendët si mbështetës të hyrjes së valutës në Shqipëri nga droga, pavarësisht se u intereson ideja ose jo, e dinë fare mirë, po aq sa edhe ne, se ajo është e përkohshme dhe se shpërndarja e tyre bëhet nëpër kanale të zeza dhe nuk ka asnjë lidhje me zhvillimin e qëndrueshëm. Më së pakti, mund t’i shërbejë pushtimit të pushtetit. Biznesi i kanabisit të bën të pasur për aq kohë sa i bën qejfin atij që e konsumon. Ata që merren me këtë biznes nuk kanë asnjë lidhje me bujqësinë, madje kjo quhet “industri”, që merr këtë trajtë në kushtet kur është e paligjshme. Nëse do të ishte e ligjëruar, kam bindjen se nuk do ishin këta që do të merreshin me të, por specialistë të vërtetë. “Bujqësia është 95% shkencë dhe 5% punë”, thotë Shimon Perez. Pra, unë mendoj se edhe alternativa e ligjërimit nuk duhet përjashtuar. Por kam vënë re se ky është një kapitull që kur e diskuton sot i ngjan një skenari imagjinar, në një mbledhje të organizatës bazë të partisë së punës, në vitet ‘70, ku dikush hedh mendimin: “po sikur ta bënim Shqipërinë kapitalizëm…?” Nëse ekziston vullneti për ta diskutuar në këtë këndvështrim, mbaron gazetaria, publicistika dhe esetë dhe ftohen ekspertët që e mbulojnë me kompetencë e profesionalizëm këtë fushë.
Por, çfarë po ndodh në të vërtetë me sfidën e kanabisit? Nëse do të merrja të mirëqenë ato çka thotë media, se kanabisi “ka marrë dhenë”, duhet të pranojmë shumë gjëra të tjera. E para, që kriza vazhdon, niveli i jetesës është në kufijtë e mbijetesës, dhe njerëzia “mbahet për shkume”, siç thotë populli. Nga ana tjetër, shteti mendon se: “populli mbill dhe policia korr e digj”, zgjidh problemin. Kjo është strategjia më banale sipas meje, ky është një show që populli e përkthen siç do vetë… Për këta skenarë, të përsosura janë diktaturat, por asaj i kemi lënë shëndenë me kohë e kurrë mos ardhtë më!
Kultivimi i kanabisit nuk është veçse varianti popullor i imituar nga varianti i politikanëve të fitimit të shpejtë. Për shabllonin e politikanëve, të cilët, si me magji, pasurohen sapo kapin dhe nuk lëshojnë karrigen e pushtetit, politika është majaja më intriguese, se me rrugë të ndershme, është i vështirë, deri i pamundur krijimi i pasurisë! Pra, rruga jashtë punës, djersës, nuk zë fill nga poshtë, por nga lart, atje lart fare! Për këtë, po ju tregoj një ese, të cilën e kam shkruar në vitin 1987 dhe kam tentuar ta botoj në 1989-n. Çfarë utopie…??!! Dhe kjo, për faktin se këto dekada, shoh prirjen e përsëritur historike për t’iu rikthyer së kaluarës, që më duket se e kemi fiziologjike ne shqiptarët, tamam si “Shaban Qosja”…
Lexoni në këtë shkrim të shkurtuar ndërmjet rreshtash, të bardhat thonë ç’kam dashur, të zezat janë vetëm skeleturë….

BUROKRACIA E SHUAN DEMOKRACINË*

Shkenca, si veprimtari e kualifikuar njerëzore, si objektiv final të saj ka lehtësimin e punës dhe jetesës të shoqërisë njerëzore, në kuptimin material dhe social. Ndonëse e zhveshur nga xhelozia dhe pretendimet, asaj duhet t’i përkiste vend prioritar në shoqëri…
… Por politikën e zbatojnë burokratët (antidemokratët) të cilët e njohin mirë “shkencën” e tyre sepse kanë “mençurinë” për të zbuluar tek vetvetja profesionin “paaftësi” i cili te ne paguhet me pagë reale dhe nominale më shumë se çdo zeje tjetër. Kjo është fyese dhe indinjuese dhe bën që burokratët të ndeshen në çdo frymëmarrje me progresin bashkëkohor shoqëror. Progresi për ta është si dielli për lakuriqët e natës. Të paaftët janë aktorët dhe autorët e burokracisë. Burokracia është universiteti më i aftë që diplomon paaftësinë… Prerekuizita e burokratit është opulenca e postit (pushtetit), forca për të mbjellë frustracion kudo që shtrihet mastiga e tij. Të vetimunizuar ndaj këtij opiumi që e përdorin për të tjerët, arma më e sofistikuar e tyre, nuk humbin për asnjë çast vëmendjen dhe survejimin, sa të rreptë aq edhe soditës, për gjithçka dhe këdo që kanë nën vete … …Dora e të paaftit, vula e tij ndeshet kudo, që në shkallmimin e traditës kombëtare, në errësimin dhe mohimin e progresit bashkëkohor, deri në perden e ozonit. Entropia politike është kryevepra e tij. Atë e trembin arritjet botërore, qytetërimi, ka frikë nga bota, nga modernia, nuk pranon të marrë asgjë prej tyre përveç përfitimeve personale, paçka se në këtë mënyrë humbet çdo gjë autentike, kombëtare dhe njerëzore. Por nuk duhet harruar se ai është më i afti dhe i pari në simbiozën me të renë, (simbiozë unike kjo) arrin të shpërblehet edhe si novator duke qenë armiku më i madh i saj, e reja në duart e tij është e përçudshme.
Me forcën e unisonit, pushteti burokratik guxon të matet me uraniumin, por kurrë jo me “polifoninë” kur ajo me të vërtetë është e tillë. Polifonia ka nevojë për një maestro por jo për dirigjent! Polifonia është varri i burokracisë shtetërore. Të paaftët kanë edhe një aftësi, ata dinë ose njohin edhe paaftësitë dhe dobësitë e veta, por veçanërisht të shokëve. Në ditë me diell dinë ta ruajnë shoqërinë e tyre, ka diçka të përbashkët këtu me klandestinitetin masonik, por kur e ndiejnë rrezikun janë të parët që ua qëndisin njëri-tjetrit bëmat, të thënat e të pathënat. Lodhje për ta është puna dhe të studiuarit, uufff…! Deviza, lajtmotivi i tyre është “autoriteti i pushtetit mbi arsyen”! E kundërta është fatale! Dëmi kronik i burokracisë nuk mund të krahasohet me asnjë lloj aksidenti tjetër, sado tragjik për një shoqëri. Auditori i burokratit është kafeneja dhe bari, atje u shkëlqejnë ërërat duke çuçuritur vesh më vesh, sepse vetëm aty vizitojnë më rrallë se çdo gjë njerëzit e ndershëm e punëtorë, këta të fundit, kur kanë gjë për të thënë parapëlqejnë hapësirën e drejtpërdrejtë të “mexhlisit”. Burokracia në shkencë është persekutim kronik i intelektualit!
Sot, sa shpejt rrëshqasim drejt fitimit të shpejtë, duke i ikur zhvillimit të qëndrueshëm!

Rexhep Uka

Jo më kot e përmenda Suden, d.m.th., piramidat. Shqiptarët kanë një precedent për këtë çështje, se sa i pasur bëhesh me para të lehta, të pista d.m.th., jo të pastra. Droga, në dekadën e fundit kryesisht, është një variant i ri, prirje e kohës, si piramidat dikur. Mos vallë nuk mësuam nga pësimi? Ende nuk kemi zënë mend?

 

monitor 751.inddFlet z.Ismail Beka, ekspert i njohur i bujqësisë

Situata është kritike

Pse po ndodh ky masivizim i kultivimit të hashashit?

Situata me kultivimin e kanabis dhe kriminalizimin e ekonomisë është shumë kritike dhe ka marrë një zgjerim në gjeografinë e shpërndarjes nëpër Shqipëri.
Janë disa arsye kryesore, që favorizojnë këtë proces:
-Në radhë të parë, duhet të shikojmë me vëmendje gjeografinë, ku zhvillohet ky biznes:
Kultivimi i kanabis, edhe pse ka kërkesa të larta agronomike, për toka të mira dhe për shumë ujë për vaditje, si rregull nuk bëhet në sipërfaqe të tokës bujqësore në zonat e ulëta dhe të ujitshme, por bëhet në kushte të vështira të terrenit. Kryesisht në zonat e thella malore të vendit, në toka bujqësore të braktisura, livadhe e kullota, deri edhe siperfaqe pyjore, ku hapen toka të reja.
Pra kriteri i pare është “fshehtësia” (sa më larg pranisë së njerëzve dhe kontrollit të policisë).
-Së dyti: “humbja e gjurmëve të bizneseve të kultivimit”, edhe në rastin kur e zbulon dhe shkatërron policia, pasi kultivimi bëhet kryesisht në toka që nuk kanë pronare privatë me dokumenta të rregullta pronësore. Fakti që në zonat malore, përgjithësisht toka bujqesore nuk është ndarë sipas ligjit 7501, ka bërë që procesi i rregjistrimit të tokës bujqesore të ngelë shumë mbrapa, krahasuar me zonat e tjera rurale të vendit.
Në shumicen e rasteve pas aksioneve të policisë deklarohet se nuk janë zbuluar kultivuesit, pasi parcelat ku është mbjellë nuk kanë pronarë. Pra, kjo nxjerr nje pah një problem madhor, që ka sot Shqipëria, dhe veçanërisht zonat malore me çështjet e pronësisë mbi tokën dhe kontollin e territorit.
-Mungesa e reformës me pronësinë. Shumë përpjekje janë përqendruar këto vite në legalizimin e ndërtimeve pa leje dhe hipotekimin e pronave të tyre, kryesisht në zonat sub-urbane, apo rurale në zonat fushore dhe aspak progres me përfundimin e reformës së tokës bujqësore dhe regjistrimin e pronësisë në zonat malore.
Për kullotat, livadhet dhe pyjet, edhe pse kanë patur pronarë privat, kthimi i tyre tek pronarët është një proces i pamundur dhe shtyhet nga një mandat qeverisës në tjetrin.
-Një element mjaft i rëndësishëm është mungesa e vëmendjes për zonat malore, varfëria e zgjatur e popullsisë vendase dhe mungesa e mbështetjes për aktivitetet ekonomike.
Deri tani mbështetja e politikave bujqesore është përqendruar në bujqësinë e orientuar për treg në zonat e ulëta dhe nuk ka akoma masa mbështetëse në zërin e zhvillimit rural për zonat malore.
Bashkitë e reja, që kanë rezultuar nga reforma territoriale e vitit të kaluar, akoma nuk kanë marrë përgjegjësitë reale të administrimit të territorit te tyre, e aq më pak të zhvillimit të zonave malore.
Në këto zona edhe varfëria është shumë më e madhe dhe kundrejt një “pune të detyruar“ për banorët vendas, me paga të ulta, (por gjithsesi më të larta se të ardhurat që ato sigurojnë nga fermat e tyre).

– Sipas jush, cilat do të jenë pasojat afatshkurtër dhe afatgjatë të mbjelljes masive të hashashit në ekonomi?

Shihni situatën me Lazaratin, Gjirokastrën, çfarë ka ndodhur. Të ardhurat e larta nuk e zhvilluan këtë komune, por përkundrazi e çuan në një falimentim.
Pasoja të tjera janë kriminalizimi në shkalle të lartë i shoqërisë, angazhimi i të rinjve në punë të kriminalizuara, largimi i vëmendjes nga shfrytëzimi i pasurive të rëndësishme natyrore të bimëve medicinale, largim i vëmendjes nga blegtoria dhe kultivimi i prodhimeve bujqësore.

-Mbështetësit e kultivimit të këtij produkti pohojnë se të paktën ai është një burim i mirë i hyrjes së valutës në Shqipëri. Si e komentoni këtë qëndrim?

Midis hyrjes së valutës dhe të ardhurave të komunitetit ka një dallim shumë të madh.

-Cilat janë sugjerimet tuaja për hapat e mënjëhershme që duhet ndërmarrë për orientimin e ekonomisë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm.

Kjo nuk është vetëm çështje policore. Ka një mungesë të vëmendjes për zonat malore, shumë larg premtimeve të politikës. Sot ka një nevojë emergjente t’i rikthehemi me shumë përgjegjësi mbështetjes së alternativave ekonomike.
Le të marrim një shembull. Megjithëse veriu dhe veçanerisht Dukagjini është ndër zonat më të ndjeshme për sa i përket kultivimit të kanabis, kjo nuk ndodh në Theth, apo Valbonë, ku turizmi rural me sa duket është kthyer në një burim të qëndrueshëm të ardhurash.
Më kujtohet një histori me kohën e piramidave: Firmat që merreshin me huadhënien nuk i nënshtroheshin asnjë kontrolli finaciar dhe tatimor, duke i konsideruar si veprimtari.
Sot, kemi punë të papaguar edhe për policët të kthyer në “punëtorë bujqësie që korrin prodhimin dhe e djegin”. Kemi punë të papaguar të personave të ndryshëm, që me sa duket iu premtohet që do t’i marrin paratë në fund të korrjes.

Ismail Beka

Megjithëse veriu dhe veçanerisht Dukagjini është ndër zonat më të ndjeshme për sa i përket kultivimit të kanabis, kjo nuk ndodh në Theth, apo Valbonë, ku turizmi rural me sa duket është kthyer në një burim të qëndrueshëm të ardhurash.

1
Komente

avatar
1 Comment threads
0 Thread replies
0 Followers
 
Most reacted comment
Hottest comment thread
1 Comment authors
Gesi Recent comment authors
  Subscribe  
newest oldest most voted
Notify of
Gesi
Guest
Gesi

Eshte situate pak te thuhet antishqiptare. Perhapja e canabis eshte me psoja qe do te sjelle lufte vivile. Nga njera ane shteti qe duhet ta ndaloje, e nuk vepron, nga an tjeter jane njerzit -barrikade kunder tharjes se trurit. Me shume nuk i behet dem shqiperise, nje popull i vogel qe do jete ne vellavrasje, shkaterrim shteti etj. Dora e serbit e Rusit eshte pak te thuhet….