Zef Preçi, nga Qendra Shqipëria për Kërkime Ekonomike, thotë se nëse ky borxh i ri i fshehtë, i cilësuar PPP, merret në një kohë që fuqia ripaguese e ekonomisë, nuk është e mundur të rritet, shtohen rreziqet. E nëse këto para shkojnë për investime fasadash, pllakash, lulesh, etj., pra nuk hapin vende pune, nuk zhvillojnë industrinë, bujqësinë, etj., përsëritja e skenarit të dhimbshëm grek është e pashmangshme, shtoi ai.
Sherefedin Shehu, ish-zëvendësministri i Financave, shkon edhe më tej, duke pohuar se nga paketa 1 miliard euro, investimet reale do të jenë vetëm 495 milionë euro. Sipas tij, fatura që bizneset e ndershme do t’i bëjnë qeverisë, do të jetë të paktën 2.2 herë më e lartë se sa kostoja e investimit, ose nga fatura 1 miliard euro që do të paguajë qeveria, vetëm 490 milionë do të jenë investime reale.
Shehu thotë se, “po të supozojmë një interes minimal 10% për kredinë (8% është sot interesi për obligacionet 7-vjeçare) atëherë për pagimin e saj, biznesi duhet të fitojë të paktën 15%. Kështu kosto mesatare e kapitalit (kredi + para të veta) do të jetë minimalisht 12%”, përllogariti ish-zyrtari i lartë i financave”. Ndërkohë, përvoja na tregon se gjatë zbatimit të projekteve publike, fatura shtohet nga “pengesat” që krijon qeveria dhe “domosdoshmëria” për ndryshimin e projekteve.
Një kredi 13-vjeçare, me 12% interes, që paguhet me 13 këste të barabarta vjetore, kushton 2.2 herë më shumë se vlera e kredisë që merret sot. Ndryshe mund të thuhet: për çdo lek që biznesi do të investojë “veresie”, sot do të marrë mbrapsht 2.2 lekë ose më shumë se dyfishi.
Presidenti i UET, Adrian Civici, thotë se njihen disa forma të realizimit të PPP. Por ai konsideron më të rrezikshme në lidhje me pasojat në rritjen e borxhit publik, formën e investimeve në dukje private, por që thelb janë publike, si një detyrim i qeverisë për t’ua shlyer investitorëve privatë të gjithë shumën e investuar brenda një periudhe të ardhshme 5 ose 10-vjeçare.
Eksperti Selami Xhepa mendon se herët apo vonë, buxheti do të rrezikohej seriozisht nga paketa e investimeve me PPP, prandaj ai e këshillon qeverinë ta rimendojë seriozisht këtë projekt. Banka Botërore, në një analizë për koncesionet PPP në të gjithë botën, të cilësuar “Benchmarking Public-Private Partnerships Procurement 2017”, cilëson se Shqipëria nuk po i jep PPP, duke i dhënë prioritet ato me nevojat që ka vendi për investime publike. Gjithashtu, Banka Botërore vë në dukje se Shqipëria nuk ka zhvilluar ndonjë metodologji specifike për përballueshmërinë fiskale të këtyre projekteve. Shqipëria nuk ka vlerësuar ndonjë metodologji për vlerësimin e rreziqeve që mbartin këto projekte.
Salim: Ndërlikimet fiskale të PPP-ve nuk janë përfshirë plotësisht në buxhet
Përfaqësuesja e Përhershme e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Maryam Salim, më herët këtë vit, në një intervistë dhënë për “Monitor” tha se, aktualisht, Shqipëria ka rreth 200 kontrata për koncesione dhe PPP. Sipas saj, disa prej këtyre kontratave paraqesin një mundësi të humbur për përdorimin efikas të kapitalit privat, ofrimin e shërbimeve publike apo të shpenzimeve buxhetore.
Salim tha se, relacioni i buxhetit për vitin 2018, i publikuar së fundmi, përfshin qëllimin e qeverisë shqiptare, për investime të mëdha publike përmes PPP-ve, me fokus në infrastrukturë, shëndetësi dhe arsim, por megjithatë informacioni i ofruar nuk ka qenë i mjaftueshëm për të gjykuar sesi këto projekte do të mbështesin strategjitë sektoriale të vendit, për kostot dhe përfitimet nga investimet e propozuara, si dhe implikimet afatgjata në buxhet dhe borxh. Ajo tha se, kontratat e PPP-ve krijojnë detyrime të drejtpërdrejta dhe të tërthorta për qeverinë. Vlerësimi dhe bërja publike e këtyre detyrimeve është një hap i rëndësishëm për menaxhimin e ndonjë rreziku fiskal. Aktualisht, implikimet fiskale të PPP-ve nuk përfshihen plotësisht në dokumentet e buxhetit, pasqyrat financiare apo raportet statistikore.
Salim tha se hapi fillestar i duhur për përmirësimin e kapaciteteve për të zhvilluar dhe për të menaxhuar PPP-të do të ishte integrimi i plotë i tyre në procesin e planifikimit dhe selektimit të investimeve publike, forcimi i marrëdhënieve ndërinstitucionale për t’u siguruar që Ministria e Financave dhe Ekonomisë është në gjendje të mbrojë financat publike nga kosto dhe risqe fiskale të paqëndrueshme. Ajo tha se, gjithashtu ka vend për të forcuar kuadrin ligjor dhe rregullator, që do të siguronte konkurrencë dhe transparencë, duke bërë publike kontratat e PPP-ve, përfshirë pasqyrat financiare dhe statistikat fiskale në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.