Vetëm në prill shitjen e produkteve shqiptare jashtë vendit u tkurrën me 10%…
Eksportet në total shënuan një rënie prej 4.1% për periudhën janar-prill 2015, duke zbritur në 78.8 miliardë lekë, sipas të dhënave të raportuara sot nga INSTAT. Ritmet e rënies janë përshpejtuar, pas performancës së dobët të prillit. Për tremujorin e parë 2015, tkurrja kishte qenë 2.1%.
Ndikimin kryesor në këtë tendencë rënëse e kanë dhënë shitjet shumë të dobëta të mineraleve lëndëve djegëse e energjisë dhe performanca e dobët e tekstileve, ndërsa shpëtimtarët e eksporteve kanë qenë materialet e ndërtimit dhe makineritë e pajisjet.
Eksportet e mineraleve e lëndëve djegëse ranë me 28% për tremujorin në 20.7 miliardë lekë. Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh në vend, pohon se eksportet në sasi kanë qenë në rritje, por në vlerë janë më të ulëta për shkak të rritjes së çmimit. Nga ana tjetër, gati 40% të prodhimit Bankers po e shet në tregun e brendshëm. Edhe energjia ka dhënë ndikimin e vet, për shkak të eksporteve më të ulëta si rrjedhojë e motit të pafavorshëm. E vetmja që raporton ecuri të mirë është kompania prodhuese dhe përpunuese e kromit AlbChrome, që po i gëzohet rritjes së dollarit, monedhë me të cilën i kryen eksportet.
Pas rritjes së dobët në tre muajt e parë të vitit (me vetëm 1.3%) eksportet e tekstileve e këpucëve kanë shënuar rënie për herë të parë dy vitet e fundit, duke u tkurrur me 2% në 28.3 miliardë lekë për 4 mujorin. Vitin e kaluar, kjo industri u zgjerua me rreth 25%, duke dhënë ndikimin kryesor në rritje në 2014-n.
Asipas aktorëve të tregut, industria, që ka si avantazh kryesor koston e lirë të fuqisë punëtore, po bëhet më pak konkurruese për shkak të rritjes së kostos së punës (energjia, shtimi i taksave etj), që po largojnë partnerët italianë. Vetëm në prill, kjo industri ra me 12%. Të dhënat e importeve të këtij grupi, që sinjalizojnë performancën e pritshme të kësaj industrie kanë shënuar një rritje të lehtë për katër mujorin, duke treguar për një rigjallërim të lehtë të saj në muajt që vijnë.
Grupi që ka dhënë ndikimin kryesor në rritjen e eksporteve është ai i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, që është zgjeruar me 23%, në 13.2 miliardë lekë, kryesisht si rrjedhojë e performancës së mirë të gizës dhe çelikut.
Një tjetër grup që po shënon revolucion këtë vit është ai i makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit, që është rritur me 74% në 4.7 miliardë lekë. Sipas burimeve nga Doganat, eksportuesi kryesor i këtij grupi është kompania turke FMT, e cila importon gjeneratorë nga Turqia në Shqipëri dhe më pas i eksporton jashtë vendit, kryesisht në Itali. Ecuri të mirë po shënojnë dhe kompanitë që punojnë me material porositësi induastrial në prodhimin e bobinave, apo pjesëe të tjera elektrike.
Në prill eksportet bien 10%
Sipas INSTAT, në muajin Prill 2015 eksportet e mallrave arritën vlerën 20 mld lekë, duke u ulur me 10,0 % në krahasim me Prill 2014 dhe 7,8 % në krahasim me Mars 2015. Në muajin Prill 2015 importet e mallrave arritën vlerën 43 mld lekë, duke u ulur me 2,0 % në krahasim me Prill 2014 dhe 2,2 % në krahasim me Mars 2015. Deficiti tregtar i këtij muaji është 23 mld lekë, duke u rritur me 6,5 % krahasuar me Prill 2014 dhe 3,3 % në krahasim me Mars 2015.
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 64,7 % të të gjithë tregtisë. Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia (36,0 %), Greqia (7,9 %), Turqia (6,6 %) dhe Kina (6,6 %).
Në Prill 2015 eksportet drejt vendeve të BE-së janë ulur 25,3 %, krahasuar me një vit më parë, duke zënë 66,9 % të eksporteve gjithsej. Peshën më të madhe të eksporteve drejt vendeve të BE-së e zënë Italia me 67,9 %, Spanja me 6,3 % dhe Greqia me 5,6 % të eksporteve gjithsej. Vendet e BE-së me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Mars 2014 janë: Austria, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania. Ndërsa, vendet me të cilët ka pasur ulje të eksporteve janë: Spanja, Kroacia dhe Italia.
Eksportet, drejt Kosovës dhe Kinës, në Prill 2015 krahasuar me një vit më parë, janë rritur duke zënë respektivisht 13,4 % dhe 4,0 % të eksporteve gjithsej, ndërsa eksportet drejt Turqisë janë ulur duke zënë 2,7 % të eksporteve gjithsej.
Rënia vjetore në muajin Prill 2015 është ndikuar kryesisht nga grupet: “Makineri, paisje dhe pjesë këmbimi” kontribuan me +1,6 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” kontribuan me +1,0 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” kontribuan me +0,1 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” kontribuan me -8,5 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” kontribuan me -3,8 pikë përqindje.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.